Në veri të Spanjës ndodhet një qytet i vogël, Belorado, ku muret e ndërtesave janë zbukuruar me “çentro” të përmasave të mëdha.

Belorado është një qytet i pasur me histori, këtu artistët e rrugës (street-art) NeSpoon e Regue Fernàndez kanë studiuar historinë dhe traditat e tij dhe kanë krijuar një kryevepër artistike urbane.

Projekti i street-art, Wall-King Belorado, lindi nga një ide e organizatës kulturore StaRter, me synimin për të konsoliduar rolin e gruas në shoqëri dhe vlerat e sportit.

Artistja polake, NeSpoon, e ka shpalosur krijimtarinë e saj në Plaza de San Nicolàs, duke i dekoruar ndërtesat e Belorados me “çentro të bardha” – një kod estetik që për të simbolizon pavarësinë, stilin dhe vetëdijen femërore.

Tetë ndërtesa në Plaza de San Nicolas janë pikë referimi për shumë femra. Këtu luhet edhe “Bolos Beliferanos”, një lojë bowling në këtë vend spanjoll.

NeSpoon ka kaluar shumë kohë në shtëpitë e banorëve vendas për të kuptuar artin dhe traditën e punimeve me dorë.

Ndërsa Regue Fernàndez kreu një kërkim fotografik që lidhet me lojën, duke krijuar një vepër arti që i referohet një fotografie të vitit 1917, që tregon disa gra që duan të luajnë ndërkohë që kujdesen për fëmijët.

NeSpoon, me veprat e saj, ngjall emocione pozitive, duke trajtuar çështje sociale dhe politike, të cilat ajo i konsideron të rëndësishme.
Veprat e saj gjenden kudo nëpër botë, Tunizi, Portugali, Kroaci, Kinë, Australi e Poloni.

Përse çentrot? Sepse tek to ka harmoni, rregull, simetri – pra çdo gjë që kërkon secili prej nesh.