Duke pasur zakonin t’u vardisesh femrave, është e vështirë ta kuptosh, kur ajo kohë ka kaluar e gratë të shikojnë si një baba apo ndoshta edhe si gjysh. Është e vështirë mbi të gjitha, sepse çdo burrë i pjekur ka brenda kokës së tij një kokë tjetër: koka e jashtme ka rrudha, flokë gri, dhëmbë të brejtur, sy të mavijosur; përkundrazi, koka e brendshme i ka mbetur si atëherë kur ishte i ri, me flokë të zinj e të dendur, me fytyrë të sheshtë e sy të gjallë. Dhe është koka e brendshme që shikon me dëshirë gratë, duke menduar se është i shikuar prej tyre. Përkundrazi, gratë shohin kokën e jashtme dhe thonë: “Po ç’do, vallë ky karafil? S’e kupton që mund ta kisha gjysh?
Ta lëmë me kaq! Atë vit, salloni ku jam berber që prej gati tridhjetë vjetëve, u zmadhua: qenë ndërruar pasqyrat dhe lavamanët, qenë lyer muret e raftet dhe, së fundi, pronari vendosi të merrte edhe një manikyriste që quhej Jola. Përveç pronarit, në sallon ishim tre vetë: një djalosh rreth të njëzet e pesave, Amato, i zeshkët e serioz, që kishte qenë polic; Xhuzepja, pesë vjet më i madh se unë, i shkurtër, trupngjeshur e i shogët dhe unë. Siç ndodh gjithmonë, kur në një ambjent vetëm burrash hyn një grua, vura re shumë shpejt se që të tre e shikonim me ngulm Jolën. Pastaj, ajo ishte tamam siç thuhet, një tip i zakonshëm, prej kartoline të ilustruar: e kolme, e ndezur, me një fytyrë që binte në sy dhe flokë të zinj; si ajo ka miliona. Duhet theksuar në këtë pikë që unë, pa u mburrur, mund t’i them vetes burrë i pashëm. Jam i hajthëm, i gjatë aq sa duhet, me një fytyrë të zbehtë e nevrike; dhe gratë thonë se kam një shprehje interesante. Vërtet, sidomos kur shikoj tërthorazi, sytë e mi godasin ëmbël, plot ndjenjë, gati- gati skeptikë. Por gjënë më të mirë kam flokët: gështenjë të çelët, të hollë, të pastër, të dallgëzuar, të prerë alla Naxaret, pra të ngritur si një flakadan, me basetat e gjata që zbresin deri në gjysmë të faqes. Veç kësaj, jam elegant: jashtë sallonit, gjithmonë i veshur me korrektësi, me kravatë, çorapet e shamitë e ujdisura; në sallon me një këmishë gati më shumë prej kirurgu se sa prej parukieri, shumë të bardhë. Me këtë cilësi, nuk është për t’u çuditur që unë jam fatlum me gratë. Dhe, meqë ky fat nuk më ka zhgënjyer kurrë, kam marrë zakonin që, po më pëlqyen, t’i vështroj në njëfarë mënyre të ngulët e magjepsëse që vlen qindra komplimente. Kështu, kur, pasi t’i kem vështruar mirë e mirë, u afrohem, vë re që fruti tashmë është pjekur: nuk më mbetet veç të shtrij dorën e ta këput.
