Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, deklaroi se subjekti që ai drejton do të iniciojë mocion mosbesimi për rrëzimin e qeverisë Kurti. “Argumenti” i tij kryesor ishte ky: VV po rrezikon marrëdhëniet e Kosovës me aleatin tonё strategjik, SHBA-në dhe ne nuk duam të jemi bashkëpërgjegjës në përkeqësimin e tyre. Ai përdori edhe “argumente” të tjera, midis të cilave edhe atë se ai nuk merr anën e Kurtit, as të Thaҫit dhe se është me Kosovën, me popullin e saj.
Nga ana e tij, Presidenti Hashim Thaҫi, ka kohë që e akuzon Kurtin si antiamerikan, ndërsa këto ditë, duke u thirrur në interesat e vendit e të popullit, nënshkroi dekretin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, lidhur me situatën e krijuar nga koronavirusi, pavarësisht se, sipas të dhënave të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nuk është e domosdoshme që të kalohet në këtë masë ekstreme. Isa Mustafa u deklarua hapur pro kësaj mase.
Ҫfarë kanë të përbashkët argumentet e këtyre dy “prijësve”?
Së pari, objekt i përbashkët i goditjes së tyre është Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti. Meqenëse nuk mund ta akuzojnë për korrupsion, lidhje me krimin, nepotizëm, etj, dinakërisht, kanë vendosur ta akuzojnë si antiamerikan, me bindjen se kjo akuzë “ngjit” në popullin e Kosovës, i cili njihet si më proamerikani në botë, duke e paraqitur edhe veten si prijës të këtij qëndrimi.
Për të kuptuar se sa proamerikanё janë këta dy “timonierë”, nuk ka nevojë të shkohet shumë larg, por t`u referohemi vlerësimeve që u kanë bërë atyre ambasadorët e SHBA-së në Prishtinë: në vitin 2012, Ambasadori Kristofer Dell, e ka cilësuar Isa Mustafën titist dhe antiamerikan, ndërsa në vitin 2014, Ambasadorja, Trejsi An Xhekson, e ka konsideruar atë si “pjesë të traditës së politikanëve të korruptuar” në Kosovë.
Për qëndrimet e Thaҫit dhe disa mbështetësve të tij dihet, tashmë vlerësimi i Ambasadorit Greg Delaui, në dhjetor 2017, “si thikë pas shpine për SHBA-në.
Nuk do shumë mend për të kuptuar që këto vlerësime të ambasadorëve të SHBA-së nuk janë në shenjë mirënjohjeje për qëndrimin e tyre proamerikan.
Që të kenë sukses në shitjen e “kartës së proamerikanizmit”, Isa Mustafa dhe Hashim Thaҫi do të duhej të sqaronin opinionin publik se a kanë gabuar ambasadorët në vlerësimet e tyre për ta. Nëse po, përfundimi që del është se edhe përfaqësuesit e Uashingtonit gabuakan, ndaj, jo ҫdo gjë që ata thonë duhet marrë si e vërtetë në instancë të fundit (siҫ po veprojnë “prijësit” tanë me “porositë” e Grenellit); ose të thonë që të dërguarit e Uashingtonit kanë patur të drejtë dhe, në këtë rast, Isa Mustafa me Hashim Thaҫin duhet ta pranojnë se janë antiamerikanë.
Në gjykimin tim, më afër së vërtetës është teza se, në thelb, këta “prijatarë” janë antiamerikanë, ndërsa “proamerikanizmin” e përdorin si një instrument, në funksion të qëllimeve të tyre personale. Në rastin konkret, për të eleminuar kundërshtarin e tyre politik, Albin Kurtin, për të vetmen arsye, se në perceptimin e tyre, ai përbën kërcënimin kryesor për mbijetesën e parillёkut të tyre politik në Kosovë. Vendimet e Kryeministrit Kurti për shkarkimin e bordeve të përfolura për korrupsion, të disa ambasadorëve politikë, apo të diplomatëve të emëruar mbi baza nepotizmi, për ujen e pagës së anëtarëve të qeverisë dhe nëpunësve të tjerë të lartë shtetërorë, duket se janë konsideruar si rrezik për interesat dhe strategjinë e parazitoidëve Thaҫi e Mustafa.
Një e përbashkët tjetër e “timonierëve” të palodhur Hashim Thaҫi dhe Isa Mustafa është maska e njëjtë, me të cilën ata paraqiten në ҫdo dalje publike-interesat e popullit, të vendit, të shtetit dhe të kombit. Është fakt që të dy këta janë udhëheqësit më jetëgjatë në pushtet, në Kosovë. Isa Mustafa e ka filluar ciklimin dhe riciklimin në pushtet që në kohën e Jugosllavisë titiste, ndërsa Hashim Thaҫi, më vonë, por nuk i le gjë mangut Isës në këtë parillëk.
Cilat janë pasojat e udhëheqjes së këtyre pushtetarëve jetëgjatë? Një Kosovë që nuk prodhon thuajse asgjë, e rrënuar ekonomikisht; një popull i dëshpëruar dhe i revoltuar me keqqeverisjen e gjatё; një vend i izoluar nga bota, i karantinuar shumë kohë para se të shfaqet koronavirusi; një shtet i kapur nga krimi dhe korrupsioni. Këto të vërteta janë të mjaftueshme për të kuptuar se kush fshihet pas maskës së “mbrojtësve” të interesave të popullit, e cila Isa Mustafës dhe Hashim Thaҫit, tashmë, u ёshtё bërë pjesë organike dhe e pandashme e fytyrës së tyre.
Ҫfarë përfaqësojnë ata, në të vërtetë, më saktë, ҫfarë fshihet pas fytyrës së tyre maskë? Për mendimin tim, si pasojë e mutacioneve të vazhdueshme, ata janë transformuar në parazitoidë, organizma që jetojnë në marrëdhënie të ngushtë me bartësin, ashtu si gjithë parazitët e tjerë, por që ndryshojnë prej tyre, sepse si strategji përfundimtare kanë vdekjen e trupit nga i cili ushqehen. E keqja është se këta parazitoidë i janë ngjitur prej vitesh trupit të Kosovës dhe po thithin pa mëshirë gjakun e saj.
Pavarësisht strategjisë së tyre vdekjeprurëse, unë jam i bindur se Kosova si shtet i ri do ta përballojë sulmin e këtyre grabitqarëve të pangopur, por fillimisht, është e domosdoshme që populli i saj të mbështesë udhëheqësit e rinj, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, të cilët, aktualisht, po përpiqen me shumë përkushtim, vetëmohim dhe përgjegjësi t`i bëjnë ballë situatës së rëndë të krijuar nga koronavirusi.
Në këtë kontekst, ju bëj thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që nismën e Isa Mustafës, të mbështetur nga Presidenti Thaҫi, për rrëzimin e qeverisë Kurti, të mos e miratojnë. Nuk është koha e lojërave politike, por e mobilizimit dhe e angazhimit total të shtetit dhe të gjithë shoqërisë për të fituar sfidën me armikun e padukshëm-kovid-19. Kjo është parësore, në këto momente. Pasi të sigurohet fitorja e kësaj beteje, është radha e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare , të cilat, me siguri, do t`u japin fund, një herë e mirë, parazitoidëve të llojit të Hashim Thaҫit dhe Isa Mustafës dhe Kosovwn do ta bëjnë një trup të imunizuar ndaj veprimit të strategjike vdekjeprurëse të parazitoidëve të tjerë potencialë.