Autoritetet qeveritare në Shkup e kanë përshëndetur vendimin e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kryeministri i qeverisë teknike Oliver Spasovski, zëvendës-kryeministri Bujar Osmani dhe ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov në një konferencë për media falënderuan të gjithë që ndihmuan për hapjen e bisedimeve.
Z. Spasovski u shpreh: “Arriti konfirmimi i suksesit për përpjekjet e vendit dhe pritjen e gjatë të institucioneve në realizimin e reformave. Rezultati i sotëm ka të bëjë me vendimet e vështira politike për zgjidhjen e problemeve me Greqinë dhe Bullgarinë. Pa Marrëveshjen e Prespës dhe pa marrëveshjen për fqinjësi të mirë (me Bullgarinë) nuk do të arrihej ky sukses. Mund të krenohemi me dhënien fund të pritjes; reformat e suksesshme e hoqën barrierën, rruga është vetëm përpara”, theksoi z. Spasovski.
Autoritetet maqedonase thonë se shumë ligje të vendit tashmë u janë përshtatur atyre të BE-së dhe kjo e lehtëson procesin e bisedimeve. Shkupi është i vetëdijshëm se vendi duhet të kalojë transformimin nëpër të cilin kanë kaluar të gjitha shtetet aspiruese dhe anëtare të sotme të Unionit.
Zyrtarët e lartë qeveritarë megjithatë thonë se Shkupi duhej marrë datën shumë vjet më parë dhe se vendimi i sotëm e korrigjoi “gabimin strategjik” të BE-së kur nuk arriti konsensus në tetorin e 2019-ës.
Qeveria tha se partitë politike dhe qytetarët kanë të drejtë të gëzohen për këtë arritje, por duhet t’i kthehen realitetit me luftën kundër koronavirusit. Bujar Osmani dhe Nikolla Dimitrov presin që BE-ja ta caktojë së shpejti konferencën e parë ndërqeveritare.
“Kjo rreze e freskët e shpresës do të na ndihmojë ta kalojmë më lehtë edhe këtë krizë me koronavirusin”, u shpreh z. Osmani.
“Hapëm një perspektivë të re për gjeneratat e ardhshme dhe tash varet nga ne se sa shpejtë do ta kalojmë rrugën deri tek anëtarësimi i plotë”, tha kryediplomati Dimitrov. Partitë në pushtet po ashtu e kanë përshëndetur vendimin e ministrave të BE-së.
Vendimi i ministrave të BE-së duhet të marrë edhe dritën jeshile të kryeministrave dhe presidentëve të shteteve anëtare të Unionit në takimin e 26 dhe 27 marsit, i cili për shkak të koronavirusit do të zhvillohet përmes internetit.
Me vendimin e sotëm, BE-ja konstaton arritjen e e rezultateve nga Shkupi në reformat në katër kapitujt kryesorë që Brukseli i kishte ngritur si kushte: Gjyqësori dhe sundmi i ligjit, shërbimet e zbulimit, administrata publike dhe lufta kundër kriminalitetit e korrupsionit. Komisioneri për Zgjerim i BE-së Oliver Varhelyi theksi në tëitter kënaqësinë me arritjen e marrëveshjes së vendevd anëtare të BE-së. Ai uroi me gjithë zemër të dy vendet, ndërsa thekson se vendimi paraqet një mesazh të qartë dhe të zëshëm për Ballkanin Perëndimor: “E ardhmja juaj është në BE”, shkruan z. Varhelyi.
Shkupi pret para dyerve të Bashkimit Evropian që prej shumë vjetësh. BE-ja ia dha statusin e “vendit kandidat” qysh në dhjetor të 2005-ës, por vendi ballkanik kaloi nëpër disa kriza të brendshme politike dhe bllokada që i bënte Greqia fqinje për shkak të emrit Maqedoni bënë që proceset e integrimit të zvarritesishin kaq gjatë.