Ai që më frikësonte më shumë në sallon, përsa i përket Jolës, ishte Amato. Nuk ishte i bukur, nuk ishte interesant, por ishte i ri. Xhuzepen nuk e vija fare në hesap: më i vjetër se unë, siç e kam thënë tashmë, dhe tamam i shëmtuar, pa derman. Jola rrinte përherë e ulur në tryezën e saj të manikyrës, në një qoshe, e shushatur nga mërzia dhe palëvizshmëria, e përhumbur në leximin dhe rileximin e dy a tri gazetave të sallonit apo në rregullimin e thonjve, në pritje për t’ua ndrequr klientëve. Pothuajse kundër dëshirës sime, instinktivisht, zura ta gjuaja me vështrime. Vinte një klient dhe ulej në poltronë: unë merrja peshqirët, e shtrija me një goditje të vetme, në mënyrë elegante dhe ndërkaq, gjeja mundësinë t’i lëshoja një vështrim të gjatë. Ose laja flokët, duke fërkuar me të dy duart kokën e sapunosur dhe, sërish një shikim tjetër. Ose akoma, ushtrohesha në majën e gërshërëve mbi një ngjyrim: në çdo katër goditje gërshëre, një vështrim. Nëse pastaj lëvizte përtacisht për të marrë një hekur në raft, e ndiqja me sy në pasqyrë. Duhet thënë që Jola nuk ishte aspak e zgjuar apo lozonjare: madje kishte një shprehje të fjetur, shtinjake, e ngathët, si një dac i fryrë nga gjumi. Por me sot e me nesër, para se ta kuptonte se e shikoja; pastaj pranoi të ishte e shikuar; më në fund filloi edhe ajo të m’i shkëmbente shikimet. Pa ligësi, sepse nuk e kishte, në një mënyrë të ngathët e të rëndë, por të padyshimtë.
Mendova atëherë, siç i thonë fjalës, se dardha ishte pjekur; dhe një të shtunë e ftova të shkonim në banjat e Ostias, të dielën pasdite. Pranoi menjëherë, por duke vërejtur se nuk duhej ta kritikoja për kostumin e banjos: ishte shëndoshur dhe, i vetmi që kishte, i rrinte i ngushtë. Madje, pa ndonjë hije nazeje tha: “Jam dhjamosur pak, për shkak të qëndrimit ulur në sallon, pa bërë lëvizje”. Fjalët e një vajze pa djallëzi; edhe për këtë më pëlqente. E lamë të takoheshim të nesërmen në stacionin e San Paolos. Para se të shkoja, bëra një tualet të kujdesshëm. U rrova dhe pudrosa faqet. U kreha me një krehër të dendur për të hequr çdo dyshim zbokthi. Spërkata pakëz kokën dhe shaminë me një parfum manushaqeje. Këmishën e kisha alla robespier me grykë të hapur, xhaketën sahariane dhe pantallonat të bardha. Jola qe shumë e saktë: në dy, mes turmës së ekskursionistëve, e pashë të vinte drejt meje, e veshur krejt në të bardha, pak e shëndoshë dhe e shkurtër, por e re dhe e lakmueshme. Duke më përshëndetur, tha: “Çfarë turme…do të na takojë ta bëjmë udhëtimin në këmbë”. Si kavalier që jam, i thashë se do t’i gjeja një vend: të ma linte mua. Ndërkaq treni hyn nën strehë, turma mbi platformë ka një lëvizje paniku sikur është sulmuar nga një repart kavalerie, të gjithë bërtasin e thërrasin njëri- tjetrin, unë sulem, i ngjitem një sporteli, ngrihem mbi turmë, jam duke u ngjitur. Një djalosh zeshkan më jep një të shtyrë dhe bën të më kalojë përpara. Ia kthej të shtyrën, më tërheq për mënge, i jap një bërryl në stomak, çlirohem dhe sulem në vagon. Por kam humbur kohë me këtë harbut dhe vagoni është plot tashmë, përveç një vendi. Vrapoj drejt vendit, vrapon edhe ai; thuajse në të njëjtin çast, e kapim; për ta zënë, unë kostumin e banjos, ai xhaketën. Atëherë përballemi. I them: “Kam ardhur unë i pari”.”Kush e tha?” “E them unë,” i përgjigjem dhe i hedh xhaketën në fytyrë. Në këtë çast mbërrin Jola dhe ulet pa mëdyshje, duke thënë: “Faleminderit Luixhi”. Djaloshi mbledh xhaketën, heziton, pastaj e kupton që nuk mund ta përzërë Jolën dhe largohet duke shqiptuar me zë të lartë: “Plak budalla.”
