Cilat janë arsyet e rritjes së rolit të aktorëve joperëndimorë në Ballkan? Studiuesi Faruk Ajeti bisedoi në studion me Zërin e Amerikës për realitetet e krijuara në Ballkan, angazhimin e mëhershëm të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në çështje të tjera të jashtme dhe të brendshme, si dhe parashtroi sugjerimet e tij ruajtjen e stabilitetit në Ballkan. Dr. Ajeti është studiues i Fondacionit Austriak të Planit Marshall, i atashuar pranë Institutit të Politikës së Jashtme të Universitetit Johns Hopkins këtu në Uashington.

Në një bisedë në studiot e Zërit të Amerikës, dr. Faruk Ajeti* shprehet se që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara kanë qenë më shumë të angazhuara me luftën në Afganistan dhe në Irak. Ky mosangazhim i shtuar i Shteteve të Bashkuara në raport me Ballkanin Perëndimor nuk është realisht i lidhur drejtpërdrejt me politikën e jashtme të Presidentit Trump, por ka filluar shumë më herët, thotë zoti Ajeti.

Gjithashtu, ai mendon se kanë të bëjnë edhe problemet e brendshme të Bashkimit Evropian, në veçanti që nga viti 2008 kur u shfaq kriza e Eurozonës, ngritja e partive me qasje euroskeptike, çështja e Brexit-i, apo çështja e Krimesë. Ky pozicionim më i tërhequr i Shteteve të Bashkuara dhe i Bashkimit Evropian krijoi mundësi për një rol të shtuar të aktorëve joperëndimorë. Roli i tyre u rrit në veçanti pas vitit 2012, periudhë nga e cila kemi një intensitet të shtuar të aktorëve joperëndimorë në Evropën Juglindore.

Dr. Ajeti thotë se Shtetet e Evropës Juglindore dhe të Ballkanit Perëndimor duhet të fokusohen më shumë në axhendën e tyre evropiane, sepse e ardhmja e tyre është në Evropë. Dr. Ajeti mendon se të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë evropiane. Ai sugjeron rritjen e bashkëpunimit transatlantik si çelësin e një stabiliteti më të madh në Ballkan.

Dr. Faruk Ajeti është studiues i Fondacionit Austriak të Planit Marshall, i atashuar pranë Institutit të Politikës së Jashtme të Universitetit Johns Hopkins këtu në Uashington. Dr. Ajeti ka botuar një sërë artikujsh studimorë për çështje të Ballkanit Perëndimor, si dhe për realitetet e transformimeve që po përjetohen në skenën ndërkombëtare dhe sfidat ndaj marrëdhënieve transatlantike.