Nga Dr. MURTEZA OSDAUTAJ

HYRJE

Në këto kushte karantinimi, kur njeriu nuk di se ç’të bëjë me kohën e tepërt. S’ka gjë më mirë që të shkruhet për problematikat që janë me rëndësi kruciale për ekzistencën e një vendi dhe për imazhin dhe zhvillimin e tij. Sot do të shkruaj për gjendjen e hulumtimeve shkencore, një fushë në të cilën vendi ynë nuk është gjendur edhe aq mirë këto vite të pasçlirimit. Kosova dallohet me numrin me të vogël të punimeve shkencore, me numrin më ët vogël të patentave dhe numrin më të vogël të inovacioneve.  Gjithashtu Kosova dallohet edhe me cilësinë e botimeve nëpër revista shkencore, ku më shumë se 50% e tyre janë të botuara në revista pa faktor ndikimi dhe ku në rreth 40% të punimeve autori i parë i tyre nuk është nga Kosova. Në këtë aspekt edhe fakti se ne në shkolla kemi numrin më të madh të mësuesve me master në nivel Evrope, por rezultatin më të ulët, paraqet nevojën urgjente për ndërhyrje sistemore në këtë fushë.

 

BUXHETI PëR SHEKNCë DHE PROGRAMET SHKENCORE

Duke e ditur se hulumtimi shkencor, dhe aspektet e zhvillimi që janë përcjellëse të saj janë fusha të veprimtarisë që kanë ndikim direkt në zhvillimin ekonomik dhe social dhe që, gjithashtu,  ndikojnë në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor të një vendi dhe të një popullit. Ky punim ka për qëllim që, bazuar në të dhënat aktuale, të sjell para lexuesve një pamje të përgjithshme lidhur me gjendjen e hulumtimeve shkencore në vend.

 Bazuar në të dhënat e përgjithshme që posedojmë, Shteti i Kosovës, duke i përfshirë të gjitha institucionet kërkimore-shkencore të vendit dhe buxhetin e tyre, ndan rreth 5.7 milion euro në baza vjetore për shkencën dhe hulumtimin. Kjo shumë i ndahet AKSHA-s, Instituteve kërkimore-shkencore, Universiteteve dhe, një pjesë prej rreth 1200000 (nga viti 2019) euro, i ndahet si buxhet vjetor për shkencë MASHT-it dhe menaxhohet prej saj por që është ende larg asaj që parashihet me Ligjin për veprimtari kërkimore-shkencore (LVKSh) dhe mesatares rajonale por  edhe direktivave të BE-së ku parashihet që vendet e BE-së, deri më 2020 të ndajnë së paku 3% nga BPK.

Bazuar në LVKSh shteti i Kosovës do të duhej të ndante 0.7% nga buxheti vjetor i cili i shndërruar në para do të arrinte shifrën 16.1 milionë euro që do të paraqiste megjithatë shkallën më të vogël të investimeve  për hulumtim shkencor në Evropë. Duke mos e bërë një gjë të tillë, shteti i Kosovës ka treguar, për vite me radhë, se shkenca dhe zhvillimi nuk është prioritet i saj dhe këtë formë të veprimtarisë e ka lënë pas dore me qëllim. Këtu dua të cekë se Ligji për veprimtarinë shkencore ekziston që nga viti 2004 dhe si i tillë, gjatë tërë kohës, përmbante dispozitën sipas së cilës 0.7% ishte një shifër e pandryshuar edhe në versionet e mëtutjeshme të ligjit porse asnjëherë nuk është diskutuar ndarja e një buxheti të tillë. 

Për më shumë, Kosova deri në vitin 2010, asnjëherë nuk ka ndarë buxhet për shkencë ndërsa që në këtë vit, në fund të shtatorit, kur kjo shumë nuk mund të shpenzohej për shkak të ligjit të financave publike dhe procedurave të prokurimit të cilat nuk mund të kryheshin brenda një afati tremujor. 

Viteve të më pasme shteti i Kosovës ndau një shumë simbolike për shkencën e cila asnjëherë nuk ishte më e lartë se 540 000 euro dhe me të cilën duhej të mbuloheshin të gjitha shpenzimet e vendit (MAShT) për shkencën. Kjo shumë mbeti e njëjta deri në vitin 2019 kur shteti ndau 1.2 milionë por për shkak të problemeve administrative që krijoi ministri Bytyqi, asnjë pjesë e kësaj shume nuk u shfrytëzua për shkencën dhe rreth 85% e shumës së përmendur kaloi në suficit.

