-Beteja Legjendare e Koshares simotër e Termopileve dhe Qerbelasë.

-Shqipet e bjeshkëve ripërtërinë Epokën e Lavdishme të Gjergj Kastriotit, Epopenë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

-Zgalemët e lirisë së Kosovës mbështjellë në Flamurin Kuqezi./ S’jemi varre jemi lisa, balli jonë është rrezja e Diellit./ Nanë mos mbaj zi, theva kufirin Shqipëri -Shqipëri. /Prillet e dhimbshëm por të lavdishëm të historisë kombëtare.

-Sot kujtojmë me pietet feniksët e lirisë, simbolet e shkuljes së piramidave dhe shembjen së kufijëve mes shqiptarëve.

Dosjer.

Beteja e Koshares e 9- prillit e vitit -1999- të, është një nga betejat më të lavdishme të historisë së kohës së re të shqiptarëve.

Ajo është qendra e gravitetit shqiptar, epiqendra e perimetrit ku historikisht shqiptarët janë ndeshur me armiqtë tanë shekullorë.

Në këtë perimetër të lavdishëm janë përleshur kreshnikët e Jutbinës me krajlitë serbe, Gjergj Elez Alia me bajlozët e detit.

Këtu janë organizuar kryengritjet e para kundër Reformave të Tanzimatit, aksionet e para të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për mbrojtjen e trojeve tona etnike nga coptimi, nga traktatet e kongreset e hartuara në kurriz të tyre nga Fuqitë e Mëdha, për të paguar haraçet e Perandorisë Osmane të mundur.

Prej k’tu e nisën turravrapin drejt Lidhjes Shqiptare të Prizërenit Mic Sokoli, Binak Alia, Zmajl Hyseni Sylejman Vokshi, Ali Ibra, Shpend Zeqir Haklaj.

Nga Tropoja fluturoj Tahir Sinani si shqiponjë për Kosovë, Preshevë, Shkup e Tetovë.

K’tu janë zhvilluar luftërat e përgjakshme të viteve 1909- 1910-të në Qafë të Morinës me ushtrinë e Turgut Pashës.

Kosharja shtrihet përballë Shkëlzenit madhështor, qendrës së Shqipërisë Etnike.
Ajo është kurorë e Junikut të lavdishëm, djepit të Kuvendit të 21-25 majit të vitit 1912, ku u mblodhën 250 delegatë nga të gjitha trojet etnike të Kombit Shqiptar dhe hartuan Platformën e Kryengritjes së Përgjithshme që u finalizua me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e Flamurit Kuqezi të Gjergj Kastriotit nga plaku i urtë i Vlorës, Ismail Qemali. Truri i këtij Kuvendi, Hasan Prishtina, i mbështetur fort nga Bajram Curri dhe Isa Boletini lëshoi Proklomatën ”Shpëtim a vdekje”.
Në 100- vjetorin e Kuvendit të Junikut zëri brilant i Shkurte Fejzës evokoi historinë në vargje të poetit Hamit Alia “Mjeshtër i Madh”:

“O Junik me kulla guri,

Prej tek ti u nis Flamuri.

Prej n’Koshare n’Kaçanik,
Thërret Kosova: o Junik”.

Në Tropojë u mblodh Konferenca e Bujanit dhe u kërkua bashkimi kombëtar, pas Luftës së Dytë Botërore, sipas Paktit të Atlantikut, të drejtës së popujve për vetëvendosje.

Prandaj në Luftën e UÇK-së, Tropoja, u ba mbështetja kryesore për të përmbushur ëndrrën e mbetur përgjysmë.

Në Junik ranë heroikisht dragojtë Bedri Shala, Bekim Berisha, Elton Zherka, Permet Vula, me 10 gusht 1998-të.
Këtë vepër sublime na e përcjell me dhimbje e krenari zëri piskamë i kantautorit Ilir Shaqiri:

“Kush vjen nga Tropoja,

Nga po vjen ushtima,

Thonë vjen Bedri Shala,

Thonë vjen Bekim Berisha,

Kullat e Junikut nga një gjamë e l’shojnë
Bedriu dhe Bekimi thonë: k’tu do t’luftojmë”.

Në djepat e Junikut u përkund Edmond Hoxha, i cili ra heroikisht me Zahir Pajazitin dhe Hakif Zejnullahun, më dt 31- Janar 1997-të, në Vushtri, të cilët ishin pushkët e para të lirisë.

Në Odën e Met Shalës në Junik shtrëngoj duart me plakun me plis të bardhë e me mustaqe “Buldozeri i Ballkanit”, Richard Holbrooke.