Treni u nis thuajse menjëherë dhe mua më goditi një rrymë ajri duke qëndruar në këmbë pranë Jolës. Por tashmë kisha humbur çdo entusiazëm dhe do të doja të zbrisja e të ikja. Ato dy fjalë “plak budalla” më kishin befasuar pikërisht në çastin që nuk e prisja. Mendoja se djaloshi kishte thënë “plak budalla” me dy ndijesi të ndryshme. Fyerja qëndronte tek “budalla”; e deri këtu asgjë e keqe: kish dashur të më ofendonte, të më quante të marrë. Por “plak” nuk e kishte thënë për të më sharë. “Plak” e kishte thënë si një të vërtetë. Siç do të kishte thënë, ta zëmë, nëse në vend të të pesëdhjetave të isha gjashtëmbëdhjetë: “Kalama i marrë”. Me një fjalë, për të, si për të gjithë, përfshirë edhe Jolën, isha një plak; dhe pak rëndësi kishte se atij i dukesha budalla dhe Jolës, përkundrazi, inteligjent. Ndoshta s’do të kishte qenë aspak e nevojshme që Jola të zinte vend. Tekefundit, djaloshi do të më lëshonte pe njëlloj, për respekt moshe. Këtë e vërtetova prej njërit që po rrinte përballë Jolës, i cili kishte parë skenën dhe tha: “Djalë i keq… së paku duhej të lëshonte pe për hir të moshës”.
Ndihesha krejtësisht i ngrirë dhe i përhumbur. Dhe tasheparë çoja dorën në fytyrë gati duke kërkuar, në mungesë të një pasqyre, të kuptoja me gishta sa plak isha. Jola, natyrisht nuk e vriste mendjen fare. Në gjysmë të rrugës më tha: “Më vjen keq që mbete në këmbë”. S’munda të bëja tjetër, veç t’i përgjigjesha: “Jam plak, po, por jo aq sa të mos mund të rri një gjysmë ore në këmbë”. Gati duke shpresuar se ajo do të më përgjigjej: “Luixhi… ju i vjetër… ç’thua?” Përkundrazi, ajo torollake nuk tha asgjë; dhe kështu u binda që kisha të drejtë.
Në Ostia u zhvesh ajo e para, duke dalë, pastaj nga kabina në kostumin që po i pëlciste në trup, e bardhë, e freskët e ngjeshur dhe e re për të të tërbuar. Hyra edhe unë në kabinë dhe, gjëja e parë, shkova të vështrohesha në pasqyrën e thyer që varej në mur. Isha tamam plak: si nuk e kisha vënë re këtë gjë? Pashë me një shikim sytë e veshur e të humbur mes rrudhash, flokët plot fije të bardha, lëkurën e faqeve të fishkur dhe dhëmbët e verdhë. Këmisha alla robespiere, aq rinore, më bëri të turpërohesha: zbulonte gjithë qafën me tërë ato rrudha të flegëruara në fyt. U zhvesha e, ndërsa po përkulesha të vishja mbathjet, barku më kërceu mbi stomak e pastaj ra sërish poshtë si një thes i fryrë. “Plak i marrë”, përsërita me zemërim. Mendoja se këto ishin të papriturat e jetës: para një ore besoja se isha i ri, se mund të bëja namin me Jolën; tani, falë atyre dy fjalëve, e shihja veten të plakur, që mund të bëja vetëm babain e saj. Dhe më vinte turp prej gjithë atyre shikimeve që kishte pasur prej meje në sallon e, pastaj, që e kisha ftuar: kushedi ç’mendonte për mua, kushedi si më shihte.
