I nderuar zoti Aurel Plasari, drejtor i Bibliotekës Kombëtare!
Të nderuar deputet, të nderuar akademikë, profesorë, studjues, përfaqësues të mediave, kolegë e miq të zotit Shefqet Hoxha! Të gjithë juve pjesmarrës të nderuar ju përshëndes dhe ju falenderoj për praninë tuaj.
Jemi këtu në takimin e sotëm në tempullin e librit për të kremtuar së bashku përvjetorin e 80 të studjuesit Shefqet Hoxha, i cili ka regjistruar këtu më shumë se 40 tituj librash të botuar. Jam i nderuar që me jepet rasti që edhe në emrin e shoqatës atdhetare e kulturore “Luma”, t’i uroj zotit Shefqet jetë të gjatë e të lumtur, shëndet e mbarësi që të vijojë si deri tani me projektin e tij për të kompletuar korpusin e veprave që ende s’i ka përmbyllur e me dëshirën që dorëshkrimet ende të shumta të tij, pas rishikimit e redaktimit përfundimtar, të gjejnë sa më parë dritën e botimit.
Prej 17 vjetësh, që nga viti 1997, Biblioteka Kombëtare është vendi i përhershëm i punës për Shefqet Hoxhën. Si dimrit dhe verës, pa marrë kurrë lejen e zakonshme. Këtu ai takohet çdo ditë me miqtë e bashkëpuntorët e tij, gjurmon e kërkon në fonde, lexon pareshtur, këshillohet me kolegë, mban shënime duke përtërirë e plotësuar gjurmimet e hershme në terren dhe shkruan çdo ditë pandërprerje, ndreq e rishkruan me këmbëngulje pas verifikimeve të palodhshme, gjithnjë me durimin, këmbënguljen, saktësinë dhe disiplinën e duhur shkencore.
Më lejoni të them dy fjalë nga rrjedhat jetësore të tij.
Shefqet Hoxha lindi në Bicaj, Lumë, më 5 prill 1934. Shkollën fillore (1940 -1945) dhe unike (1945-1948) i bëri në vendlindje, të mesmen pedagogjike (1948-1952) në Peshkopi. Institutin e Lartë Pedagogjik (1956) dhe fakultetin Gjuhë e Letërsi shqipe në Tiranë (1959) i kreu pa shkëputje nga puna. Që nga viti 1952 ka punuar në rrethin e Kukësit si mësues e drejtor shkollash 8-vjeçare e të mesme, metodist e inspektor arsimi, pedagog në filialin e Institutit Pedagogjik të Shkodrës (1968-1975). Për një kohë të gjatë ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm i institutive të Gjuhës e Letërsisë dhe të Kulturës Popullore të Akademisë së Shkencave.
Që pas mbarimit të shkollës së mesme i është vënë punës për grumbullimin e pasurive folkorike e gjuhësore duke qëmtuar gjthashtu edhe të drejtën dokësore në krahinat e Kukësit e më gjerë.Sheqet Hoxha ka drejtuar shoqatat e gjuhëtarëve dhe të kulturës popullore në Kukës. Ai ka marrë pjesë duke kumtuar në shumë sesione e simpoziume shkencore, lokale e kombëtare; ka botuar mbi 350 artikuj nga lëmi të ndryshme të dijes ( dialektologji, folklore, etnologji, histori, etj.)
Kësisoj ia ka dalë mbanë që në fushën gjuhësore të hedhë dritë me disa kontribute përsa i përket studimeve dialektore veçmas mbi të folmet e Lumës në rrafshin fonetik, morfologjik e sintaksor. Rreth 20 mijë fjalë e shprehje të mbledhura kryesisht në Lumë e Has pasurojnë fondin kombëtar të leksikut të gjuhës shqipe. Studimet gjuhësore i plotëson me gjurmime toponimike, patronimike e onomastike.
Ky pasion prej shkencëtari u përcoll që herët me simpatinë dhe përkrahjen e gjuhëtarëve të shquar si Eqrem Çabej dhe Shaban Demiraj. Edhe si shprehje e këtij kontributi gjuhësor Shefqet Hoxha u zgjodh të marrë pjesë si delegat në Kongresin e Drejtshkrimit (1972) dhe është njëri nga firmëtarët e akteve të tij.
Kontributi i tij në folklor nis me fillimin e punës së tij si mësues pas mbarimit të shkollës së mesme. Pasioni për kërkimet në këtë fushë do të ndiqte gjurmët e babait të tij Qamil Hoxhës, një fletore e të cilit me këngë kreshnikësh mbledhur në Krasniqe dhuruar folkoristëve që erdhën në Shqipëri ruhet në arkivin e universitetit të Harvardit. Në arkivin e Institutit të Antroplogjisë kulturore dhe Studimit të artit në Tiranë kam lexuar së fundi disa dosje me lirikë dhe epikë të qëmtuar e të mbledhur me ekzigjencë shkencore siç shprehej për Shefqet Hoxhën Qemal Haxhihasani në një shënim të vitit 1955. Përrallat popullore lumjane u botuan në vitin 1966. Ndërsa botimet më të plota erdhën më vonë pas viteve 80, kur dolën në dritë vëllimet “Lirikë popullore nga rrethi i Kukësit” dhe “Epikë legjendare nga rrethi i Kukësit”, ndërsa vëllime të tjera me lirikë, epikë historike e legjendare janë përgatitur e redaktuar, vetëm presin dritën e botimit. Sidomos kohët e fundit, Shefqet Hoxha ka gjetur gjthnjë përkrahës e dashamirës për botimin e veprës së tij, por shpresojmë që të kthehet edhe vëmendja e mbështetjes shtetërore me fonde publike që duhet të shkojnë në dobi të kulturës kombëtare.