Djem e vajza nga të gjitha trojet Iliro-Dardano-Arbërore dhe nga Diaspora u rreshtuan në rradhët e UÇK-së dhe qindra prej tyre ranë heroikisht në luftime të përgjakshme me makinerinë ushtarake të satrapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçi.

Ata ju kishin përgjigjur thirrjes së Atdheut me moton: ”Një Komb një qëndrim”:

Jam çlirimtar, jam n’trojet e mia.

Kur thërret Atdheu n’këmbë shqiptaria.

Beteja Homerike e Koshares, më dt 9 -prill të vitit 1999-të , është më e përgjakshmja, më e vështira për shkak të terrenit të thyer, pozicionit strategjik të Rrasës së Zogut, 1600 m mbi nivelin e detit, me mbi 1 m borë, dukshmëria e dobët, me forca të pabarabarta, armatim simbolik përballë ushtrisë serbe ku kishte të inkuadruar edhe oficerë rus.
Luftohej në distancë të afërt, dhëmb për dhëmb e trup me trup, për çdo metër e për çdo pëllëmbë tokë.

Operacioni i Brigadës 138-të titullohej “Shigjeta”, hartuar nga djaloshi i Karadakut Agim Ramadani, me nofkën “Katana” dhe Sali Çekaj, me nofkën “Veterani”.
Aktet heroike të kësaj lufte na i përcjell kënga popullore:

“Shqip kur flet gur e lis

E çajnë qiellin përmjedis.

Për Kosovën jap dy jetë.

Vdekjen time e vras vetë.

Kush është trim, kush është djalë,

Zot Atdheut për me i dalë,

Pasha qiell e pasha dhé
Plumba s’kanë sa jemi né”.

Kjo luftë spartane, gjakatare, e dhimbshme por heroike na kujton Betejën e Termopileve, ku Leonidha me 300 spartanë u ndesh me ushtrinë e madhe të persëve të Kserksit, apo Luftën e Qerbelësë të martirëve të lirisë kundër tiranisë të Kalifit Jezid.

300 spartanët ranë në fushëbetejë nga i pari tek i fundit. Ata luftonin, pavarësisht humbjes së armëve, duke përdorur thonjtë dhe dhëmbët në përpjekje për të kafshuar armikun dhe për të shkuar drejt fitores duke u çjerrë. Vrisnin vehten e nuk dorëzoheshin të përballeshin me turpin.

Martirët e Qerbelësë u sakrifikuan për të drejtën hyjnore.

Masakra e Qerbelasë është lufta me e tmerrshme më çnjerëzore në historinë e muslimanizmit.

Edhe gladiatorët e Brigadës 138-të “Agim Ramadani” ngjiteshin Rrasës së Zogut si shqiponja në gurë.

Ashtu si nënat spartane kur përcillnin djemtë për luftë i porositnin: “Kthehu me mburojë ose mbi të”, edhe ajkunat e Kosovës u kërkonin omerëve të tyre të shtrenjtë: “Kthehuni me fitore ose mbështjellë me flamur”.

Trimat e Koshares përseritën Epokën e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), ripërtërinë Epopenë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Ashtu, si në Albulenë, më 2 shtator të vitit 1457-të, Heroi ynë me ushtrinë e tij shpartalloi 80000 ushtarë të ushtrisë turke edhe UÇK-ja e lavdishme shpartalloi ushtrinë serbe dhe shembi kufirin e shkuli piramidat njëherë e përgjithmonë.
Ata realizuan ëndrrën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pikërisht në prillin e dhimbshëm për të lavdishm të Ushtrisë së saj në Betejën e Shtimes me trupat osmane të Dervish Pashës për çlirimin e Kosovës.

Populli i ka kenduar kësaj Beteje:
“N’Fushë të Kosovës u lidh jezeri, (mjegulla).
Haj medet ka mbet’ shumë njëri.
Mic Sokoli e Zmajl Hyseni”.

Operacioni “Shigjeta” ia doli të shembë kufirin mes shqiptarëve e të hapë korridorin e furnizimit me armatim e mbështetje logjistike. Shembja e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte rendësi juridike në të Drejtën Ndërkombëtare.

Kjo ua bënte të pamundur forcave serbe kontrollin e territorit që ndante Kombin Shqiptar në mes.

Në Koshare u shemb kufiri, që ishte thyer më dt 6 -maj të vitit 1997-të në Vlahen të Hasit në drejtim të Kuzhinit, ditën e Shën Gjergjit, në ditëlindjen e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti (Skënderbeut).

Forcat okupatore u kishin zënë pritë flakadanëve të lirisë, që u printe Luan Haradinaj.

