Malësia e Gjakovës më 27 prill 2019 e përjetoi dhimbjen e ndarjes nga jeta në moshë 83 vjeçare (i datëlindjes,1936) të historianit, artistit, kulturologut, mësuesit e veprimtarit Muhamet Brahim Seci nga Markajt, për të cilin nga Durrësi, Fasli Kuliçi-Çekaj, shprehet në ngushëllimin e tij se: “ky shok e mik i mirë i të gjithëve…ishte një shembull i shkëlqyer se si duhet vlerësue jeta në vijimësinë e saj” . Sivjet, në këtë prill, kemi 1 vjetorin.
Muhamet Seci shkollimet e para i kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin e, pas kryerjes së shërbimit ushtarak, edhe Institutin e Lartë Pedagogjik, te dy nivelet arsimore, në qytetin e Shkodrës, djepin e dijes e të kulturës së Veriut Shqiptar.
Muhamet Seci shërbeu mësues në shkollat Cerrnicë, Margegaj e Markaj duke dhënë shembull si mësimdhënës e në luftën kundër analfabetizmit, si veprimtar arsimor, kulturor e në masmediat e kohës. Kësokohe të mësuesisë i shkroi dhe artikujt e parë për historinë e Malësisë së Gjakovës (Tropojë) e traditat e saj kulturore, si dhe të mbledhin këngë e rapsodi të vjetra dhe intervista me pjesmarrës në luftërat e Malësisë së Gjakovës e të Kosovës kundër otomanëve, serbo-malazezëve e të Luftës së Dytë Botërore. Ai ishte dhe bashkëpunëtor aktiv i Institutit të Folklorit në Tiranë.
Në mesin e viteve ’60 u caktue në detyrën e përgjegjësit të kulturës në Tropojë (të Vjetër), ku punoi mirë me veprimtaritë kulturoro-artistike, në rritjen e dashurisë për librin tek të rinjtë, në mësimin e historisë e trashëgimisë kulturore, etj.
Diplomati, studiuesi e përkthyesi Mal Berisha në ngushëllimin e tij e kujtonte faktin se si “lexues i dikurshëm, një fëmijë nga Tropoja, librin e parë në jetën e vet e ka marrë e lexuar nga dora e Muhamet Secit” kah vitet ’60 kur ishte përgjegjës i Bibliotekës së Tropojës, i cili “na nxiste që të lexonim sa më shumë duke na vënë në garë kush e kishte kartelen e librave më të mbushur se tjetri. Ai njeri ka lënë gjurmë në jetën e shumë djemve dhe vajzave intelektualë tropojanë”.
Muhamet Seci, sëbashku me studiuesin e publicistin e njohur Murat Gecaj, e kanë shkrue historikun e fshatit Markaj e të Bujanit, si dhe ia filloi punës për një sërë shkrimesh për figura të njohura historike si Bajram Curri, Mic Sokoli, Ali Ibra e burra të tjerë të njohur të Malësisë së Gjakovës.
Muhamet Seci në fillim të Viteve ’70 emërohet drejtor i Muzeut të Tropojës, i Shtëpisë Muze të Bajram Currit, për të cilin ka mbledhë kujtime të shumta nga bashkëluftëtarë e bashkëkohës të tij, nga familjarë të tij si e bija Hajrie Curri e të tjerë.
Që nga ajo kjo kohë i është kushtuar Historikut të Rrethit Tropojë, në bashkëpunim me Elez Qerimin e Sokol Berishën, dukument me randësi e i vlerësuar edhe nga Instituti i Historisë dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë, që shërbeu dhe si bazë e krijimit në Vitet ’80 të Muzeut Historik të rrethit Tropojë, një ndër muzetë më të plotësuar e pasuruar, i një randësie të veçantë, pasi ishte “Muze dhe për Kosovën”, e pasqyronte një pjesë të historisë së saj.
Muhamet Seci, prej nga Vitet ’70, ishte një ndër bashkëpunëtorët e jashtëm të Institutit të Historisë e Akademisë së Shkencave, duke marrë pjesë në shumë konferenca, simpoziume e sesione shkencore, punime shkencore të të cilit janë botuar nga këto dy institucione shkencore dhe nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. Ai ishte kumtues në Konferencën Shkencore Kombëtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të asaj për Konferencen e Bujanit, etj. si dhe ka bashkëpunue me figura të ndritura të historisë si Aleks Buda, Stefanaq Pollo…,por dhe me historianët Ali Hadri, Zekeria Cana e Mark Krasniqi nga Kosova.
Muhamet Seci njihet dhe si autor i teksteve të disa këngëve të kënduara nga e mirënjohura Fatime Sokoli, këngtari legjendë i Kosovës, Dervish Shaqa (mik i mirë i tij), ku veçojmë këngët për Bajram Currin, Shote Galicen, “Çikë e bukur nga Tropoja”, etj.
Muhamet Seci i përdorte mirë dhe instrumentat muzikore, si çiftelinë e sidomos shquhej për fyellin, duke marrë pjesë në dy Festivale Folklorike Kombëtare të Gjirokastrës dhe në koncerte të Ansamblit “Valbona” në Ohër-1974.
Muhamet Seci njihet dhe si mjeshtër i drurit, pasi ka punue në dru dhjetra instrumente popullore si lahuta, çifteli, sharki, etj., disa sish dhe me dekorime si Përkrenaren e Skënderbeut, etj., të cilat ia ka dhurue Institutit të Folklorit në Tiranë për të kontribue në mbrojtjen e pasurimin e vlerave kombëtare shqiptare.
Muhamet Seci, për veprimtarinë e tij të shumanshme dhe të vazhdueshme, për kontributete e tij, është dekorue me dy Medalje “Naim Frashëri”, etj., por vlerësimi e mirënjohja ma e madhe është ajo e shprehur nga miq e të njohur në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi e në diasporat shqiptare në botë. Mustaf Danaj nga Amerika shkruante se “mbresa të mira do të qëndrojnë gjatë gjithë jetës time për këtë mik të mirë”. Ibrahim Dizdari nga Brukseli ngushëllimonte: “Zoti e bekoftë shpirtin e tij dhe emrin e mirë që la pas!”. Studiuesi i njohur Ismet Balaj nga Luzha e Tropojës e me banim në Tiranë, opiniononte e faktonte: “Muhamet Seci…Jetoi me nder. Bëri vetëm të mira. Në jetën e tij nuk ka asnjë shiblé, që t’ia shlyente fytyrën e pastër krejt dritë dhe shpirtin e tij të butë e njerëzorë”.
I paharruem kujtimi e veprimtaria e tij në shërbim të vendlindjes së vet, kombit tonë shqiptar.
Ramiz LUSHAJ