(Poemë, elegji e baladë të gjitha së bashku, kushtuar luftës heroike kundër pandemisë KOVID-19)

1.
Ia kalove tragjedive të luftërave
Edhe tragjedive të skenave teatrore
Sa gjaku është derdhur me nevojë e pa nevojë
Në tokën e shenjtë
Sa gjaku i shtazëve që njerëzit i kanë therë
Sa vdekjet janë shkaktuar nga dora e njeriut
E ti, të gjithave ua kalove

2.
Çfarë të shtyri të bësh kështu
Botën e detyrove fortë të trembet
Edhe të çrregullohet
Edhe skajshmërisht të trandet
Apo ndoshta për t’i treguar
Fuqinë dhe artin e çmendurisë sate
Apo ndoshta deshe të na vetëdijesosh
Dhe njerëzit t’i bësh të barabartë

3.
Nuk e njohe as mbretin
Nuk e kurseve as hyzmeqarin
Nuk i anashkalove shërbëtorët
Që gjithmonë janë me kurriz të thyer
Nuk ia bëre dert as luftëtarit
Por as njerëzve të robëruar

4.
Botën e ke tmerruar
Të rinjve ua ke shtrembëruar ëndrrat
Edhe fëmijëve ua ke nëpërkëmbur rritën
E pleqve ua ka këputur shpresat
Edhe për një grimë jetë pa siklet

5.
Pabesisht dashurisë i ke vënë paterica
Në fantazmë i shndërrove
Sheshet e bulevardet
Lulishtet teatrot e stadiumet

6.
Ndoshta e gjithë kjo është ndonjë mesazh
Për ndërgjegjësim e për vetëdijesim
Por edhe dhembjen dhe gëzimin
I bëre një që nuk dallojnë

7
Detet e oqeanet i trazove
E tokën në të katër anët e lëkunde
E qiellin e detyrove të shndërrohet
Në vrojtues të pafuqishëm

8.
Nuk e di a ke vepruar mirë apo jo
Apo dikush të ka nxjerrë nga epruveta
Si fëmijën shumë të kërkuar
E ti more krye si ati pullali
Në këtë kohë të pakohë
Ua ke kaluar edhe shumë motrave tuaja
Që dikur patën rrafshuar shpresa e jetë

9.
Po çfarë force ke
Që nuk të ndali dot fuqi e njeriut
Nuk të ndali shtet as armatë
Si duket më të vërtet njerëzimin
E ke bërë të barabartë
Në jetë apo në fatkeqësi
Këtë askush dhe as unë nuk e di

10.
Ndoshta ke çelës magjik
Që nuk mund të ta vjedhë askush
Por askund nuk ke shtëpi
Kështu lehtë po bën kërdi

11.
Do pleq i ke lënë të mos zgjohen kurrë
Foshnjën që ëmbël flinte
Në gjirin e nënës pa frymë
I ke bërë edhe do gjëra të tjera

12.
Të kuptoj se atë detyrë e kishe
Atë mision e ke
Janë mbyllur shkollat
Nxënësit janë të etur për dituri
Edhe për lojëra e lumturi

13.
Ke imponuar spitale edhe nëpër tenda
E ndoshta njeriu nuk e ka merituar
Këtë mallkim këtë dënim

14.
Nuk kurseve as kryetar shtetesh
As premierë ministra e ministresha
Nuk kurseve as lypës as pasanikë
Si duket ke vepruar me një arshin

15.
Edhe bukën e ujin i ke tmerruar
Pra, si t’ia bëjmë se na çmende
Në pritje të pazakontë na ke shndërruar
Në pritje ankth e makth
O sa rëndë sa dhembje

16.
Tash
Heshtja pllakos edhe asfaltin
I shëmton edhe dritat e rrugëve
Kurse qentë endacak
E kërkojnë shoqërimin me njerëz
Zogjtë e qiellit duken ndryshe
Ajri në shkrepa malesh bën sehir

17.
Dhe ja
Ia arrite të bëhesh bashkë në histori
Edhe me Sarsin edhe me Hi-Vin
Edhe me kolerën e me mortajën

18.
Por edhe kështu
Njerëzëve me fuqi e pafuqi
Ende u nevojitet erz e njerëzi

19.
Edhe nën kthetrat tuaja
Urrejnë vjedhin e bëjnë tradhti
Kudo në botë sundojnë
Vrasin shtypin e maltretojnë
Në këtë planet të përgjakur
Që ka nisur të sëmuret
Të bëhet me ilet e me dergjë

20.
Nuk di edhe sa kohë
Do të na vrasësh e të na shqetësosh
Apo do të mëshirohesh
Se edhe cunami e dridhja e tokës
Sikur janë formulë jotja

21.
Por e kam një lutje
Të bëhemi bashkë unë e ti
Dhe sërish botën ta bëjmë të lumtur
Edhe njerëzit që janë trembur
Si zogjtë pa fole…

22.
Bashkërisht të shkojmë
Dhe diku apo në tërë botë
Ta ngrehim nga një obelisk paqeje
Nga një shtatore njerëzie
T’ua shtojmë përqafimet të të dashuruarve
T’i urtësojmë dijetarët
T’i bashkojmë shkrimtarët
T’u japim kuraje shkencëtarëve
T’i afrojmë kombet dhe njerëzit
Të përqafohen të gjithë
Ndoshta bota e toka e kupton këtë
O Korona Virusi im i dashur
Që kaq shumë na shoqërove
Në ditët më të liga

23.
E di
Do të më qortosh për pa dëgjueshmërinë
E botës dhe të njeriut
Që sërish mund të të hidhërojnë
Dhe të kthehesh ndonjëherë
Por unë dhe Ti
Ta bëjmë lumturinë e re
Qetësohu të lutëm
Se nuk ka as arkivole për të vdekurit
As gurra për lotët e pashterur…

24.
Je i mrekullueshëm Covid-19
Që m’i detyrove këto vargje
Këtë këngë rrëqethëse
Këtë poemë, elegji e baladë së bashku…
(©S. B.)

*Deri sa po i shkruaja këto fjalë si gaca shpirti, në botë, Covid-19 i shitove 530.017 njerëz, i vrave 132.440 vetë dhe askush nuk të ka vërejtur me sy se çfarë pamje ke, a je virus, lanet apo njeri…!