Sot, paradite, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Prishtinë. Z. Qemal Minxhozi, e filloi ditën e punës me një takim e bisedë me një përfaqësi të Shoqatës “Drini, Gjakovë-Shkodër” me kryetar të saj z. Halil Ahmeti dhe antarët e Këshillit Drejtues të saj, znj. Sevdie Lama – ekonomiste e ish-deputete në Kuvendin e Kosovës, veteran i arsimit e veprimtari i njohur Pashk Gecaj, z. Agron Lama – inxhinier i ndertimtarisë.

            Tema e bisedimit ishte për Rrugën Bregut të Drinit-Korridorin Adriatik-Alpe, për mundësitë e realizimit sa ma të shpejtë të projektit të kryer kohë ma herët; për realitetet zhvillimore përparësore që sjell për ekonominë, kulturën, turizmin etj për Veriun e Shqipërisë e Rrafshin e Dukagjinit të Kosovës, për trevat komunare në Malin e Zi ; për lidhjen e Kosovës e të Malit të Zi me Shqipërinë e Bregdetin Adriatik, të rajonit të Gjakovës, Pejës e Mitrovicës…të Plavë-Gucisë, Rrozhajës e Sanxhakut me Shkodrën, Shëngjinin, me Tuzin, Ulqinin e Tivarin.

            Shoqata “Drini, Gjakovë-Shkodër” i dorëzoi ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Z. Qemal Minxhozi një Peticion për Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, z. Gent Cakaj. Ky Peticion mban 10.895 firma në mbështetje të Projektit për fillimin e përfundimin e Rrugës Bregut të Drinit – Korridorit Adriatik-Alpeve.

Shoqata “Drini, Gjakovë-Shkodër”, me seli në Gjakovë, është në pritje në ditët në vazhdim për takime e biseda të tjera me Kryetaren e Kuvendit të Kosovës, znj. Vjosa Osmani, me Kryeministrin e Kosovës, z. Albin Kurti dhe me Ministrin e Infrastrukturës e Ambientit, z. Lumir Abdixhiku,  për të diskutuar për Korridorin Adriatik-Alpe.

 

Rali LURA