Një shok fakulteti kujtohet për humor.
-E mban mend kur na arrestoi patrulla e garnizonit në Vlorë? Shpëtuam kot pa na bërë kokën tullë.
-N. M. e qethën. E internuan në Karaburun!
Pati ndodhur më 1971. Bënim zborin studentor në Vlorë, dolëm pa “liridalje” në qytet. Qe muaji i fundit, me na pre flokët e quanim tmerr. Si me ardhë në Tiranë pa kaçurrelat?
Shoku im prapë:
-Kujdes mos ta lypin borxhin tashti. Të kap patrulla qeveritare!
Tej humorit:
Kryetari i qeverisë urdhëron të paguhen dritat dhe uji, asnjë shtyrje për to. Kujt nuk paguan, i pritet energjia!
I njëjti kryetar pensionistëve nuk u jep “liridalje” për asnjë arsye. Janë më të rrezikuarit.
Sipas shtypit, 35.000 pensionistë jetojnë të veçuar në Tiranë. Qeveria e dashur u thotë: në mos pagofshi dritat, do të mbeteni në terr, pa rrymë e pa ngrohje. Në dalshi me i pague, do të arrestoheni e do të gjobiteni. Hip në lis, të vrava, zbrit në tokë, të preva!
Të paktën këtyre, që s’paguajnë dot me internet, nuk mund t’u shtyhet pagesa, kaq i mjerë është ky shtet?
-Edhe në i kaptë patrulla e garnizonit qeveritar, ç’do t’u rruajë? vijon shoku i fakultetit. Pare s’kanë që s’kanë, leshrat u janë rralluar.