Pët ta pasur një figurë më komplete të infrastrukturës administrative dhe instiutcionale të Kosovës në lidhje me Hulumtimin shkencor po i sjellim disa nga të dhëna më themelore lidhur me këtë aspekt:

    Investimet në shkencë sipas BPK (%)

Bazuar në të dhënat që kemi Kosova shpenzon o.o1% nga  GDP për hulumtim dhe inovacion dhe e tërë shuma është nga buxheti shtetëror. Kjo është masa më e vogël në Evropë që një shtet ndanë për hulumtime shkencore dhe është edhe shuma më e vogël edhe në mes të vendeve të Ballkanit. Për ta pasqyruar këtë të dhënë po e sjellim një tabelë ku shihen investimet e vendeve të Ballkanit sipas përqindjes së BPK.

Siç shihet, me keqardhje, edhe pse i tërë Ballkani, përpos Sllovenisë, nuk është as afër direktivave të BE-së për shpenzimet në shkencë, mund të shihet se Kosova, edhe këtu është në vendin e fundit të rangimit dhe për nga shpenzimet buxhetore në shkencë.

 

Të punësuarit në shkencë në një milion banorë

Meqenëse ne regjistrimin e popullsisë , nuk janë regjistruar edhe indikatorët në fjalë të cilët e konstatojnë numrin e punësuarve në hulumtim në një milion banore, ne mund të flasim vetëm me të dhëna të cilat janë kalkuluar nga Departamenti i DSHT-së në MAShT. Sipas kalkulimit të tyre, numri i të punësuarve ne H&ZH për një milion banorë është 833.3 të punësuar në këtë sektor.

 

Aplikimet në Programin kornizë Horizon2020

Kosova ka katër institucione kërkimore-shkencore dhe entitete joshkencore të inkuadruara si partnere në projektet e Horizon 2020. Pozita e Kosovës brenda kësaj kornize nuk lejon qe Institucionet kosovare të jenë bartëse apo te aplikojnë si partner i parë i konzorciumit. Megjithatë, edhe në këtë program kornizë, Kosova nuk mund të lavdërohet për ndonjë pjesëmarrje të suksesshme dhe sidomos për cilësinë e projekteve në të cilat marrin pjesë dhe statusin e institucioneve kosovare brenda projekteve. Nga të dhënat statistikore që mund të gjinden në faqen e BE-së, mund të shohim se Kosova ka marrë pjesë në 73 aplikime në projekte prej të cilave 62 aplikacione kanë qenë të pasuksesshme dhe vetëm 11 të suksesshme (duhet të cekim se kur themi të suksesshme nuk mendojmë në projektet fituese por vetëm për projektet që i kanë plotësuar kriteret për aplikim). Edhe në këtë fushë del se Kosova qëndron tepër më poshtë se vendet e Ballkanit perëndimor. Për të mos e komentuar më gjatë këto të dhëna, po e paraqesim një tabelë ku shihen aplikimet e suksesshme dhe të pasuksesshme të të gjitha vendeve të Ballkanit që nuk janë pjesë e BE-së:

 

Patentat

Nga të dhënat tona që vijnë nga MTI-a ne kemi 18 patenta të aprovuara nga zyra e patentave në MTI ndërsa asnjë në zyrat evropiane të patentave. Gjithsej kemi një patent të njohur nga zyra e patentave e SHBA-së por i cili, për shkak të problemeve administrative atje, është dashur të regjistrohet si patentë që vjen nga Serbia. Patenti i njohur në SHBA nuk është bërë nga një punëtor shkencor por nga një teknik i thjeshtë i vetëpunësuar.

 

INFRASTRUKTURa LABORATORIKE PËR H&ZH DHE INOVACION (RDI)

Laboratorët

Infrastruktura e vetme shkencore e vendit për punën kërkimore-shkencore të institucioneve tona shkencore janë laboratorët e institucioneve kërkimore-shkencore dhe laboratorët e instituteve dhe institucioneve të tjera jo shkencore. Aktualisht në Kosovë ekzistojnë 25 laboratorë të cilët mesatarisht janë ta pajisura mirë për punën kërkimore shkencore edhe pse, në disa të tillë, mungesa e kiteve është një problem kronik. MAShT, sidomos për laboratorët biokimikë, deri në vitin 2018, zakonisht ka investuar në blerjen e kiteve dhe materialit të nevojshëm për kryerjen e eksperimenteve laboratorike.

