Kina, burimi i shpërthimit të koronavirusit që është përhapur në të gjithë botën, konfirmoi 99 infeksione të reja e të paktën 25 vdekje prej së premtes.
Zëdhënësi i Komisionit Kombëtar të Shëndetit Mi Feng tha gjatë një konference për shtyp të shtunën se kërcënimi duket se po zvogëlohet në vend, që nga dhjetori kur shpërtheu për herë të parë infeksioni viral.
“Parandalimi dhe kontrolli i përgjithshëm i epidemisë është i qëndrueshëm dhe po përmirësohet. Por me zhvillimin e shpejtë të situatës epidemike ndërkombëtare ne duhet të vazhdojmë të jemi tejet vigjilentë e të zbatojmë me këmbëngulje politikat e parandalimin dhe kontrollin e rreptë në Hubei dhe Wuhan“, tha ai.
Zoti Feng tha se në total në Kinë janë konfirmuar 22.177 njerëz të prekur nga virusi mes të cilëve rreth 5,500 vlerësohen si raste të rënda. Ndërkohë ai bëri të ditur se prej shpërthimit të COVID-19, janë kuruar 55,404 persona ndërsa 3,070 vetë kanë humbur jetën.
Të shtunën, numri i përgjithshëm i të infektuarve në mbarë botën arriti në 100 mijë, ndërsa i vdekjeve në rreth afro 3.500.
“Ndërsa rastet rriten, ne vazhdojmë të rekomandojmë të gjitha vendet që të kenë si përparësinë e tyre më të lartë kontrollin e situatës. Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje vendeve t’i identifikojnë, testojnë, izolojnë e të kujdesen për çdo rast dhe të gjurmojnë çdo kontakt me persona të prekur. Ngadalësimi i epidemisë shpëton jetë dhe blen kohë për t’u përgatitur për veprimtari kërkimore kundër virusit“, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhamom Ghebreyesus.
OBSH-ja bëri të ditur në fillim të kësaj jave se rastet e reja në botë janë rritur me rreth 17 herë më shumë sesa në Kinë.