Asgjë nuk e shpëton njerëzimin nga ky ndëshkim, përveç ndryshimit të vetes sonë, të rrugës së mbrapshtë, drejtimit nga kemi ecur deri më sot, me forcimin e besimit në Zot dhe rivlerësimin e natyrën dhe qenies njerëzore si krijesa të Tij, mbi të cilat njerëzit e ligë nuk tolerohet të sillen si Zot mbi ata.
Shtetet një periudhë të gjatë nuk kanë investuar në dije, kërkime shkencore, arsimim cilësor, përgatitjen e kuadrit të aftë për sfidat e botës moderne, duke vrapuar pas zhvillimit teknologjik dhe luksit, për jetë të shfrenuar të një klase politike në pushtet. Kjo periudhë në shtetet në tranzicion dhe zhvillim ka zgjatur tepër shumë, ndërsa tani pasojat duhet t’i vuajnë qytetarët e këtyre vendeve.
Sa u vlejnë tani paratë e vjedhura, shkatërrimi, përvetësimi, uzurpimi dhe vjedhja e pasurisë shoqërore? Sa u vlejnë luksi dhe jeta e shfrenuar e politikanëve të ligë e zullumqarë, e familjeve dhe klaneve të tyre? Me këtë krizë globale ekonomike dhe financiare që do të sjell pandemia e koronavirusit sa do të jenë të sigurt se diçka nga pasuritë e paligjshme do të mbetet në duart e tyre?
Shtetet janë sjellë në rrezik, jeta e qytetarëve, me këtë edhe e ardhmja e këtyre klaneve mafioze që kanë qeverisur shtete të tëra si prona të tyre personale.
Ligjet e natyrës vlejnë edhe në shoqëri. Natyra reagon kur njerëzit e teprojnë, e prishin baraspeshën, kur e keqja fillon të shitet si e mirë, krimi si vlerë humane, korrupsioni dhe krimi i organizuar si progres shoqëror dhe interes kombëtar.
Edhe këtë sfidë me koronavirusin do ta përballojë njerëzimi me sukses, por asgjë nuk është e sigurt se ky është fundi, se nuk na përsëriten fatkeqësitë edhe në të ardhmen, nëse vazhdojmë kështu në mënyrë të papërgjegjshme të funksionojmë kundër natyrës dhe qenies njerëzore.
Natyra kërkon kurban për dëmet që i janë shkaktuar ndër vite e dekada. Nëse këtë nuk do ta vlerësojmë me kohë, duke i ndëshkuar kriminelët dhe keqbërësit, do ta pësojnë edhe njerëzit e pafajshëm. Atë që na e ka falë Zoti, që e shijojmë dhe shfrytëzojmë nga natyra për vazhdimësinë e llojit, të njerëzimit dhe të jetës mbi tokë, nuk duhet të tolerojmë me asnjë çmim ta keqpërdorin një grusht përbindësha dhe kriminelë, këto qenie të kryqëzuara me gjene egërsirash dhe lugetërish.
(16.III.2020)