Ballina Kulturë Gurra popullore në penën e shkrimtarit Andon Andoni – Nga Bashkim...

Gurra popullore në penën e shkrimtarit Andon Andoni – Nga Bashkim Saliasi

Përjetime nga leximi i vëllimit me tregime “Fryma e bardhë”

(Në foto: Nga e djathta: Andon Andoni, Viron Kona dhe Bashkim Saliasi)

Ditët e marsit 2020 erdhën mjaftë të vështira  jo vetëm për ne shqiptarët, por për mbarë njerëzimin. Një pandemi botrore nënshtroi njerëzimin në karantinë. Për të mbushur këtë hapësirë kohore iu drejtova biblotekës sime dhe dora më shkoj te libri “Fryma e bardhë” shkruar nga Andon Andoni.

Kishte disa muaji që libri “flinte” në biblotekën time dhe priste radhën që një ditë të shfletoja. Dhe dita erdhi. Porsa fillova të lexoj tregimin e parë  “Gishti”, libri më tërhoqi si me magji. Andoni me stilin e tij të një tregimtari të arrirë, arrin të të fusë në botën e tij dhe të duket se edhe ti je pjesë e këtyre tregimeve që burojnë nga gurra popullore.

Me penën e tij të hollë si mjeshtër i gëdhendjes dhe latimit të një  guri pa formë ai konfiguron portretin e një heroi si dhe tipa dhe karaktere të njerzëve skurpuloz, që nuk e kanë për gjë të tallen me fatin e njerëzve në nevojë.

Në qendër të tregimit “Gishti” në librin “Fryma e bardhë”  vihet personazhi Vani, që për të siguruar një vizë për në vendin fqinj, Greqi, i duhet të marrë babanë që kishte punuar emigrant në Greqi në tokat e Spiridhonit para mbylljes së kufijëve dhe ruante një kartë ku kishte vendosur gishtin.

Në konsullatë mbrriti pasdite.Ua tregoi kartën dhe priti zemërdridhur. Ia zgjati edhe pasaportat e gruas dhe të fëmijëve. Atë ditë ishte ky sarku në sportel, Spiridhoni. I lig. Vetullpërmbys. Lëre. Fati keq i vanit. Ç’të themi?

Vani rrahu të mburrej se i ati kishte punuar mote të tëra në tokat e Spiridhonit dhe doemos edhe Vanit me të tijtë i takonte të jetonin me karta të vërteta, si njerëz në atë vend.

Duke lexuar këta rreshta mendja të shkon te vitet e fundshekullit, kur diktatura ra dhe u hapën kufijtë me botën.  Njerëzit për t`i mbijetuar situatës së krijuar, rendin në ambasada dhe konsullata për të siguruar një vizë për sigurimin e kushteve më të mira për jetesë.

Me stilin e tij të treguarit, Andoni shfaqet origjinal dhe me penën e tij lëvron të treguarit ashtu si bujku që hedhë farën në një tokë humusore dhe pret që prodhimi i tij të jetë jo vetëm me bollëk, por i një cilësie të parë. Farë e zgjedhur. Edhe tregimet e Andonit janë perla për lexuesin.

Duket se autori ngjyen penën e tij në kolorin e ngjyrave të ylberit dhe e përhap në faqet e librit nuanca vezulluese. Nëpërmjet këtyre personazheve në veprën  “Fryma e bardhë” autori synon të na jap tipologjinë dhe karakteret e botës shqiptare të mbështetur në gurrën popullore të njerëzve në nevojë, që për hirë të sigurimit të një jete më të mirë, bëjnë sakrifica sublime deri dhe në sakrifikimin e jetës.

Duke ndjekur rrjedhshmërinë e të treguarit nga njëri tregim në tjetrin Andoni ka arritje interesante të treguara bukur artistikishtë. I mbështetur në gurrën popullore të trevës së vet, Devollit, vepra e tij bëhet më e besueshme dhe ajo që është e veçantë për të se tregimet kanë jetë dhe të duket vetja se edhe ti që i lexon këto tregime të bukura je pjesë e tyre.

Nga njëri tregim në tjetrin të zgjohet një botë e brendshme tepër interesante, me një bukuri fabulash,  shprehjesh artistike dhe përshkrimesh, të cilat pasqyrohen në faqet e kësaj vepre artistikisht të arrira si nga ana gjuhësore dhe ajo letrare.

