Shqipëria do të pezullojë transportin publik me Greqinë

Shqipëria do të pezullojë hyrje daljet me Greqinë fqinje duke filluar prej orës dhjetë të paradites së të shtunës në kuadër të masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Vendimi është njoftuar nga Kryeministri Edi Rama dhe përfshin pezullimin e transportit ajror me Greqinë, por edhe të gjitha linjat e transportit të udhëtarëve me autobuzë.

Ndërkohë, siaps autoriteteve shqiptare, do të lejohen udhëtarët me makina personale të qarkullojnë përmes pikave kufitare me Greqinë në të dy anët e kufirit.

Njoftimet zyrtare nga Greqia fqinje flasin se numri i të prekurve në këtë vend nga koronavirusi të premten ishte në 190 persona, me një rritje prej 73 persona brenda një dite. Sipas autoriteteve shëndetësore greke, 47 janë të shtruar në spital, pesë prej tyre janë në gjendje të rëndë, ndërkohë që një person humbi jetën një ditë më parë i prekur nga koronavirusi.