Koha e vështirë nëpër të cilën po kalojmë nën ethet e “Coronavirusit”, plot ankth e pasiguri çfarë do t’na sjellë e nesërmja, shpresa dhe dëshira për jetë duhet të jenë më të fuqishme që çdo kërcënim nga virusët e padukshëm.

Një stil i ri i jetës në karantinë

Jo të gjithë qytetarët e kanë mundësinë e përballimit të njëjtë të rrezikut nga “Coronavirusi” shkaku i situatës ekonomike. Si rezultat i kësaj, secili e projekton dhe parashikon të ardhmën në mënyrën e vet, varësisht prej gjëndjes socio-ekonomike dhe nivelit intelektual.
Secili duhet të kërkojmë rrugë dhe mundësi për përballimin sa më të lehtë të këtij kërcënimi global dhe përmirësimin e jetës përmes ndryshimit epokal që do të vjen pas kësaj epidemie.
Ndryshimi fillon në stilin e ri të jetës, me kujdes të shtuar të masave higjienike, me kushte më të mira dhe siguri më të madhe në vendet e punës, ushqim cilësorë e shumçka tjetër që e transformon pasigurinë aktuale në siguri dhe motivim për jetë dhe mirëqënje të përgjithshme të shoqërisë njerëzore.
Në rrethanat në të cilat po kalojmë, të regjimit të “Karantinës”, gjegjësisht të mbylljes në shtëpi, kur është pamundësuar çdo formë e tubimeve dhe organizimeve shoqërore, janë institucionet e shtetit, ato që duhet t’iu dalin në ndihmë qytetarëve, e në veçanti komunave e fshatrave të izoluara dhe familjeve të prekura nga ky lloj virusi sa i padukshëm dhe enigmatik, po aq i rrezikshëm per jetën e njerëzve.

Jeta në karantinë, sprovë kolektive

Situata e krijuar nëpër disa komuna, fshatra dhe familje ku iu është ndaluar levizja dhe furnizimi i rregullt me gjësende të domosdoshme ushqimore, është shteti, përkatësisht janë institucionet shtetërore ato që duhet t’iu dalin në ndihmë qytetarëve në përmbushjen e kërkesave minimale për jetë dhe për t’iu dhënë shpresë në këto momente sa të vështira, po aq të paqarta dhe të pasigurta shëndetësore.
Edhe pse kjo situatë emergjente shëndetësore nuk është produkt i kësaj klase politike, liderët shtetërorë dhe partiakë duhet t’i kursejnë qytetarët me deklarata dhe prononcime rreth “Covid-19”, për shkak se vetëm mund t’ua rëndojnë situatën e jetës në karantinë.
Në këto rrethana vetëm ekspertët shëndetësorë dhe ata të sigurisë e kanë të drejtën e adresimit qytetarëve me masat preventive mbrojtëse, si dhe me njoftimin e saktë për atë çfarë është duke ndodhur rreth kësaj pandemie, e assesi politikanët naiv e të papërgjegjshëm, të cilët nuk e kuptojnë as termin “karantinë” e lërë më termat profesional që i dedikohen përhapjes së “sëmundjeve ngjitëse”, sia janë “Sars” e “Mers”, tani “Coronavirus”.

Më pak fjalë e më shumë punë

Institucionet e shtetit ndihmën më të madhe për qytetarët e izoluar mund ta bëjnë me furnizimin me mjete higjieno-sanitare (maska, dorëza, dezinfektues, etj.) si dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga ngritjet e çmimeve të artikujve defecitar ushqimor nga shitësit e papërgjegjshëm dhe matrapazët e ndryshëm, qofshin ata farmaceutik apo politik!?
Rritja e çmimeve në këtë periudhë pandemie globale për shkak të “Covid-19” është vepër penale e dënueshme me ligj.
Tregtarët e pandërgjegjshëm dhe matrapazët përveqse e lëndojnë imazhin e shumicës së bizneseve që me nderë po e kryejnë punën e tyre në këtë situatë të jashtëzakonshme, po e dëmtojnë jashtëzakonisht shumë xhepin e cekët të qytetarëve të trazuar nga kjo epidemi e mistershme.
Bie fjala, ngritja artificiale e çmimit të miellit, nga çmimi paraprak prej 35 në 80 Euro për 100 kilogram, duhet të trajtohet si vepër penale, me ndëshkim të rreptë dhe ndërprerje të veprimtarisë afariste për tregtarët e papërgjeshëm e shpirtëligë që mundohen të shfrytëzojnë nga kjo fatëkeqësi e paparë deri më tani në rruzullin tokësorë.

Eksagjerimi i situatës nga politikanët

Thirrjet e liderëve dhe zyrtarëve shtetërorë për kujdes, vigjilencë, solidaritet, durim, urti, besim, etj., pa e bërë as një hap konkret për t’ju ndihmuar qytetarëve të izoluar dhe frikësuar paraprakisht, janë thirrje për mashtrim dhe abuzim të mëtutjeshëm të shpirtërave të robëruar tani e 20 vjet në koloseumin e quajtur Kosovë.
Në këto rrethana të emergjencës, deklaratat e politikaneve duhet të zavëndësohen me udhëzimet e mjekëve specialist, psikologëve dhe ekspertëve të sigurisë të cilët informojnë drejt dhe reflektojnë shpresë tek qytetarët e izoluar.
Por e keqja e madhe është se vendimet e politikanëve deri më tani nuk janë përputhje me rekomandimet e mjekëve.
Kjo fatkeqësi bëhet akoma më madhe edhe për shkak të krijimit të panikut tek popullata, gjë e cila mund të shkaktoj edhe efekte tjera kolaterale akoma më të rrezikshme sesa virusi për shëndetin e njeriut.
Krahas respektimit të rregullave dhe këshillave në parandalimin e përhapjes së virusit misterioz, aq e domosdoshme është shpresa dhe optimizmi që duhet t’ia dhurojmë njëri-tjetrit, duke shprehur solidaritet dhe dashuri vëllazërore, humanitet e përkushtim njerëzor në kapërcimin sa më lehtë të kësaj situate alarmante.

18.03.2020