Në fund të dhjetorit të vitit 1924, Bajram Curri, pasi ishte kthyer nga një udhëtim në Europë, duke takuar kancelaritë për çështjen e Shqipërisë, arrin në Krasniqe të Tropojës dhe strehohet në Bujan, në shtëpinë e bajraktarit të Krasniqes, Sali Mani. Aty organizojnë takime nën drejtimin e Currit, për t’i riorganizuar forcat, për të bërë ballë ndonjë kryengritjeje të armatosur. Në këto takime përfaqësuesit nga fisi i Gashit dhe i Bytyçit ishin të paktë, duke arsyetuar se ”kufiri i tokës së pashkelur ishte pjesa perëndimore e Valbonës” dhe me 3 shkurt 1925 lidhin besën për të qënë deri në fund me Bajram Currin, për të mbrojtur Tropojën dhe mbarë trojet shqiptare.

E ndërkohë më 8 shkurt fillon mësymja dhe qëndresa heroike, duke çliruar krejtësisht Gashin. Nënprefekti me suitën e tij, ikin drejt Jugosllavisë. Forcat kryengritëse në mbrojtje të vendit, pasi i drejtohen prefekturës, ndeshen në forcat e Ceno Beg Kryeziut, i cili kishte marrë masat e fortifikimit dhe i detyron malësorët të kthehen pas një përpjekjeje të pasuksesshme. Kushtet e një krengritjeje të re ishin mjaft të vështira. Më 10 shkurt, forcat e xhandarmarisë të organizuar në ushtri të rregullt, nga qafa e Luzhës, nga ku Tropoja dukej si në pëllëmbë të dorës, filluan luftimet në rrafshin e malësisë.

Një ditë më vonë, Ceno Beg Kryeziu, kishte nënshtruar krahinën e Tropojës, e mbi 10 mijë forca ushtarake mercenare të Ceno Beg Kryeziut vazhdonin shtypjen dhe terrorin në Malësinë e Gjakovës. Në bashkëpunim me Pashiqin, u shkatërruar Malësia si bazë dhe strehë e çetave të Kosovës, që luftonin për të drejtat dhe lirinë kombëtare. Duke vëzhguar aktivitetin e Bajram Currit, si dhe influencën në Malësi dhe në Kosovë, kërkohej nga Tirana zyrtare me çdo kusht vendndodhja e tij, kundrejt shumës prej 10 mijë franga ari, që Ahmet Zogu kishte vënë në dispozicion, për ata që e informonin vendin dhe gjendjen e Plakut të Maleve Bajram Curri. 

 

 

Në ditët e fundit të marsit 1925, u arrit zbulimi i vendit ku jetonin trimat. Paraja duket se kishte bërë punën e saj. Për vrasjen e Bajram Currit, përveç Ahmet Zogut e Ceno Beg Kryeziut, ishte i intersuar edhe Pashiqi i Jugosllavisë. Ai kishte vënë në dispozicion gjysëm milionë dinarë si shpërblim të kësaj “vepre”, pasi me eliminimin e Bajram Currrit, eliminohej ideja kryesore e udhëheqjes së luftës për një Shqipëri etnike, të cilën e kishte mohuar Konferenca e Ambasadorëve në Londër, qysh në vitin 1913 për të kënaqur shovinizmin serbo-sllav.

Më 29 mars, forcat rebele rrethojnë shpellën e Dragobisë ku kishte disa ditë që strehohej Plaku i Maleve me shoqëruesit e tij. Të rrethuarit vendosin të qëndrojnë deri në fund në shpellë. ”Vetëm të dimë me ba detyrën tonë të fundit që na takon, e për tjerët mos kujtoni e mos kini dert”, u thotë Bajram Curri njerëzve të tij, që i qëndronin pranë. Ndërkohë u bë plani që baca me Mehmet Veselin e Shefqet Dragën të tërhiqeshin nga e djathta drejt grykës së Valbonës, ndërsa bashkë me luftëtarët të fillonin pushkën prej thepave sipër dhe nëse do të kishin mundësi të takoheshin mbas betejës te “shpella e të Verbëtit”.

Përkrahësit e Bajram Currit, të cilët qëndruan pranë tij deri në fundin e jetës, Sali Mani, Ali Nimani e të tjerë, luftuan deri në fishekun e fundit. Rruga që ishte caktuar nga do të kalonte Bajram Curri vetë i tretë, ishte e pozicionuar nga xhandarmaria, siç mund të mendohet se ishin spiunuar, e ndër kohë i propozuan që të dorëzohej, por nuk pranoi asnjë marrëveshje. E siç është pohuar tash 91 vjet, Plaku i Maleve me plumbin e fundit të revoles së tij, ia shtiu vetes, kurse përkrahësit e tij u kapën me armët e dala jashtë përdorimi. Pra edhe pushka e fundit e revolucionit u dëgjua në malet e Malësisë së Gjakovës.

E poeti do thurte menjëherë elegjinë për mikun e tij: ”Atje nisi, atje mbaroi,/ Atje krisi, atje pushoi.” Lajmi për vrasjen e Bacë Bajramit u perhap me shpejtësi në dy linja të kundërta, e para çonte hidhërimin shpi për shpi në Malësi, vuajtjen dhe mjerimin tek masat e vegjëlisë dhe e dyta, gëzimin e egoizmit për lirinë e popullit dhe Atdheut nga qeveria e Zogut dhe Kryezezët e Gjakovës.

Koço Kota, kryeministri dhe ministri i Brendshëm çonte telegramin e urimit prefektit të Kosovës në Lumë, ku shkruhej: “Në emën të qeverisë shqiptare, ju falënderoj dhe ju përgëzoj për veprën patriotike që keni krye, tue e zhdukë nga faqja e dheut njeriun e shpellave, që kërcënonte qetësinë e Shqipërisë.” 95 vjet një pyetje pa përgjigje: U vra apo u vetëvra te shpella e Dragobisë, më 29 mars 1925, Bajram Curri?!