 

Inkubatorët she startapët

Në universitetet e vendit nuk janë shënuar aktiviteteve të cilat kanë përfunduar për themelimin inkubatorëve, startapëve etj. Edhe pse disa prej tyre kanë përfituar jashtëzakonisht shumë nga fondet dhe donacionet. Ndoshta kjo nuk është bërë edhe për shkakun se deri në vitin 2019 ka munguar një bazë ligjore e cila do t’i përcaktonte kushte juridike e të tjera për themelimin dhe zhvillimin e aktiviteteve të tilla. Nga 2018 Kosova ka ligjit për Inovacione dhe transfer të dije dhe teknologjisë i cili i përcakton në mënyrë të mirë kushtet juridike dhe teknike për krijimin e institucioneve të tilla. (për ligjin do të flasim më poshtë). Në sektorin privat mund të veçohet STIK i cili ka përfituar shumë donacione, sidomos nga Norvegjia, dhe ka vvepruar si startap për rreth 30 ndërmarrje të vogla në fushën e IT por që nuk mund të konsiderohen aktivitete të lidhura me hulumtimin.

Ndihma për inovacionet

MASHT deri në vitin 2017 ishte bartësi i vetëm i zhvillimi të politikave të inovacionit në vend. Ajo, për disa vite, ka ofruar një ndihmë specifike për ndërmarrjet e Vogla e të M (NVM). MAShT ka ofruar për këto ndërmarrje ‘voucher’ të inovacioneve me qëllim të ndihmës që NVM të arrijnë të dali në treg me prodhime inovative apo të krijojnë infrastrukturë inovative që ndihmon zhvillimin e tyre. Përvojat e MAShT tregojnë se NVM nuk kanë interesim për thithjen e këtyre ndihmave ndërsa që ne vouqerët e ministrive të tjera janë shënuar interesime më të larta, por të cilat nuk kishin fokus inovacionin. Nuk kam të dhëna se deri në ç’masë Ministria e inovacionit iu ka ndihmuar ndërmarrjeve dhe institucioneve shkencore në këtë aspekt, por mund të them se për rrethanat e Kosovës, buxheti i MIN-it ishte konsiderueshëm.

Sa i përket Inovacionit, duhet të ceket se qasja e MASHT  ndaj inovacionit fokusohet te aspekti i inovacionit si rezultat i hulumtimit shkencor ndërsa që nuk fokusohet në impaktin e e tij në zhvillimin ekonomik apo në komercializm..

 

STIMUJT PËR  PËR HULUMTIM DHE ZHVILLIM DHE BAZA LIGJORE PER INOVACIONE

MAShT dhe qeveria deri në vitin 2018 financonin veprimtarinë shkencore në vend me një shumë vjetore prej 540000 eurosh. Gjatë këtyre vjetëve, pra në periudhën 2010-2018 MAShT ka financuar 82 projekte të vogla shkencore, ka financuar 332 botime dhe publikime shkencore, i ka mbuluar financiarisht 708 mobilitete të shkencëtarëve dhe ka financuar doktorantët kosovare që studiojnë në 500 universitetet më të mira të botës me 218 bursa vjetore. Po kështu, MAShT ka ndarë shuma te konsiderueshme mjetesh për NVM-të për t’i ndihmuar ato në aktivitetet e tyre inovative.

Në përgjithësi ende Nuk ka grante shtetërore që për qëllime H&ZH iu ofrohen ndërmarrjeve specifikisht. Gjithashtu nuk ka ndërmarrje shtetërore apo private që, deri tash, janë identifikuar si institucione kërkimore-shkencore apo që, për qëllime industrtiale dhe ekonomike, merren me hulumtime shkencore. 

Deri tash  shteti nuk ka paraparë apo implementuar lehtësime fiskale për këtë veprimtari. Dikur, deri me ardhjen e ministrit Bytyqi në pushtet ne kishim në plan hartimin e një ligji për financimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore, por ai, me stafin e tij, me ndërmarrjen e masave bllokuese, për afro dy vjet, e ndaloi këtë aktivitet edhe pse në MSA ekzistonte si veprim. Ky ligj, po të hartohej dhe të miratohej, do të duhej t’i vendoste lehtësirat e mundshme në bazë të dokumenteve dhe direktivave evropiane dhe të krijonte lehtësira të të gjitha llojeve në favor të zhvillimit shkencor-teknologjik të vendit. 

