Qyteti i Nju Jorkut është bërë epiqendra e shpërthimit të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara. Të gjitha bizneset jo të domosdodoshme janë mbyllur ndërsa janë ndaluar të gjitha tubimet për të siguruar distancimin social. Siç na njeh korrespondetja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson, distancimi social është një prej mënyrave më të mira për të ndaluar përhapjen e virusit.
Organizata të rendësishme mjekësore dhe të shëndetit që përfaqësojnë mjekët, infermieret dhe spitalet shkruan një letër të hapur për publikun amerikan me kërkesën që ata të qëndrojnë në shtëpi.
Ata thonë se vet izolimi është thelbësor në uljen e përhapjes së virusit. Vetë izolimi do të parandalojë njerëzit që të prekin sipërfaqe të prekura më parë nga të tjerët, disa prej të cilëve mund të kenë patur virusin në duart e tyre. Dr. Dan Allan është me Klinikën e Klivlandit.
“Kudo ka bakterie, kështu që nëse nuk lani duart para ngrënies, ose prekni sende apo sipërfaqe të ndotura, njerëzit do të sëmuren. Ka disa viruse që mund të jetojnë për javë të tëra mbi një sipërfaqe. Prandaj është e domosdoshme mbajtja pastër e mjedisit, kryesisht e mejdisit të ngrënies.”
Instituti Kombëtar i Shëndetit thotë se koronavirusi mund të ketë një jetëgjatësi prej afro tre orësh në ajër. Në sipërfaqe të ndryshme virusi mund të qëndrojë nga disa orë deri në disa ditë. Nëse prek butonin e një
ashensori, parmakët e shkallëve apo dorezën e derës, shanset janë që të merrni virusin, thotë Dr. Dan Allan.
“Çdo gjë që preket nga duart ka të ngjarë të jetë e kontaminuar. Shumica e sëmundjeve do të vijnë nga duart e tuaja. Është shumë e nevojshme larja si duhet e duarve me sapun të mjaftueshëm dhe ujë, apo me dezinfektant nëse nuk keni ujë dhe sapun. Lani duart para se të prekni fytyrën dhe para se të hani.”
Këshilla e mjekëve është që të kolliteni në bërryl për të bllokuar përhapjen e virusit. Por më së miri është mbulimi i gojës me facoletë letre dhe pastaj hedhja e saj.
Duket se virusi kryesisht po përhapet në mjedise ku ka shumë njerëz, si restorantet dhe tubimet, dhe jo nëpër spitale. Këtu del në pah rendësia e distancës fizike mes njerëzve, dezinfektimi i sipërfaqeve që preken më së shumti, si tastiera e kompjuterit, larja e duarve dhe mos prekja e syve, hundës apo gojës, do të ndihmojë njerëzit që të jenë sa më të sigurtë.
Organizatat e shëndetit thonë se duan të ndihmojë njerëzit të shërohen nga koronavirusi, ndërsa po u kërkojnë amerikanëve që të bëjnë detyrën që u takon, për të mbrojtur personelin mjekësor nga infektimi.