Po kalojnë ditët, e po kalojnë javët…nën ethet e KORONAVIRUSIT. Nuk po mjaftojnë vetëm ethet e kësaj sëmundje. Qytetarët po jetojnë, edhe nën ethet e zhvillimeve politike. Secili po mundohet ta përballon në mënyrën e vet. Besa, edhe të merren me analiza të zhvillimeve. Dhe, sugjerimeve bindëse se si të veprohet. Pse jo, edhe në fyerje të ndërsjella.
Më së paku kisha dashtë të shkruaj në këtë mënyrë. Asnjëherë nuk më kishte shkuar mendja që të bëjmë përshkrim të gjendjes së tillë, nëpër të cilën po kalon populli në Kosovë. Po kalojnë qytetarët në Deçan. Ndoshta, gjendja në Deçan është ndër më të mirat.
Të shkruash këto, sot për sot, duken të zakonshme. Por, pas disa vitesh apo brezash, ndoshta do duken të pazakontë. Fëmijët, nipat apo mbesat tona, nuk do e besojnë se ishte kështu. Ata, do mësojnë së bashku me historinë, edhe për këtë ngjarje. Por, duke shprehë rezervat e besimit, sikurse për të gjitha ngjarjet tjera historike. Sikurse ne, që shprehim rezervat tona për të kaluarën, të cilës pak mund ti besojmë. Kur të kalojnë vite, decenie apo shekuj, do duket si në përralla. Gjeneratat do e marrin si një gjë e trilluar, për t’i mashtruar fëmijët. Sikurse që na thoshin ne, për disa periudha të vështira të jetës, që kishin etërit tanë. Baballarët dhe nënat tona.
Për ditë me radhë, të dalësh nëpër rrugët e Deçanit, e të kërkosh miell, ta kujton kohën e pasluftës së dytë botërore, apo koha e urisë (1947). Koha kur duhej intervenuar për të marr drithëra nëpër hambarët e familjeve. Qoftë me hatër apo me zor. Apo, të kujtohet “përralla” kur njeriu ka vdekur me para në gojë, ngase nuk iu kishin dashtë asgjë.
Të ecësh nëpër rrugët e Deçanit, e të mos takosh dhjetëra persona, është gjë e “tmerrshme”. Edhe ata që i takon, duhet tu qëndrosh në distancë, e të mos i prekësh në asnjë mënyrë. “Po respektojmë këshillat e dhëna nga mjekët, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik”, shprehën të gjithë ata që i takon, sikurse që veprojmë, edhe personalisht. Ka të tillë në humor, “Hajt veç me këmbë po përshëndetemi, se virusi nuk mundet mu ngjit prej këmbëve”. Në çdo takim, rrallë ndodhë që bashkëbisedimi, mos të bëhet përmes maskave që mbulojnë fytyrën. “E dimë që nuk është gjë, ngase shqiptarët kanë përballuar virus më të rrezikshëm se COVID-19, por rregullat janë rregulla, e nuk po i anashkalojmë”, shprehën bashkëbiseduesit në fytyrat e të cilëve shihet pesimizëm, por edhe optimizëm. Jo jo, nuk dorëzohemi kurrë. Do ta kalojmë edhe këtë situatë të ardhur pa dashjen tonë. Është gjendje globale. Është në gjithë botën. Na duhet të pajtohemi me këto fatkeqësi. Pothuajse, të gjithë shprehën kështu. Urojnë që sa më pak pasoja të ketë Kosova. Të ketë Deçani. Të ketë njerëzimi!