Ligji për Inovacione dhe transfer të dijes dhe teknologjisë

Ky ligj është miratuar në kuvend në vitin 2018 mirëpo ende nuk ka nisur implementimi i tij ngase ende nuk ka asnjë akt nënligjor që e rregullon fushën  e inovacionit dhe transferit të teknologjisë dhe dijes.Duke e marrë parasysh që ligji ekziston, institucionet shkencore dhe industria por edhe komuniteti shkencor dhe biznesor kanë për detyrë që të bëjnë përgatitjen e kuadrove, përshtatjen e veprimtarisë inovative të ndërmarrjeve dhe rritjen e konkurrencës dhe zhvillimit ekonomik dhe social, bazuar në LITDT

Sa për informacionin e lexuesve dua të theksoj se ligji fokusohet në një numër aspektesh të cilat mendohet të rregullohen dhe të sistemohen:

  1. Veprimtaria dhe bartësit e inovacionit dhe TT e dijes si dhe regjistrimi i tyre
  2. Obligimet e MAShT dhe ministrive tjera të linjës
  3. Formimi i Këshillit kombëtar të Inovacioneve
  4. Institucionet mbështetëse inovative
  5. Parqet shkencore dhe industriale dhe ndërmarrjet me këtë status
  6. Inovacionet e lejuara dhe inovacionet me vlerë kombëtare që nuk lejohet të publikohen.
  7. Transferi i teknologjisë dhe dijes dhe kompetencat dhe obligimet e MAShT dhe të institucioneve kërkimore-shkencore dhe të shtetit.
  8. E drejta për transfer të teknologjisë dhe ndalesat në këtë fushë
  9. Institucionet bartëse të TT e dijes
  10. Parqet teknologjike dhe kompetencat e tyre
  11. Qendrat e TT dhe dijes.
  12. Organet kombëtare të kësaj fushe.
  13. Marrëdhëniet ndërkombëtare në këto dy sektore me rëndësi.

 

PUNIMET SHKENCORE

Nga ç’mund të keni parë në pjesën e epërme te shkrimit tim, mund të konstatojmë se prodhimi i vetëm i punëtorëve shkencorë të vendit dhe e institucioneve shkencore të vendit është botimi i punimeve shkencore. Në bazë të kushteve që kanë që parashtruar, sidomos, universitetet, kërkesa e vetme ndaj stafit shkencor mësimor në to është botimi i punimeve shkencore në revista të jashtme derisa kjo gjë ndryshon në institutet shkencore ku kërkesa themelore është botimi i monografive shkencore. Në vitin 2018 MAShT ka miratuar një UA në shërbim të universiteteve ku përcaktohen kriteret dhe kushtet se në cilat revista shkencore dhe në cilat platforma shkencore pranohen botimet e punimeve shkencore. Edhe pse janë krijuar shumë kushte të favorshme për botimin e punimeve shkencore nga MAShT duke e bërë financimin e plotë të botimit të tyre, megjithatë Kosova, pra, mbetet ende vendi me më pak punime shkencore qoftë në proporcion me popullsinë qoftë në proporcion me numrin e punëtorëve shkencorë të vendit. Më poshtë do të sjellim një kronologji të botimeve shkencore në vend dhe, më pastaj do të sjellin një analizë të cilësisë së këtyre botimeve.

Siç shihet nga grafiku i sjell më lartë, mund të konstatojmë se për njëzet vjet shkencëtarët kosovarë kanë botuar në revista e jashtme gjithsej 1829 punime shkencore. Në këtë numës nuk hyjnë punimet shkencore që janë botuar në revistat vendore dhe nuk llogariten monografitë e botuara prej institucioneve kërkimore shkencore të vendit.

Por çka mund të thuhet në lidhje me këto punime të cilat janë botuar në revistat ndërkombëtare? Në të shumtën e rasteve punimet nuk janë rezultat i punës shkencore të stafit akademik për qëllime hulumtimi por janë thjeshte punime shkencore të shkruara për qëllime të ngritjes në karrierë sipas rregullave të Universiteteve vendore. Kjo ka bërë që një numës jo i vogël i stafit akademik, të botojnë punime në revista te pa verifikuara për vlerën e tyre shkencore dhe shpesh të botojnë punime apo të mbajnë bashkautorësi në punime të cilat nuk janë të fushës së tyre. Sapesh botimet janë bërë edhe në revista të ashtuquajtura fantome. Sipas ORCA-s del se rreth 55% të profesorëve të Universiteteve tona, së paku njëherë kanë botuar në këto revista, ndërsa që rreth 33% nga të tjerët kanë botuar së paku njëherë në të njëjtat revista. Në punim nuk dua të flas për fenomenin e botimit të punimeve të njejta me titull të ndryshëm apo me autorë të tjerë ngase është një fenomen shumë i shprehur, sidomos te stafi universitar.

