Sot në mengjes u çova pak më shpejt se ditët e tjera të karantinës. Pasi kreva punët e mëngjesit u nisa drejt prindërve të mi të cilët jetojnë rreth 5 kilometra larg nga shtëpia ime. Saktësisht për ata që e njohin Tiranën me gjithë ndryshimet që ajo pëson për mirë dhe për keq , nga parkingu i ish- tregut elektrik tek ish- shqiponja.
Sapo kalon përmendoren e Adem Jasharit para se të shkosh tek “Zogu i Zi” gjëndet një furrë buke.
Ky lloj biznesi ka kohë që e ka rritë gamën e produkteve për efekt mbijetese por në këto kohë të liga, punën dhe fitimet i ka të sigurta dhe të majme. Prita rradhën duke respektuar distancën dhe i ngjita dy apo tri shkallët që e ndanin dyqanin nga trotuari.
Doja që mëngjesi i nanës dhe i babës sot të ishin byrekë të nxehtë të sapo dalë nga furra. Byrekët i plotësonin kushtet e të menduarit tim. Mora katër copë dhe i zgjata zonjës dy mijë lekë të vjetra, prerje e re, fiks aq sa kushtonin. Shitësja i sistemoj një e nga një në një qese letre duke i kapur me një pincetë të posaçme, vet ishte e paisur me doreza dhe maskë sipas çdo rregulli të përcaktuar nga autoritetet.
-Më duhet edhe një qese plastike nëqoftëse keni pasi byrekët do të konsumohen pak larg prej këtu.- thashë.
-Qeset janë me pagesë- doli një zë i shurdhët nga pas maskës.
U mundova ta shoh në sy po sytë e saj i ngjanin një rrjedhë përroj pas shirave të pranverës.
Rinxora portofolin nga xhepi im i pasëm i pantallonave dhe prej tij tërhoqa kartëmonedhën e vetme që gjendej në të një pesëdhjetëmijëshe edhe kjo çuditërisht nga emetimet e reja që Banka e Shqipërisë ka nxjerrë kohët e fundit.
Nga maska erdhi rishtazi një tingull i trubullt.
-Nuk kam kusur për të kthyer(!)
– Zonjë jemi duke jetuar në një kohë që jeta jonë kushton sa një virus i padukshëm dhe ju mendoni për çmimin e një qesje plastike.
– Unë jam punëtore, s’jam pronare.
Më shkoj mendja t’ja ktheja byrekët por mu kujtua nana dhe baba dhe i thashë pa asnjë keqardhje.
–Punëtore e keqe qënke zonjë- tërhoqa qesen e letrës që kishte nisur ti shfaqte njollat e yndyrës jashtë saj, bashkë me qesen edhe shikimin gjithë mllef të shitëses së byrekëve. Mora vetën me të mirë për të vazhduar rrugën e mbetur deri tek shtëpia e prindërve .
Nxora telefonin nga xhepi dhe i rashë numrit të nanës, pas dy zileve zëri i saj si mjaltë gështenje u përgjigjë.
– Si keni njeh nano? A jeni të gjithë mirë?
Ndërsa unë pa ju përgjigjur pyetjeve të saj i thashë: Mos hani mëngjes se po ju sjell byrekë të nxehtë!
Nana nga celulari i saj: O të pastë nana, po na sa kena hangër përshesh me tamël të nxehtë me bukë kollomoqi.
Mu këputën gjujtë. Pjesën e fundit të rrugës e bana krejt pa qejf. Por kur shkova dhe i gjeta në oborr, shumë herë ma mirë dhe më me energji se para dy tri javësh prapë e mora vetën.
– I nxejmë në mikrovalë dhe bahen prapë si me pa dalë nga furra- më tha nëna.
Të ulur në oborr larg njëri tjetrit, baba më pyeti për shumë gjana që po ndodhin këto ditë në vendin tonë dhe në botë. Unë i ktheva përgjigje avazive për të cilat e vuna re kollaj që se kënaqen hiç.
Kthimin e bana ngadalë duke parë me vëmendje qindra njerëz që i janë drejtuar rradhave të dyqaneve për të blerë dhe atyre që dalin prej tyre të ngarkuar rëndë sikur ato, dyqanet, s’do të hapen më kurrë…
Kur erdha në shpi ashtu i debuluar dhe pse jo edhe i merzitur dëgjova Ajrisin ti thoshte Mozës: Nuk më pëlqen ti bëj detyrat në shpi dua të shkoj në shkollë…
Tiranë me 28 Mars 2020