Senati i Spanjës e ratifikoi të marten Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Seanca u mbajt pa praninë e ligjvënësve, ndërsa votimi u bë në distancë, përmes internetit për shkak të masave ndaj koronavirusit.
Ministri maqedonas i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, i cili së bashku me ambasadorin spanjoll Lorenzo Sera e ndoqi aktin e ratifikimit nga selia e qeverisë në Shkup, falënderoi popullin dhe qeverinë spanjolle për miratimin në rrethana të këtilla të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Aleancën Veriatlantike të NATO-s.
Spanja ishte vendi i 29, i fundit i bllokut të anëtareve të Aleancës që e ratifikoi protokollin, për shkak të zgjedhjeve dhe vonesës së formimit të qeverisë. Mënyra e votimit në distancë në Madrid është miratuar prej para shtatë vjetësh, por në praktikë u përdor të martën, me ratifikimin e protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.
Ndërkohë, ambasadori Sera kërkoi ndjesë për vonesën e ratifikimit.
Me këtë akt, Maqedonia e Veriut është pothuaj se pjesë e Aleancës më të fuqishme ushtarake dhe të sigurisë në botë. Autoritetet maqedonase duhet ta dorëzojnë protokollin e ratifikimit në Uashington, siç parashikojnë rregullat e Aleancës që nga themelimi i saj dhe me këtë, në mënyrë automatike bëhet anëtarja e tridhjetë e NATO-s.
Ky synim i shtetit ballkanik dhe politikanëve të saj ka dhe përkrahjen e madhe të qytetarëve. Sipas anketave publike të viteve të fundit, një shumicë prej mbi 70 për qind e kanë mbështetur anëtarësimin e vendit në këtë organizatë. Analistët parashikojnë se me anëtarësimin në NATO, do të shtohet shkalla e investimeve të huaja në vend.