Ballina Sport Ndikimi psikologjik e ekonomik i anulimit të aktiviteteve sportive nga koronavirusi

Ndikimi psikologjik e ekonomik i anulimit të aktiviteteve sportive nga koronavirusi

Gara e konkurrime sportive nga niveli shkollor e universitar, në atë profesionist, në shkallë kombëtare e ndëkombëtare janë anuluar në mbarë botën, duke iu shtuar listës së aktiviteteve të ndaluara nga koronavirusi. Ardita Dunellari nga “Zëri i Amerikës” foli me specialistë për të kuptuar ndikimin që kanë këto masa psikologjikisht dhe ekonomikisht në komunitete në mbarë globin:

Sportele biletash të mbyllura, tifozë që nuk lejohen të futen në pallate sporti, stadiume të kyçura gjithandej në botë, ndërkohë që autoritetet anulojnë grumbullime publike për të penguar përhapjen e koronavirusit.

Për publikun e gjerë, këto anulime kanë eliminuar një nga mënyrat për të menaxhuar stresin thotë antropologu Samuel Veissiere.

“Sporti dhe çdo aktivitet që na largon mendjen nga situata është i nevojshëm, pasi duhet të shkëpusim vëmendjen nga paniku. Duhet të shkëputemi nga media sociale, duhet të investojmë kohën me njerëzit e dashur, apo me aktivitete zbavitëse.”

Është e vështirë të llogaritet ndikimi i këtyre anulimeve tek tifozët, të cilët në kohë të tilla mbështeten tek sporti për zbavitje dhe për qetësim:

“Sporti është një mënyrë për t’u shoqëruar e krijuar miqësi: kolegët në zyra, njerëzit nëpër kafene, madje edhe të panjohur në rrugë ndalen e bisedojnë për sportin. Kur eliminohet kjo mundësi, sidomos në këtë periudhë krize, mund të ketë pasoja të paparashikueshme”.

Ndërkaq vendet dhe qytetet organizatore të aktiviteteve të mëdha sportive po përgatiten për goditjen ekonomike që do të sjellin anulimet, nga humbja e të ardhurave nga biletat, turizmi dhe reklamat:

“Olimpiket e Londrës në 2012 solllën afro 700,000 vizitorë të huaj; 82 milionë bileta u shitën. Nga ky këndvështirm anulimet ndikojnë ndjeshëm tek ekonomia e vendit organizator,” thotë analisti Wiacek.

Tani, paralajmëron analisti, Japonia duhet të përgatitet për humbje të mëdha ndërkohë që Olimpiket e qershorit 2020 mbeten në pikëpyetje.

Nga mbyllja e pistave profesioniste te arenat e stadiumet e universiteteve, anulimet do të prekin rëndë edhe komunitetet lokale dhe bizneset që mbështeten tek këto ndeshje:

“20,000 vetë që vijnë çdo 2-3 ditë për të parë një ndeshje të ekipit profesionist të basketbollit kanë ndikim të madh te komuniteti ku ndodhet pallati sportiv. Ka njerëz që e mbështesin biznesin e tyre tek ky aktivitet,” thotë analisti Wiacek.

Ndërprerjet nuk kanë vetëm efekte negative, thotë Profesori i Universitetit McGill, Samuel Veissiere, duke shtuar se ka edhe gjëra pozitive nga kjo situatë:

“Kjo mundësi që na është dhënë për ta ngadalësuar pak ritmin, për të mos punuar aq shumë, për t’u shkëputur nga varësia e celularit, për të shpenzuar më shumë kohë me njerëzit e dashur është në vetvete shumë pozitive dhe mund të përmirësojë shpirtin e bashkëpunimit, lidhjet familjare dhe shëndetin e individit”.

Ai thekson se nuk duhet të harrojmë që të gjithë ne, në mbarë globin, po përballemi së bashku me të njëjtën situatë.

Javën e kaluar, një dritë shprese u shfaq me ndezjen e pishtarit olimpik në Athinë, megjithëse ka plot që mendojnë se Lojërat Verore do të shtyhen.

Mes rrënojave të Greqisë së lashtë, një traditë e përcjellë nga antikiteti shërbeu si kujtesë e krizave që njerëzimi ka ndeshur e kapërcyer ndër breza.