Dielli çdo mëngjes do të lindë,
dita do të zgjohet e munduar,
rrezja do ngrohë tokën deri në ind,
ti, emrin tim do të kesh harruar.
Mesdita do afrohet dalëngadalë,
zogjtë do jenë të cfilitur duke vajtuar,
trëndafili aromë e petale do falë,
ti, emrin tim do të kesh harruar.
Mbrëmja krahët e saj do të shtrijë,
yjet qiellin blu do të kenë mbuluar,
gjysëmhëna mistershëm do të ndrijë,
ti, emrin tim do të kesh harruar.
Dimërat do të sjellin borë të ftohtë,
vjeshta sërish do begatojë pas verës,
do të kujtohen ditët e saj të ngrohtë,
jo emri im, shuar ditën e pranverës.
Emri im s’do të kujtohet më kurrë,
as buzëqeshja e fikur, e vrarë
mbi trupin e mbuluar me dhé e gurë,
dikush do sjellë një lule duke qarë.
Pandemia fort mirë do të kujtohet,
ky virusi i egër që mori vetëm jetë,
kriza ekonomike s’do të harrohet,
as ato që më vodhën lirinë e vërtetë.
Novara Itali.