Gjermania sot ka ndryshuar pas vendimit për mbylljen e dyqaneve, klubeve, palestrave, e mjaft institucioneve publike. Jeta publike është minimizuar, megjithëse njerëzit dalin në rrugë.

Instituti prestigjioz shkencor në Gjermani “Robert Koch” e rriti shkallën e rrezikut të infeksionit Covid 19 në Gjermani. Tani ajo shihet si “e lartë”. Deri më tani ky institut e kishte kategorizuar rrezikun si “mesatar”. Arsyeja është rritja e shpejtë e numrit të të infektuarve në Gjermani. Ky institut regjistroi 6012 raste infeksioni të martën dhe 13 të vdekur, por realisht numri i të infektuarve është më i lartë, për shkak të kapaciteteve të limituara të testimit dhe vonesave 3-4 ditë në regjistrim. Sipas drejtorit të institutit Robert Koch pandemia mund të zgjasë deri në dy vjet. “Në rastin ekstrem  kjo mundësi ekziston”, tha drejtori i institutit, “Robert Koch”, Lothar Wieler. Por gjendja duhet të rivlerësohet rregullisht, sipas tij.

E dimë se pandemitë kanë një fazë zhvillimi me valë, tha ai në konferencën e përditshme për shtyp të institutit. Shpejtësinë e tyre nuk e dimë. Por do të zgjasë vite derisa të arrihet infektimi i i 60-70% të popullsisë. Zgjatja e pandemisë varet edhe nga koha kur do të mund të vihet në veprim një vaksinë. Kjo mund të ndodhë që nga viti i ardhshëm, sipas Wieler.