Me botimin e studimeve mbi fejesën, martesën dhe lindjen në Lumë, kontributi i tij si etnolog do të vlerësohej edhe nga Rrok Zojzi. Pas viteve 2000 ai ka botuar një sërë studimesh mbi rolin dhe funksionet e bajrakëve si formë e ndarjes dhe organizimit krahinor, mbi institutin e Kuvendit, etj.
Ndërkaq Kanuni i Lumës, i botuar së fundmi vlerësohet si një ndër veprat më madhore të tij. Pas një pune dhjetravjeçare ai e dorëzoi për botim në Institutin e Kulturës Popullore në fundin e viti 1987. Procesi i gjatë i vlerësimeve shkencore dhe rishikimit përfundimtar zgjati deri në vitin 1990, kur dhe doli miratimi për të hyrë në shtyp, por mungesa e fondeve dhe e letrës, kur dhe regjimi ishte në ditët e tij të fundit, e shtyu botimin e veprës.tij. Por kjo nuk e dëshpëroi autorin. Vonesat i shërbyen atij për ta riparë edhe njëherë krejt materialin e mbledhur duke e pasuruar më strukturën e librit vecanërisht me material e praktika kanunore.
Profesor Aleks Luarasi e vlerëson Kanunin e Lumës si shumë origjinal. Në krahasim me Kanunin e Lekë Dukagjinit, ku janë ruajtur norma juridike shumë të lashta dhe të ashpra, Kanuni I Lumës, sipas tij, është më i plotë, më i moderuar, më tolerant dhe më elastik duke iu përshtatur më mirë ndryshimeve ekonomike dhe shoqërore.
Një vend të vecantë në veprën e Shefqet Hoxhës zënë gjurmimet historike, sidomos burimet dokumentare e arkivore që hedhin dritë mbi përpjekjet për liri e të drejta gjatë rezistencës antiosmane para dhe pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në fillim të shekullit të XX në kryengritjet që sollën pavarësinë kombëtare dhe qëndresën ndaj ekspansionit serb. Lufta e Lumës ndaj ushtrive pushtuese të Mbretërisë Serbe, barbaritë serbe të vitit 1913 të lëna në hije nga historiografia për shkaqe politike janë trajtuar prej tij me objektivitet shkencor.
Sidomos kontributi i studjuesit Shefqet Hoxha spikat në ndriçimin e figurave të anatemuara në sistemin komunist, një radhë atdhetarësh me kontribut lokal të mohuar, por dhe figura të përmasave të madha kombëtare si Muharrem Bajraktari, Miftar Spahiu, Tahir Kolgjini dhe poeti martir Havzi Nela.
Nuk kanë mbetur jashtë vëmendjes së tij dhe studimet për historinë e shkollës dhe të arsimit kombëtar, sidomos për shkollat e mësuesit e parë në rrethin e Kukësit.
Në këtë sallë gjenden edhe dhjetra nxënës të mësuesit Shefqet Hoxha që kanë njohur urtësinë e pasionin e tij për punën dhe kërkimin shkencor, fjalën e ngrohtë dhe komunikimin njerëzor edhe në rrethanat më të vështira.
Ai nuk u ligështua edhe kur e penguan për disa kohë të mbronte një disertacion shkencor dhe kur në kulmin e acarimit të luftës së klasave në vitet 1975-1980, pushteti komunist i hoqi të drejtën e botimit. Edhe nata dimërore, sado e gjatë, e ka fundin e saj. Në dhjetorin e vitit 1990, Shefqet Hoxha zgjodhi të përfshihet në valën e ndryshimeve demokratike, u zgjodh kryetar i degës së Partisë Demokratike për Kukësin dhe deputet në kuvendin e Shqipërisë në vitet 1992-1996.
Pas kësaj kohe ai u nda nga jeta aktive politike, por iu rikthye më me vrull pasionit të hershëm të gjurmimeve e studimeve shkencore. Që nga viti 1996, Shefqet Hoxha është doktor i shkencave filologjike, është Profesor i assocuar dhe “Mësues i popullit”.

Më lejoni ta përgëzoj për kontributin e tij të shquar e të shumanshëm si studjues dhe aktivist shoqëror, ta falenderoj për veprën e tij dhe t’i urojë edhe një hërë jetë të gjatë e të frytshme, fat e mbarësi gjithmonë!
_______________
*Fjala  ne 80 vjetorin e Lindjes se prof. as dr. Shefqet Hoxha. (Titulli eshte redaksional).