Po ta përmblidhnim në një thënie popullore, humori në kohë karantine “ësht’ ilaç e ësht’ shërim”. Vetëm se si çdo ilaç ka edhe efekte anësore, mund të bëjë mirë për hallin që të ka zënë, por të të dëmtojë në gjëra të tjera.

Dhe humori anonim, sidomos humori i njerëzve të ngeshëm, por thellë-thellë të frustruar e të tutur, preston shumë për efekte anësore si përqeshja dhe përçmimi i tjetrit, dukuri këto që gjatë kësaj pandemie po shfaqen kryesisht në trajta seksizmi e ksenofobie.

Po qarkullojnë jo pak meme, batuta, barcaleta etj. që vënë në lojë gratë. Dhe kjo e ka një arsye racionale. Më njerën anë mbyllja në shtëpi vetëm me gruan e fëmijët, më anë tjetër mungesa fizike e ‘antagonistit’ të përditshëm si shefi, konkurrenti, fqinji etj. bëjnë që agresiviteti i humorit maskilist të derdhet mbi gruan.

Kësaj arsyeje rrethanore i shtohet edhe fakti që në arsenalet e humorit gojor ka shumë krijime që qeshin, përqeshin e përçmojnë gruan, jo gruan në tërësi dmth në gjithe rolet sociale të saj, por gruan si bashkëshorte. Siç është logjike mungojnë thuajse tërësisht nënqeshjet, përqeshjet a stigmatizimet për nënën.

Nuk ka gjë të keqe pse bëhet humor me gruan/bashkëshorten, janë të panumërta edhe rastet kur qeshet e përqeshet burri si njeri i lidhur fortë me kafenenë, stadiumin, shoqërinë dhe distant me familjen. Problemi fillon kur humori me gratë merr ngjyra të theksuara seksiste, e paraqet gruan jo si qënie humane, por si qenie inferiore, si përfaqësuese të seksit të dobët, si pasardhëse të Evës, aleate të satanait, leshgjatë e mëndjeshkurtër etj. etj.

Mentaliteti që ushqen këtë lloj krijimtarie i shërben vazhdimit të patriarkatit, ruajtjes së pushtetit të burrit, por thellë-thellë e përgjithësisht në mënyrë të pavetëdijshme nuk shpreh fuqinë dhe supremacinë e burrit, përkundrazi fsheh frikëra dhe frustrime maskiliste.

* * *

Afërsisht të njëjtën fizionomi kanë edhe një mori batutash, memesh, barcaletash që përqeshin kinezët, jo si qenie humane dmth si të përngjajshmit tanë, por si perfaqësues të një qytetërimi demode dhe të një race inferiore. Ky mentalitet që ka ekzistuar tradicionalisht dhe njihet me emrin sinofobia, merr trajta agresive në kushtet e pandemisë, kur bëhet shumë më aktiv një mekanizëm psikologjik vetëmbrojtës.

Në situata rreziku e frike njeriut i duhet që, për t’i dhenë kurajo vetes të identifikohet fort me grupin, etninë, racën, qytetërimin ku bën pjesë, të qëmtojë dhe ekzagjerojë vlerat e këtij grupi, por edhe të nxijë e pështyjë mbi të tjerët, jo se janë vërtetë inferiorë, të prapambetur, të pistë etj., por sepse kontrasti imagjinar rrit vlerat e grupit tënd dhe, rrjedhimisht edhe të tuat e të ndihmon keshtu të gjesh forcë për t’u përballur me rreziqet e shtuara të pandemisë.

Kjo frymë ksenofobe e raciste që buron thuajse natyrshëm nga psikologjia e individit dhe e grupit, vjen e rritet dhe mund të bëhet e rrezikshme në kushtet kur thuajse të gjitha vendet po mbyllin kufijtë, po kufizojnë rëndshëm shkëmbimin e njerëzve dhe të mallrave, duke nxitur dashje padashje veçimin dhe nacionalizmin.

Historia e pandemive në shekuj dëshmon se periudha të tilla gjenerojnë armiqësi virulente e shpesh edhe absurde. Murtaja e Zezë e mesit të shekullit të 14-të, psh, mbahet si më vdekjeprurësja, por njëkohësisht kujtohet edhe për shpërthime histerike e shtazarake kundër hebrenjve, lebrozëve, lypësve, madje edhe kundër maceve e qenve.

Në fakt seksizmi dhe ksenofobia kanë qenë e do të jenë rreth nesh edhe pa ndihmën e humorit dhe të pandemisë. Problemi është se këto -izma, kur përcillen nga humori, bëhen shumë më të fuqishme ngaqë batutat, memet, barcaletat etj. i paraqesin si shaka, si gjëra për të qeshur dhe jo si plagë që infektohen e mahisen fare lehtë.

Kush bën humor seksist, ksenofobik a racist diskriminon tjetrin nëpërmjet qeshjes e përqeshjes, për të demonstruar superioritetin e vet, superioritet që i ka rrënjët në komplekse inferioriteti. Këto e të tjera kusure si këto kanë qenë arsyet pse mendje të mëdha të njerëzimit, duke nisur nga Platoni e duke ardhur tek Frojdi e kanë parë me skepticizëm rolin pozitiv të humorit.

Në anët tona gjasat që humori të përdoret për të diskriminuar e denigruar tjetrin janë edhe më të mëdha. Jetojmë në Ballkan, një rajon ku, siç thoshte Kazanzaqi, çdo fshat ka të çmendurin e vet, edhe po nuk e pati, e bën. Natyrisht duke tallur e përbuzur më të dobëtin, thjesht për t’u engledisur. ( Fund, fillimi shih tri postimet e fundit)

( Nga cikli ‘Meditime në kohë pandemie’ )