Kryeministri Edi Rama ka prezantuar mbrëmjen e sotme planin për ekonominë në kohën kur vendi është prekur nga virusi i rrezikshëm COVID-19 që ka detyruar qeverinë të marrë masa drastike.

Rama tha me shifra se sa do të jenë fondet për Ministrinë e Shëndetësisë, kompanitë, Ministrinë e Mbrojtjes etj.

Nga ana tjetër ai tha se ministrat e deputetët do të marrin gjysmën e pagës deri sa të përfundojë kjo situatë, ndërkohë që vlerësoi angazhimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta.

PJESË NGA FJALA E RAMËS

Unë në fakt doja që qysh në planin A, të impononim heqjen e diçkaje nga vetja për të gjitha ata që sot fitojnë më shumë si biznes i madh apo kanë një pagë të lartë në sektorin publik por më bindën se ky mund të perceptohej gabimisht si një mesazh i gabuar dhe të hynte pastaj në ato gojët pa perimetër të ekraneve të mbrëmjes nga ku do dilte si arsye se shteti nuk ka para për të paguar rrogat e pensionet, prandaj nuk do prekim hë për hë asnjë pagë tjetër përveç pagave të anëtarëve të Këshillit të Ministrave dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët do marrin gjysmën e rrogës deri në mbarimin e luftës. Nuk duam të krijojmë asnjë keqkuptim duke përgjysmuar pagën e Presidentit të Republikës të cilit, haka e do që t’i bëj një falënderim publik për faktin se qysh se kemi hyrë në këtë luftë po ndihmon si mundet dhe sa mundet apo pagat e drejtuesve të lartë të institucioneve të pavarura. Në këtë fazë është në dorën e tyre ta bëjnë këtë gjë ose jo.

Plani ynë për adresimin e nevojave për financim të atyre që janë prekur drejtpërdrejt në ekonominë e tyre të përmuajshme ka këto 7 pika:

– Së pari, 2.5 mld lekë ose 25 mln dollarë për luftën në vijën e zjarrit që vihet në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë për pajisje dhe materiale mjekësore apo mbështetje të të gjithë personelit të angazhuar mjekësor;

– Së dyti,10 mld lekë ose 100 mln dollarë përmes instrumentit të një garancie sovrane për kompanitë që kanë vështirësi objektive për të paguar pagat e punonjësve të tyre;

– Së treti, 6.5 mld lekë ose 65 mln dollarë për nevojat më imediate për shtresat më në nevojë, për biznesin e vogël, për papunësinë e mundshme për shkak të luftës;

– Së katërti, 2 mld lekë ose 20 mln dollarë që vihen në dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes për operacionin humanitar;

– Së pesti, 1 miliard lekë ose 10 mln dollarë si fond rezervë për Këshillin e Ministrave për çdo urgjencë të paparashikuar.

– Së gjashti, do të fshijmë përgjithmonë kamatëvonesat për debitorët aktivë që kanë konsum energjie sot familjar apo biznes i vogël me efekt financiar deri në 15 mld lekë ose 150 mln dollarë. Nga kjo masë do të përfitojnë 211 e mijë e 24 abonentë;

– Së shtati, do të riskedulojmë në 6-mujorin e dytë 2020 dhe në vazhdim tatim fitimin për gjithë biznesin deri në fashën nga 2 në 14 mln lekë ose nga 20 deri në 140 mijë dollarë xhiro.

Shtyrja e dorëzimit të bilanceve për një periudhë deri në 1 qershor për bizneset që dorëzojnë bilancet në QKB online ose drejtpërdrejt, do të përfshihet nesër me gjithë të tjerat si pjesë e aktit normativ për ndryshimet në buxhetin e shtetit 2020.