E mësova më vonë se çfarë mendonte. Ndërsa, të kapur pas litarit të shpëtimit, po e linim veten të mbuloheshim nga dallgët, sepse deti ishte i trazuar dhe në çdo dallgë që na mbulonte unë mbetesha pa frymë dhe mendoja: “Mbetem pa frymë, sepse jam i vjetër”, ajo krejt e lumtur më thirri: “A e di, Luixhi, se nuk të mendoja kaq sportiv”. “Pse?” e pyeta. “Si më mendoje?” “Bah!” u përgjigj ajo, “një njeriu në moshën tuaj nuk i pëlqen më deti… këtu vijnë të rinjtë”. Në këtë çast një dallgë e lartë plot shkumë u thye sipër nesh dhe unë rashë mbi Jolën e, për t’u mbajtur, e kapa për njërin krah: i fortë, i rrumbullakët, mish vërtet i ri, që hidhej. I bërtita me gojën plot ujë të kripur: “Mund të isha yt atë”. Dhe ajo duke qeshur mes shkumës që i zjente përreth: “Baba, jo…të themi: xhaxha”. Pra dolëm prej ujit, mirëpo nga turpi dhe sikleti nuk kisha më as forcë të flisja. Më dukej se në gojë kisha një kurthë me sustë të shkrehur, që, për ta hapur, donte një lloz. Jola ecte para meje duke tërhequr mbi kofshë e mbi gjoks kostumin, i cili, i lagur, ishte bërë krejt i pahijshëm. Pastaj u hodh në rërë dhe mishi i saj ishte kaq i ngjeshur, sa rëra nuk i ngjitej dhe binte poshtë në copa të qullura. Qëndrova pranë saj, memec, i mpirë, i pazoti të lëvizja a të flisja. Ndoshta Jola, megjithëse ishte më e pandjeshme se një rinoceront, e kuptoi gjendjen time të dobët, sepse papritur më pyeti nëse ndihesha pak mirë. I thashë: “Po mendoja për ju. Kë pëlqen në sallon? Amaton, Xhuzepen apo mua?” Ajo, e përpiktë, m’u përgjigj, pasi u mendua pak: “Ua, ju jeni simpatikë që të tre”. Ngula këmbë: “Por Amato është i ri”. “Po” u përgjigj ajo, “është i ri”. “Besoj se është dashuruar pas jush”, e mora fjalën pas një çasti. Ajo u përgjigj: “Vërtet? Nuk e kisha vënë re një gjë të tillë”. Pra ishte e hutuar, si e merakosur. Në fund tha: “Luixhi, më ka gjetur një hall: më është shqepur kostumi prapa… ma jep peshqirin të shkoj të vishem”. Të them të drejtën qeshë i kënaqur nga ajo shqepje. I dhashë peshqirin, ajo u kthye ijazi dhe vrapoi në kabinë. Gjysmë ore më vonë ishim në tren në një vagon të zbrazur. Unë kisha tërhequr jakën e këmishës alla robespiere mbi qafë dhe mendoja se tashmë për mua kishte mbaruar dhe isha një plak.
Atë ditë u betova se nuk do ta vështroja kurrë më Jolën e asnjë grua tjetër; dhe ashtu bëra. M’u duk se ajo ishte pak e çuditur dhe nganjëherë m’i ngulte sytë me një shprehje qortuese, por mbase ishte një përshtypje. Kaloi një muaj, gjatë të cilit kisha folur katër pesë herë me të me po ose me jo. Ndërkaq, ajo kishte zënë miqësi të veçantë me Xhuzepen, por që e trajtonte tamam si një baba, pa asnjë hije joshjeje, pa të keq dhe me seriozitet. Unë ndihesha më i vjetër se kurrë, qethja flokë, rruaja mjekra, merrja bakshishe e nuk bëzaja. Por një nga ato ditë, në të mbyllur, ndërsa po hiqja këmishën në kthinën e rrobave, pronari, një goxha burrë, njoftoi: “Sonte, nëse nuk jeni të zënë, do të darkojmë së bashku… qeras unë… Jola është fejuar me Xhuzepen”. Nxora kokën: Jola buzëqeshte në qoshen e saj, në tryezën e manikyrës; Xhuzepja buzëqeshte nga ana tjetër, duke pastruar një brisk. Befas ndjeva një lehtësim tepër të madh: Xhuzepja ishte më i vjetër se unë, Xhuzepja ishte i shëmtuar, e megjithatë Jola kishte pëlqyer Xhuzepen dhe jo Amaton. Vrapova me duar të shtrira tek Xhuzepja, duke thirrur: “Përgëzime, përgëzime të forta”, pastaj përqafova Jolën dhe e putha në të dyja faqet. Pra në sallon, më i lumturi nga të tre isha unë.
Të nesërmen ishte e diel dhe pasdite dola shëtitje. Vura re, duke bredhur, se po filloja sërish t’i vështroja gratë, si në të kaluarën, një për një, para e mbrapa.
Përktheu; Zija VUKAJ, Shkoder