Më mungon aq shumë ajo kafja jonë e pasdites, prag muzgut që bie
Gjurma jote e mbetur, skajit të filxhanit, ti blije buzëkuq të lirë, të lehtë
Përzier me hirin e kafes, e kam ruajtur në cep të buzëve si antivirus
Nuk mbaj maskë, kurrë s’dita çfarë janë maskat, se mbulova fytyrën
E lashë peng të diellit, në lojën e tij erotike me retë ,me erën e shfrenuar
Që shpërthen sythet dhe shkrin borën e vonë mbi lulet e qershive
Një qershi e ndarë në dysh tash do shuante mallin tim për buzët tua…
Më mungon aq shumë ajo mbrëmja e fillim prillit, e trishtuar
Nga klithma e parë të zogjve të panginjur mbi copra buke tej
Kur drita e hënës bie si polen i praruar lulesh mbi truallin e tyre
Dikush luan më fishkëllimë sonatën e saj, i panjohur pas xhami
Silueta hijesh që kapërthuren dhe nginjen mbi pemët e holla
Si duar të afshta mbi barkun e ngrohtë të një shtatzëne që prêt
E lëngështuar në ankthin e së panjohurës pas derës së tejdukshme…
Më mungon aq shumë tehu i gurit të bjeshkës poshtë hapave të mi
Që ngasin luginave plot mjegull ,ajo tamël zanash mbi qiellin e tyre
Diellin e shplojnë agut të hershëm, kokë e fëmijës në gishta lehone
Hënën ja lëshojnë mbi duar, një topth i artë,të luajë, t’ja ndalin vajin
Të mos tremben dhitë e egra dhe drenushat teksa pijnë vesën e parë
Në krojet e pashtershëm , gjinjtë e afshtë që pikojnë shkrepave të idhët
Ku e ka mbretërinë e vet të përjetshme fëminia ime e largët…
Më mungon buzëqeshja e babës, e cila sikur mbarte krejt maturinë e botës
Në fjalë të thjeshta, të renditura si rruaza dashnie në përqafimin e ditës
Aq shumë mirësi në sytë e tij të kaftë, me esencën e drunit të gështenjës
Që pikte kokrra në oborrin e madh të logut dhe të fisit, ashtu shtati i tij
Një lis i rëndë në pellgun e kujtimit,e mbulon me gjethe dhe lule pafund
Dhe më ëmbëlton dhimbjen e çuditshme të izolimit, ftohtësinë e mureve
Në çdo qelizë timen,vret padurimin, ngroh shpresën për verën që vjen…
Më mungon prania ime tek shtretërit e atyre që frymojnë se fundmi
Pa mundur të japin puthjen e fundit, përqafim i munguar pas xhami
Si dorë e këputur, degë e rënë në sfondin e çuditshëm të jetës që ikën
Më merret fryma nga pamundësia, jam loti që rrjedh në faqe nënash
Jam fjalë e pathënë , mirënjohje e munguar në fjalor të së dashurish
Antitrup i fituar në betejën e mungesës, violinë që luan himnin e jetës
Tutje në ballkonin e shpresës…
Tropojë,04/04/2020