Me shumë dhimbje mora lajmin për vdekjen e rapsodit të mirënjohur Riza Dacaj, i cili gjatë tërë jetës së tij këndoi këngë për popullin shqiptar dhe shqiptarizmin. Ai u këndoi trimave dhe dëshmorëve të kombit që ranë në beteja të ndryshme kundër armiqve dhe zaptuesve të territoreve tona, u këndoi patriotëve të njohur që përmes pushkës dhe pendës, mbajtën gjallë ndjenjën e pashuar për liri të Shqipërisë, të Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare.

Riza Dacajn pata fat ta njoh për 40 vjet.
Ai e donte këngën, sepse edhe babai i tij ishte rapsod. Shumëçka kishte trashëguar nga rrënjët e familjes së tij: ndershmërinë, bujarinë, dashurinë ndaj atdheut dhe popullit shqiptar. Ai vetë ishte një njeri i urtë, i dashur, shumë njerëzor dhe shumë i shoqërueshëm.
Nga këngët e tij të vjetra kam mësuar shumë nga historia e popullit shqiptar, kam mësuar vuajtjet dhe luftërat që i kanë bërë shqiptarët për liri. Ai, u këndoi me shumë ndjenja figurave më të ndritshme të kombit, duke mos harruar asnjëherë dashurinë ndaj atdheut.
Një pjesë të jetës e kaloi në SHBA dhe nga ky vend, me këngën e tij hiqte mallin e atdheut, të vendlindjes së tij Irzniqit të Deçanit dhe të Kosovës.
Me vdekjen e Riza Dacit folklori ynë humbi një rapsod të njohur, i cili ishte shembull për këngët e vjetra historike, kurse familja më të dashurin e tyre.
Në emrin tim dhe të familjes sime i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes dhe farefisit të tij.

Shpirti i tij u prehtë në paqe!

Harry BAJRAKTARI

New York, 2020