Megjithatë për t’i ikur fenomenit që njeriu mund të jetë i njëanshëm, ne nuk do të bazohemi në ORCA-n, por do të bazohemi në një studim të New York Medical College të bërë kohëve të fundit. Sipas këtij punimi Kosova bën pjesë në dhjete vendet me të dobëta në botë për nga punimet  dhe prodhimtaria shkencore në botë. Po kështu, njësoj është edhe rangimi i Kosovës në Ballkan, Sipas këtij punimi vendet e Ballkanit dallohen për nga numri i punimeve edhe në aspektin sasior edhe në aspektin cilësor. Kështu për periudhën 1998-2019, Kroacia është e para me rreth 26000 punime shkencore, Serbia është menjëherë pas saj me 23000 

punime, B&H, Maqedonia dhe Mali i Zi me nga 4000 punime, Shqipëria me 1550 dhe në fund Kosova me 1340 punime. Meqenëse studimi, në rastin e Kosovës, analizonte vetëm punimet e botuara në fushën e shkencave bio-medicionale, pra nga Biologjia, Bujqësia, veterinaria, ambienti, mjekësia etj., del se 84% të punimeve shkencore të të gjitha këtyre fushave janë botuar në revista që kanë faktor ndikimi 0 ose më të vogël se një. E dhëna tjetër, që është edhe më skandaloze, është se 46% të punimeve për të cilat po flasim (numrin total të tyre) autorin e parë e kanë jokosovar  që, në secilën situatë, përveçse nëse janë kryer brenda institucioneve kosovare, nuk mund të konsiderohen prodhim kosovar shkencor. Po te duam ta kalkulojmë sipas përqindjeve të përmendura për numrin e punimeve në vend atëherë do të përfitojmë këto të dhëna: 1586 punime janë botuar në revista që kanë faktor ndikimi 0 ose nën një ndërsa që 293 punime janë botuar në revista që kanë IF më shumë se një. Po ashtu nëse nga numri i përgjithshëm i punimeve 46% prej tyre nuk kanë autor të parë një kosovar del se 841 punime të botuara janë me autor të parë të huaj ndërsa që 988 punime kanë autor të parë një kosovar. Dua të ceki se janë shumë profesorë dhe studiues kosovarë nga shkencat mejkësore, biologjike, teknike humane etj. të cilët botimet e tyre i kanë të nivelit evropian dhe, si të tillë duhet ta gëzojnë respektin e të gjithë neve. Propozoj që shteti t’i identifikojë të tillët dhe atyre t’ua lë në dorë shumë procese zhvillimore të shekncës në Kosovë.

Tezat e doktoratave dhe të masterit

Është fakt i njohur në Kosovë, por edhe në rajon, që studimet e doktoratës dhe, sidomos të masterit, karakterizohen me një qasje e cila nuk bazohet në cilësinë dhe në krijimin e dijeve të reja, bile këto studime shpesh nuk e kanë fokus as përsosjen profesionale. Pjesa më e madhe e doktorantëve kosovarë studimet e tyre i kryejnë në universitete që nuk dallohen për cilësi dhe për standarde, bile, shpesh në universitete që njihen për aktivitete e tyre kriminale në këtë fushë. Këtu duhet cekur vetëm Universitetin Evropian të Tiranës i cili për tre vjet pat prodhuar mëse 280 doktorë shkencash, shumica e tyre nga Kosova të cilët, tashmë, janë instaluar në Universitete publike apo në kolegjet private. Në anën tjetër, edhe në rastet kur nuk ndodh një gjë e tillë, tezat e doktoratës dhe sidomos ato të masterit nuk kanë për qëllim krijimin e njohurive dhe të dijeve të reja, por thjeshtë janë përshkrime të dijeve që tashmë janë të njohura dhe të konsumuara. Derisa Universiteti i Prishtinës, studimet e doktoratës i ka bukur të konsoliduara, studimet e masterit lënë shumë për të dëshiruar. Vlen të cekim se, sipas PISA-s 2018, edhe pse Kosova, në aspektin a kualifikimit, ka proporcionin më të madh të mësuesve me master në rang Evrope, megjithatë në rezultatet e nxënësve mbetet vendi i fundit në Evropë. Gjithashtu, hapja e universiteteve të shumta në Kosovë, publike dhe private, ka bërë që studentët e diplomuar të universiteteve të ndryshme të diplomojnë me tezat e mbrojtura tashme në ndonjë universitetet tjetër. Në këtë punim nuk dua të ndalem në gjërat që thuhen në publik por konsideroj se shteti i Kosovës dhe, sidomos Shqipëria, duhet ta disiplinojnë në maksimum problemin e studimeve të doktoratës në mënyrë që ky nivel i studimeve të mos bëhet mjet për rehatimin në universitet të militantëve partiakë, por të shndërrohet në një mes akademik ku prodhohet shkencë dhe përsosje profesionale. Në këtë aspekt nuk është i mjaftueshëm vetëm impenjimi i universiteteve por duhet, domosdo, edhe angazhimi shumë serioz i shtetit në krijimin e politikave të cilat i ndërpresin trendet negative që po zhvillohen në botën tonë akademike shqiptare.