Luani ishte me Ramushin, Femih e Xhevë Lladrovcin, Emrush Xhemalin, Iliaz Kodrën, Selim Krasniqin etj. Në këtë përleshje të përgjakshme ra Luani dhe u plagosën Ramushi dhe Fehmi Lladrovci. Forcat okupatore kishin goditur me armë të rënda artilerie me qëllim për të asgjësuar të gjithë luftëtarët shqiptarë.

Ndonëse i plagosur, Simboli i Qëndresës Shqiptare, Ramush Haradinaj, përmes plumbave dhe granatave e tërheq trupin e pajetë të vëllait e mban mbi supe për katër-pesë orë rrugë dhe e varrosin në Vlahen të Hasit për ta rivarrosur më dt 24 gusht të vitit- 1999-të së bashku me luftëtarët e tjerë në Gllogjan.
Veprën e Luanit, dhimbjen e krenarinë për të, na sjell zëri i spikatur i Ilir Shaqirit:

“Gjoksi i Luanit një qiell me furtuna.

Bëhen tok e rrjedhin bashkë dy drinat e Buna.

Gurin e kufirit e shkul si dhëmballën,

Mbi krater t’vullkanit trimi e hedh vallen”.

Apo nga Bexhet Korpuzi:

“Kur i shpove pritat kush të bani za

A të çoj Mic Sokoli për Kosovë me ra

A të çoj Mic Sokoli, Zmajl Hyseni vetë
Që në brigje t’ Shtimes ranë tash 100 -vjet’ “.

Trimat e Kosharës shembën kufirin që e kishin thyer në mëngjesin e acartë të 14 dhjetorit të vitit -1998-të Mujë Krasniqi (Komandant Kapuçi) me 36 luftëtarët e tij, të cilët ranë në mënyrë heroike. Ushtria dhe policia serbe u kishte organizuar pritë në vendin e quajtur “Te likenet e Hasit”, në Gorozhup të Pashtrikut.

Mujë Krasniqi ishte komandant i Brigadës 113 -të të Zonës Operative të Drenicës.
Ai ka qenë pjesëmarrës në daljen publike të UÇK-së në fshatin Llaushë të Drenasit, ku në varrimin e mësuesit Halit Geci, vrarë nga forcat serbe, Mujë Krasniqi me Daut Haradinajn dhe Rexhep Selimin, më dt. 28 nëntor 1997-të, bënë publike daljen e UÇK-së.

“Kapuçi” ka udhëhequr njësitin e tij në ofensivat e UÇK-së në zonën operative të Drenicës dhe në zonën e Dukagjinit. Në nderim të veprës së tij në vendlindje, në Klinë, organizohet çdo vit Festivali ” I këndojmë lirisë”, më dt. 6 – 7- 8 qershor.

Brigada 138-të “Agim Ramadani”, që operonte në Zonën Operative të Dukagjinit, me Komandant Ramush Haradinajn, e përmbushi detyrën, perfundimisht e shembi kufirin.

Më datë 9- prill piramidat ranë.

Për disa ditë është bërë luftë përtej fantazisë njerëzore.

Krojet e gjakut rridhnin nëpër Rrasën e Zogut e bashkoheshin me përroin ku trimat çdo mëngjes lanin sytë, rruheshin e kriheshin duke u parë në ca pasqyra të vogla që mbanin në xhepa që të bëheshin të bukur para vdekjes n’ëmer të lirisë së Atdheut që e çmonin me shumë se jetën e vet.
Shumë prekëse janë pamjet që transmetonin kamerat e vëllezërve Ismail e Ilir Buçpapaj. Në një krah luftohej, në anën tjetër marigotë qendisnin Flamurin Kombtar. Ashtu si luftëtarët e Aleksandrit Madh, Pirros së Epirit, Gjergj Kastriotit që kërcenin dhe këndonin para se të hynin në luftë edhe luftëtarët e UÇK-së në terren ja merrnin Mersajezës Shqiptare, këngës së Patriarkut të rapsodisë shqiptare, Dervish Shaqja:

“Moj Shqipëri, mos thuaj mbarova,

Se djemtë e tu hala janë gjallë.

n’Këmbë është çue rrept’ Kosova,
E ban’ luftën ballë për ballë”.

Buçpapajt me kamerat e tyre mbajtën lart moralin e luftës duke transmetuar aksionet heroike të pishtarëve të lirisë.
Gjatë luftimeve ranë në fushëbetejë për të mbetur në altarin e lirisë më dt. 11- prill, poeti, piktori, anëtari i Akademisë Europiane të Arteve, Komandant “Katana”, Agim Ramadani. Gjatë luftës u tregua strateg i zoti, i pari që shembi kufirin. Pas thyrjes së kufirit ra në Zharet për të mos vdekur kurrë e për tu përjetësuar në këngë.