Në faqet e librit përshkruhet jeta në fshat. Skaliten dhe portretizohen personazhe me tipe dhe karaktere që të mbeten në mendje.

Në tregimin “Ata të dy takoheshin të shtunave”, të tërheq vëmendjen frymëzimi i gjallë artistikisht i trajtimit të temës aktuale të përfitimit të të mirave materiale në kurriz të tjetrit.

Nuk e mbaj mend ditën kur hyri për herë të parë në lokalin tonë, por do ketë qenë e shtunë. Vetëm e shtunë. Ky fiksimi i im për të shtunën u rrënjos pasi vërtet Amerikani dhe ajo, që duhet të ishte e rekomanduara për nuse takoheshin shumicën e herës të shtunave aty pasdreke.

Përvoja e pasur e njohurive në fushën e gjuhës dhe letërsisë, e ka ndihmuar autorin që si një specialist i mirë të ndjek problemet e njerëzve në nevojë dhe t`i pasqyroj me një frymë realiste në tregimet e tij.

               Kopertina e librit Fryma e bardhë                 

Andoni duke shkruar autograf

Andoni është një shkrimtar këmbëngulës, i thellë. Me sa dije dhe njohuri kam nga fusha e letërsisë dhe si lexues i rregullt them se ai përdor me mjeshtëri prozën moderne, që mbi bazën e fabulës dhe gjetjes së tematikave në gurrën popullore, arrinë të portretizojë tipa dhe karaktere bashkëkohorë.

Në tregimin “Kohë e çmendur për dashuri” Andoni  me një filozofi tepër moderne tegon se ndjenja e dashurisë arrinë të tiumfojë edhe në kohë lufte. Është një rrëfim tronditës, por njeriu duhet të njohë kohën në të cilën jeton, të dashuroj jetën duke u përballur me çdo dallgë dhe furtunë.

U shtërnguan në krahët e njëri tjetrit.U ngritën të drobitur…Pastaj u lagën me ujë çezme.Pastaj u puthën. Dolën nga streha e llamarintë.U derdhën plumbat gjurmëlënës drejtë qiellit.U drodh shtëpia përball nga gjëmimi.

Kështu jeta merr kuptim sepse janë shpirti dhe zemra që i japin jetë dhe dritë jetës dhe vënë në lëvizje njeriun, mendimin dhe ndjenjat e tij duke e bërë qenien njerëzore më të njerëzishme.

Në tregimin “Kur zbriste lumi madh” autori me stilin fin të të treguarit na pasqyron ndjenjën sesa fort është i lidhur fshatari me pronën dhe sakrificat sublime që bëjnë njerëzit për ta mbrojtur atë nga çdo fatkeqësi natyrore qoftë dhe deri në sakrificën sublime të jetës.

-Done, si je, o?

U ndal para meje dhe im nip u zgjat të shihte qingjin e vogël laraman në gjoksin e tij. E toka me cepin e kokës  këtë njeri që hynte në fshat bashk me ylberin. Pastaj, si të më kishte ardhur turp nga vetja, e përqafova pa drojë. Kishte erën e dhënve dhe të përçit që përzihej me atë të qumshtit të pazierë…

Andoni proçedon artistikishtë me anë të rrëfimit dhe arrin të ndërtojë një artitekturë kompozicionale që lidhin ngjarjet me jetën e personazheve duke na përçuar mesazhe emocionale të fuqishme në tipizimin e karaktereve që lidhen me jetën e gjallë.

Tregimi “Për një shkrepse” na flet për botën e brendshme të autorit, ndjenjën e dashurisë për vendlindjen dhe krenarinë njerëzore që njeriu të jetë i aftë dhe i përgatitur për sfidat e jetës.

Zbrita shkallët me rrapllimë dhe mbeta në mes të odës duke vështruar deriçkën e sobës së hapur që nxinte. Më ishte mbledhur një lëmsh në fyt dhe më dridhej buza. Kot që të lodhesha duke kërkuar shkrepse nëpër shtëpi. Në ato tre vende ku i ruante nëna, nuk kishte…

Në këtë tregim del në pah kultura dhe fantazia që Andoni zotëron në përshkrimin e ngjarjes me një guhë të thjeshtë dhe të kuptushme që të bënë të mendosh se njeriu duhet të jetë i përgatitur për sfidat e papritura të jetës.