 

PËREFUNDIME DHE KONKLUZIONE

Siç a pamë nga të dhënat që sollëm mëlartë mund të konstatojmë se gjendja e hulumtimeve shkencore në Kosovë nuk është ashtu siç do të duhej të jetë. Bile kjo gjendje nuk po shënon përmirësime të cilat do të ndihmonin që vendi ta kalonte damkën e vendit më të prapambetur apo vendin e fundit në ranglistën botërore dhe evropiane, qoftë në aspektin e investimeve shkencore, qoftë në prodhimin shkencor dhe në ndikimin e përgjithshëm në zhvillim.

Vendi duhet të krijojë kërkesa dhe të krijojë kushte për një veprimtari të mirëfillt shkencore. Është treguar se komuniteti shkencor i vendit nuk është i interesuar në zhvillimin shkencor sa është i interesuar në mirëqenien ekonomike të tyre të tyre. Pjesëmarrja në projekte ndërkombëtare është tepër e vogël dhe, thuaja përherë më një status të partnerit të tretë që shkencëtarëve tonë nuk iu krijon premisa të udhëheqjes dhe mbiqkyrjes së projekteve shkencore. Insistimi i Universiteteve që vlerësimi i punëtorëve shkencorë vetëm me anë të punimeve ka bërë që i tërë stafi akademik të vrapojë pas botimit të punimeve shkencore të cilat dallohen me vlera të pakta shkencore, shpesh përshkruese, të cilat, siç u pa, në të shumtën, botohen në revista me ndikim fare të vogël. Universiteteve iu mungojnë politikat tjera të vlerësimit të punës akademike të cilat aplikohen edhe në vende të tjera (p.sh. vlerësimi i udhëheqjes së projekteve, përfitimi i donacioneve, krijimi i bashkëpunimeve shkencore e akademike, rrjetëzimi i institucioneve etj. etj.) 

Shteti, gjithsesi duhet të krijojë premisa për një punë kërkimore-shkencore duke i ndalur trendët negative në shkencë dhe sidomos duke krijuar bazë për studime cilësore në të gjitha nivelet. Kujdesi duhet shtuar, sidomos në studimet e masterit dhe të doktoratës, të cilat, shpesh janë formale dhe, të cilat, shpesh, kanë qëllim që përfituesit të instalohen në universitete e kolegje duke ndikuar në vazhdimin e ciklit negativ të cilësisë.

Dua të ceki këtu faktin e testit PISA 2018 i cili e zbulon këtë zingjirë përmbytës që po vazhdon në Kosovë. Sipas këtij testi Kosova ka proporcionin më të madh të mësuesve me masrter në nivel Evrope dhe pra se prap është vendi i fundit për të arriturat mësimore në shkollë. Nuk dua ta zgjas më shumë këtë analizë por dua të deklaroj se këta mësues me kualifikime të larta janë prodhim i doktorantëve dhe profesorëve të cilët këto njëzet vjet janë prodhuar në mënyrë industriale nëpër universitetet e vendit dhe të rajonit dhe të cilët kanë dëmtuar shumë reputacionin dhe mundësitë e zhvillimit të shkencës në vend. Sigurisht kontribuuesi më i madh në këtë prapambetje është shteti i cili nuk ka krijuar politika e kritere të nevojshme dhe s’ka ofruar investime në këtë fushë.