“ n’ Malet e Koshares shkrep një pushkë e vjetër.

Me lirinë moj loke djali po t’vjen n’Zhegër.

Prapë në Dardani po bie tupani.
Vjen n’dasëm t’Kosovës, Agim Ramadani”.

Me dt. 14- prill, në Majën e Gllavës, vritet trimi nga Tetova, Mujdin Aliu.
Populli e këndon:

“Jam djalë nga Tetova, me ka thirrë Atdheu.

Vetë Adem Jashari, gjaku i Skënderbeut.

Lamtumirë, moj loke e ti o babë Qerimi,
Vet me m’suet si duhet Atdheu, si bëhet betimi”.

Më dt. 19- prill, vritet Sali Çekaj, me nofkën “Veterani”, intelektuali, juristi, oficeri gueril, veprimtari i madh i Kauzës Kombëtare që nga protestat e vitit 1981.

Vepra e tij u derdh në bronz dhe në këngë;

“M’ka rritë nana n’zhguna veku.

Ma thonë ëmrin Sali Çeku.

I thonë Sali Çeku, trimit veteran.

I këndon dyfeku, një këndim dardan.

Jo, nuk e ndal’ hapin ky kollos i Kombit.
Jo, nuk e ndal’ hapin ka bekim prej Zotit”.

Ai diti në mënyrë unikale që të gjitha cilësitë që kishte t’i përdorte pa u kursyer në shërbim të Atdheut e Çështjes Kombëtare.

Me dt. 16 -maj vritet befasisht nga një snajperist serb dragoi i Drenicës Abaz Thaçi.

Në momentin e vrasjes ai ju thotë shokëve që e mbanin mbi supe për ta tërhequr nga pozicioni:

“Dy mjaftojnë, të tjerët kthehuni në pozicione, liria jonë është e sigurtë, me vjen keq që po ndahem prej jush”.

Ilir Shaqiri i këndon amanetit të fundit të zgalemit të lirisë.

O ju shqipe kah fluturoni

Në Drenicë kur të shkoni

Thuj’ni nanës mos mbaj zi

Theva kufirin Shqipëri- Shqipëri.

E kështu trimat binin në mejdanet e lirisë një nga një, por nuk i lëshonin Istikamet.

Gjatë luftimeve të ashpra ranë në fushën e nderit 114-të dëshmorë që prehen në lëndinat e Koshares, në hijen e lisave.

Ata ranë për të mbetur lisa të rritur mbi eshtra që kanë vetëm një Atdhe.
Lulekuqe që çelin mbi gjakun e derdhur sa herë vjen pranvera.
Ata janë rreze dielli në sytë e fëmijëve, kokërr loti në faqet e rrudhosura nga dhimbja të nënave që kanë humbur djemtë, cicërimë zogu, sy shqiponje, vetëtimë muzgu dhe agu, krushq lirie në dasmat e Atdheut, përmendore e shpirtit të Kombit. Çdo vit i kërkojmë tek guri i kufirit, ku reja shkrepi e gjaku rrodhi damarëve të tokës.

Nderim të veçantë e përkulje me respekt për protagonistët e kësaj beteje, për UÇK-në e lavdishme që shembi kufirin mes shqiptarëve dhe çliroj Kosovën.

Respekt e mirënjohje përjetësisht NATOS.

Mirënjohje për heronjtë e vdekur dhe të gjallë si Agim Ramadani, Sali Çekaj, Mujdin Aliu, Nuhi Tahiri, Abaz Thaçi, Rrustem Berisha, Hisen Berisha, Xhemajl Fetahu, Nasim Haradinaj, djemtë e Tropojës: Xaj Çela, Rakip Sadiku, vëllezërit Kuçana, Rexhep Kortoçi, Hysni Neziri, Xhevahir Selmani, Bylbyl Breçani, Feriz Trezhnjeva e Avdyl Trezhnjeva.
Veprën e misionarëve të lirisë, aktin sublim të dhënjes së jetës për Atdheun e ka skalitur madhërisht Ilir Shaqiri:

“Emër bjeshke m’thonë n’Koshare

Sytë e mi ja kam falë qiellit

S’jemi varre po jemi lisa
Balli jonë është rrëzja e Diellit”.

Vijon.
_____________

Cikël shkrimesh shkëputur nga libri im i 7- të: “Gjergj Kastrioti- Moisiu Ynë”.

Azgan Haklaj “Mjeshtër i Madh”.- Ish deputet i Kuvendit të Shqipërisë. President i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar.. “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”