Në tregimin “Kurbatka” meritë e Andonit është të përshkruaj tipat dhe karakteret e njerëzve të paformuar, tipa që jetojnë mes nesh me të mirat dhe të këqiat e tyre. Përmes këtyre skenave tronditëse autori na pasqyron vlerat antinjerëzore të njerëzve të vegjël dhe skurpuloz që përfitojnë nga situate të turbullta dhe nuk i tremben ligjit.

-Edhe pelës kur s’ka nërë, nuk i kërcejnë. Ashtu kot me rram, po lidhe pas gardhit dhe lëshoja sa për t’u shfryrë. Koqe?Këtë doni të bëni? Bëjeni!

Sjellja e njeriut në mënyrë kafshërore zbërthejnë qartasi mëndësinë mesjetare të Doracit. Qëndrime të tilla shfaqen hera herës në jetën e përditshme, të cilat kërkohet që të luftohen nga shoqëria dhe ligjet e shtetit.

Në tregimin “Ujku gri” Andoni shfaqet si një prozator e romancier me një bagazh dijesh dhe njohjesh të filozofisë së njerëzve dhe kafshëve për bashkëshoqërim për mbijetesë. Interesi për ta njohur sa më gjerë botën që na rrethon e bën shkrimtarin sa më realist që zotëron një kulturë të gjerë për thellësinë e vëzhgimit të jetës dhe karakterit të personazheve.

Edhe pushkën nuk e mbante më mbi duar.Sytë i kishte të ftohtë dhe të frikshëm.Barkun me qime të hirtë e të hirnosur nga dëbora e ngrirë. E vështroi drejtë e në sy duke mërmëritur gjthnjë“ O zot i madh e mëshirëplotë”. Por për ta prekur me duar ai nuk e preku. Hëngrën të dy si të babëzitur mish të pjekur dhe të njomë.

Bashkëjetesa si nevojë për tu ushqyer bën ta harrosh frikën dhe nxjerr në pah lidhjen e botës së njeriut me kafshët. Gyximi i At Zefit tregon karakterin e fortë të malësorit dhe nxjerr në pah besnikërinë dhe humanizmin e njerëzve të guximshëm që marrin në sy rrezikun.

Tregimet e shkruara duke përdorur abstraksionin e bëjnë shkrimtarin Andon Andoni një rrëfimtar  klasi që di të përshkruaj fenomenet me të cilat ndeshemi në jetën e përditshme, apo anekdodat dhe fabulat që tregohen në ambiente çlodhje në një drekë pune apo kafeje me shokët.

Në tregimin “Buqja” Andoni satirizon figurën e njerëzve mediokër dhe sjelljen shtazarake të njerëzve të paformuar. Theksin dhe mesazhin që përcjell te lexuesi është kuptimplotë; larg dhunës dhe ndërtimit të marrëdhënieve shoqërore mbi bazën e mirëkuptimit dhe dashurisë.

-Sakën se të shohim më në derë! Gremisu e thyej qafën tek jot ëmë! S’ke më vend këtu. Të qërohesh nga ke ardhur…

Tregimi rrjedh bukur si rrezet e arta të hënës në një ditë vjeshte që ndriçon faqen e një kopshti të lulëzuar dhe retë i bëjnë karshillëk. Me penën e tij të artë i bën skaner shoqërisë, ku individ të veçantë nuk janë të formuar dhe paraplqejnë dhunën, zakon mesjetar. 

Lulja kopaniste me bishtin e fshesës një kone qimerënë, që hungrinte me bishtin ndër shalë.u krekos Lulja e u drejtua kur pa nusen e rikthyer në derë.

Nëpërmjet këtij tregimi ai bën apel se jeta duhet jetuar si në fshat dhe në qytet bazuar në të drejtat e  individi. Nëpërmjet këtij tregimi ai tërheq vemëndjen e lexuesit duke i kushtuar vemëndje jetës shoqërore të trevës së vet, por këto fenomene ndeshen në mbarë shoqërinë tonë si në qytet dhe në fshat.

Në tregimin “Vajza që la pas”, nëpërmjet satirës ironizon emigrantët dhe atë shtresë të popullësisë që për përfitime monetare harrojnë normat shoqërore. 

Tregimet janë copëza të gjalla jete me tematikë tronditëse dhe me një larmi personazhesh të besueshëm dhe të marra nga vet realiteti ku i hasim hera herës në jetën e përditshme.