Marketet nëpër Deçan, sikurse në të gjitha komunat tjera të Kosovës, pothuajse të zbrazëta. Qytetarët me qëllim të furnizimit sa më të mirë, kanë blerë gjërat që mund të jenë kyçe për familjarët e tyre. Edhe pse me ngritje të çmimeve, janë munduar që të kenë sa më shumë rezerva në shtëpitë e tyre, përkundër asaj që institucionet shtetërore bëjnë thirrje për të mos krijuar panik. “Kujdes po, panik jo”. Mirëpo, në fund të fundit, secili mundohet të siguron kafshatën e gojës. “A ka ardhë miell. Kur pritet me ardhë. Jemi keq për miell. S’kam veç për pak ditë. Zoti e bëftë hajr, s’di si do ia bëjmë kur të na soset mielli”. Janë disa nga bashkëbisedimet e qytetarëve që kanë mësy marketet e Deçanit, apo edhe jashtë kësaj komune. Ata, të vetmin shqetësim të furnizimit e shohin mungesën e miellit, edhe nëse janë me çmime të larta. “Kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve i arsyetojnë, edhe shitësit. Nuk kanë faj, sepse buka është kryesorja. Gjendja e krijuar na zuri të papërgatitur. Kemi bërë porositë, por nuk kemi ende përgjigje. Jo jo, nuk ka shtrenjtim të miellit. Nuk përjashtojmë mundësitë e ndonjë biznesi, por në biznesin tonë, s’ka rritje të çmimit. Ka mungesë të miellit, sepse familjet kanë marr për të lënë rezervë”. Kështu përgjigjet njëri nga pronarët e biznesit më të madh në Deçan, duke premtuar se nuk ka pretendime të rrit çmimet në këtë kohë të krizës. Gjithnjë sipas tij, po ka telashe me furnizim, ngase gjitha shtetet e rajonit janë në të njëjtën gjendje.
Furrat po mundohen që me kapacitetet e tyre, të jenë në shërbim të qytetarëve. Por, edhe ata po ndjejnë mungesën e miellit. “Dita ditës, po na mungohet mielli. Nuk di si t’ia dalim. Qytetarët vazhdimisht po vijnë e pyesin, a keni miell se do mbesim pa bukë. Nuk kemi blerë miell, duke menduar se furrat nuk do ndalën asnjëherë”. Kështu na thonë në njërën nga furrat e bukës në Deçan, të cilët nuk kursejnë mundimin e tyre për të furnizuar me bukë. Nëpër çdo furrë, çmimi është i pandryshueshëm.
Në hyrje të Qendrës Kryesore të Mjekësisë familjare, është e vendosur një tendë plastike, e cila do jetë në shërbim të pacientëve. Brenda dhe jashtë saj, janë mjekët dhe motrat, të veshur me rroba mbrojtëse. Ata thonë se janë në gatishmëri të qytetarëve, që për fat të mirë, numri është i vogël i atyre që kërkojnë trajtim mjekësor. “Fatbardhësisht, nuk kemi ankesa të shtuara. Gjithë stafi i QKMF-së, është në gatishmëri. Urojmë që së bashku ta kalojmë këtë gjendje të krijuar nga CORONA”, na thotë njëri nga mjekët i mbështjell me masat mbrojtëse, por i gatshëm të jap ndihmën e nevojshme për pacientët. Ai, ka treguar edhe për përkrahjen që po jep kryetari i Deçanit, qoftë në aspektin moral, apo edhe të mundësive që posedon si kryetar i komunës.
Rrugët e fshatrave, pothuajse të boshatisura. Rrallë shihet ndonjëri nëpër fusha dhe ara. Disa, deshën apo nuk deshën, po iu kthehen punëve të bujqësisë. Duke u munduar me krye punët e pranverës. Vizitat nëpër familje, janë bërë “mollë e ndaluar”. “Më mirë s’po lëvizim pasi na kanë thënë me ndejë, sa më larg njëri tjetrit. Po ruhemi, sa të mundemi. Kalon edhe kjo gjendje. Dojmë me besua se nuk do zgjatë shumë”. Këso komunikimesh mund të dëgjosh tek secila familje.
Policët e stacionit të Deçanit, në kryerje të detyrave të tyre. Ata, përcjellin gjendjen dhe ushtrojnë detyrat sipas planeve operative. Zyrtarët komunal të administratës, edhe pse në numër të vogël, me maska dhe dorëza mbrojtëse, iu ofrojnë shërbimet atyre pak qytetarëve që iu drejtohen sporteleve. Inspektorët komunal, me drejtorin e tyre, janë vënë në kontroll të zbatimit të masave të Qeverisë së Kosovës dhe ekzekutivit komunal. Është bërë dezinfektimi i gjitha objekteve publike, sikurse edhe i rrugëve të qytetit. Shkollat e mbyllura. Nxënësit në pritje të fillimit online të mësimeve.
Jeta vazhdon. Deri kur nën këto ethe, veç ZOTI e di!