Ballina Rajoni Veriu sot ka nevojë për shërim, jo për “çlirim” – Nga...

Veriu sot ka nevojë për shërim, jo për “çlirim” – Nga Kimete BERISHA

I nderuari z.Kadri Veseli,

Nuk dua të argumentoj për të kaluarën e Veriut të Kosovës, sepse jetët tona kanë ndryshuar, ka ndryshuar çdo gjë dhe asgjë më nuk është dhe nuk do të jetë njësoj.

Gati-gati jemi duke e jetuar atë parashikimin e Profetit, që thotë: ‘Kujdes ditën kur askush-askujt më nuk mund t’i ndihmojë’.

Nuk është koha për armiqësi të reja.
Nuk është koha të forcojmë armiqësitë e vjetra.

Shih pamjet e çuditshme, të pabesueshme dhe bizare gjjthkah nëpër botë, shih se si kemi përfunduar të izoluar dhe pa rrugëdalje, të tmerruar nga kjo ‘lloj’ vdekje që nuk po i gjejnë ilaç, dhe mendo për jetën që njëherë duhet ta shpëtojmë, nëse ia dalim ta shpëtojmë.

Tash prej teje kërkohet të na mbledhni bashkë të gjithëve, pa dallim bindje politike, ashtu siç po na kërcënon vdekja, pa dallim.

Tash prej teje kërkohet të na ruani këtë pak besim që e kemi në këtë shtet të varfër, që deri tash po ia del shumë mirë ta menaxhojë situatën.

Lëre që duhet të na bashkoni si shoqëri, të jemi solidarë, por si kurrë më parë prej se ekzistojmë duhet të jemi të urtë e të mençur edhe me të tjerët, të gjithë duhet ta kemi brengë të dalim gjallë nga pandemia, jo politikën.

PDK me deklaratat e saj duhet të jap kontribut në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit kombëtar, rajonal e ndërkombëtar.

Në këtë kohë, është humane t’u jepet leja mjekëve nga Serbia të vijnë t’u ndihmojnë pacientëve serbë në Kosovë, ashtu siç është normale që pacientët shqiptarë shkojnë shërohen në Beograd.

Nuk është koha për patriotizëm, për politikë, nuk është koha për ndarje të shqiptarëve, është koha për unitet dhe për bashkim.
Është koha ta shpëtojmë jetën, jo t’i shpëtojmë bindjet politike.

P.S. Përndryshe, kot i fryjnë zjarrit, askush nuk e ka ndërmend me shku me ‘çliru’ Veriun e ‘sëmurë’ dhe të ngujuar.
Veriu sot ka nevojë për shërim, jo për ‘çlirim’.

Se i ‘pushtuar’ është prej 1999.