Ndryshon sërish orari i lëvizjes së këmbësorëve në rrugët e vendit. Kryeministri Edi Rama njoftoi se nga e shtuna, orari do të jetë vetëm nga ora 5 e mëngjesit deri në 13, ku qytetarët mund të kryejnë shërbimet e tyre në pikat e shitjes së ushqimeve, ilaçeve apo shërbimeve bankare. Ky do të jetë edhe orari i punës së punonjësve të administratës.
Rama sqaroi se nga ora 13 e së shtunës deri në orën 5 të mëngjesit të së hënës do të jetë gjithçka e mbyllur. Në rrugë do të jenë vetëm forcat e policisë, ushtrisë, njësive kritike të shërbimeve shtetërore dhe kompanive mediatike. Me herët kreu i qeverisë u adresoi një apel të rinjve të mos dalin nga shtëpia pasi rrezikojnë veten dhe të afërmit e tyre.
Për të gjithë të izoluarit në shtëpi sikundër kishte premtuar, Kryeministri Rama tha se duke filluar nga e shtuna e deri në fund të muajit Prill për të gjithë qytetarët do të ketë paketa interneti 50% më të lira.
Akses falas do të ketë për të gjitha platformat edukative. Kryeministri i ftoi qytetarët të vetëdijësohen dhe të mos abuzojnë me internetin, pasi një gjë e tillë krahas kolapsimit me cilësinë do të sjellë edhe mungesë të furnizimit.