Në tregimin “Unë dhe kali kërr” Andoni na sjell të gjallë jetën në fshat. Si një rrëfimtar i mirëfilltë përshkruan dhe godet me penën e tij të mprehtë fenomenet e tradhëtisë bashkëshortore.

Unë, sërish tring-tring zilkën mbi qafën e kërritr. Pastaj u duk turiri i Kozetës , që mbshteti hundën në xham dhe u përpoq të shuante jashtë në rrugë.

Qeshja më zë nga trembja që kishte pësuar Kolja. La kurumin e ngrohtë të Kozetës e drejt e me prapanicat e zbathura në dëborën e akullt…

Andoni nëpërmjet tregimeve të tij të stilizuara mbi bazën e gurrës popullore tërheq vëmendjen e lexuesit me një atmosferë me supriza të panumërta duke i kushtuar vëmendje jetës shoqërore në trevën e tij. Ai i përshkruan ngjarjet me vërtetësi, ashtu sikundër i ka përjetuar.

Në tregimin “Kur lulet çelin në dimër”  autori theksin e vendos se, edhe ndjenjat kanë kufi dhe nuk duhet abuzuar me to.

Në tregimet “Nata e parë në Amerikë” dhe “Për dy vjet” Andoni shpreh dhe rrëfen emocionet e familjes që ka lënë Tiranën dhe emigron në Amerikë, por zhgënjehet që ditën e parë të mbërritjes atje.

Gërshetimi i ngjarjeve dhe problematikave të shoqërisë shqiptare trajtohen në librin “Fryma e bardhë” të shkrimtarit Andon Andoni me një diapazon të gjerë përjetimesh të larmishme. Sensi i dy tregimeve vihet të zhgënjimi i shumë familjeve shqiptare të cilat emigruan në amerikë.

Marrëzitë nuk kanë fund… deri në çmendim!.

-Harroje shtëpinë në Tiranë, këtu prej dërrase i ke! – i that i shoqi sikur t’i kishte lexuar mendjen.

“Tema e emigracionit nuk është e re për letërsinë… Është vet letërsia që ka aftësinë dhe sensibilitetin e reagimit edekuat artistik”, –  shkruan profesor Gëzim Tushe në parathënien e romanit “Drithërima e yjeve” të shkrimtarit të njohur Viron Kona.

Në tregimin “Guri në mes të lumit” Andoni përshkruan botën e brendshme të fëmijve. Një gjë e tillë nuk është e lehtë kur nuk e ke prekur dhe përjetuar vet, por ai me bagazhin dhe kulturën artistike letrare që zotëron, rrëfen ndodhi dhe ngjarje dhe të krijon përshtypjen se gjendet edhe vet midis tyre.

Në tregimin “Dimër për burra” autori sjell para lexuesit një tregim shumë tërheqës që flet për besën dhe nderin. Në tregimin “Ditë e bukur të shënmërisë” autori lëndën e parë e merr nga ngjarje që jo në pak raste njerëz të paformuar janë të prirur të përfitojnë në kurriz të shoqërisë duke u sjell fatkeqësi.

-Miçkë, more edepsëz, o i paudhë, ktheu këtu! Por Miçka ishte bërë erë!

Tregimet “Fryma e bardhë”, “Aeroplanët”, “Piramida”, “Kaçka”, “Maçoku i zi”, “Bukë e grynjtë dhe lot”, “A thua ishte lojë”, “E puthura”  të krijojnë përshtypjen se autori gjendet midis tyre, është pjesë e tyre dhe vepron bashkë me ta.

Tregimet janë jeta e vërtetë e trevës ku shkrimtari është lindur rritur dhe ka kaluar fëmijërinë bashkë me moshatarët e tij dhe këto copëza i sjell të gjalla në tregimet e tij të bukura të shkruara me gjuhën e trevës së vet. Si besnik i dokeve, zakoneve dhe traditës ai bëhet më i besueshëm nga lexuesi dhe të lë përshtypjen e një njeriu të ditur dhe eruditë.

Dal në përfundimin e mendimit tim personal se librin mund ta krahasojmë me një kopsht të lulëzuar ku rriten gjithë farë lloje tërndafilash erëmirë, që të joshin porsa i afrohesh kopshtit dhe të mbushin me jetë.  Urime z. Andon Andoni në botime të tjera, me tematika të bukura, që të japin kënaqësi dhe lexuesit t’i mbetet në mendje.