Në një reagim në Facebook Organizata Botërore e Shëndetësisë në Shqipëri, (WHO Albania), ka shprehur vlerësim dhe mirënjohje për masat e ndërmarra në Shqipëri për parandalimin e COVID-19, si dhe për stafin mjekësor dhe qytetarët që po zbatojnë këshillat.
OBSH shprehet se po punon në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa shton se vendimi për t’u testuar për COVID-19 duhet të bazohet në faktorë klinikë dhe epidemiologjikë, dhe që janë të ndërlidhur me një vlerësim të mundësisë për t’u infektuar.
“Në shpërthimin e tanishëm epidemik të COVID-19, Zyra e OBSh-së në Shqipëri dëshiron të shprehë vlerësimin dhe mirënjohjen ndaj punonjësve të Shëndetit në Shqipëri, për angazhimin dhe përkushtimin e tyre ndaj qytetarëve në këto kohë të vështira. OBSh-ja dëshiron gjithashtu të përgëzojë qytetarët shqiptarë për bashkëpunimin në zbatimin e masave të marra nga Qeveria për të siguruar distancimin shoqëror. Këto masa janë tanimë mjeti më i fuqishëm që, të gjithë bashkë, kemi për të kapërcyer këtë krizë. Zyra e OBSh-së në Shqipëri po punon duke u koordinuar ngushtësisht me Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të siguruar që vendimet e marra të jenë në përputhje me rekomandimet e OBSh-së. Në këtë drejtim, ne duam të theksojmë se vendimi për t’u testuar për COVID-19 duhet të bazohet në faktorë klinikë dhe epidemiologjikë, dhe që janë të ndërlidhur me një vlerësim të mundësisë për t’u infektuar. Testimi PCR i kontakteve asimptomatike ose lehtësisht simptomatike mund të konsiderohet në vlerësimin e individëve që kanë pasur kontakt me një rast COVID-19. Protokollet e depistimit duhet të përshtaten me situatën lokale”.
“Ja edhe OBSH-ja një minutë më parë, që ta dini kur të dëgjoni togfjalëshin OBSH nga ata që kanë vite të tëra pa punë dhe tregojnë nga ekranet e nga portalet se si bëhet puna”, ka shkruar kreu i qeverisë Edi Rama teksa ka shpërndarë deklaratën e OBSH.