Themeluesi i kompanisë Amazon, Jeff Bezos tha se do të japë 10 miliardë dollarë për të luftuar ndryshimin e klimës.

Njeriu më i pasur në botë e bëri premtimin të hënën në një postim në Instagram, duke e quajtur ndryshimin e klimës “kërcënimin më të madh për planetin tonë”.

Ai tha se nisma, e quajtur Fondi Bezos për Tokën, do të fillojë dhënien e granteve këtë verë.

Bezos u bashkohet disa miliarderëve të tjerë amerikanë, të cilët kanë premtuar shuma të mëdha për të luftuar efektet e ndryshimit të klimës, duke përfshirë bashkëthemeluesin e Microsoft-it Bill Gates, ish kryetarin e bashkisë së New York-ut Michael Bloomberg dhe menaxherin e fondeve financiare Tom Steyer.

Komapnia Amazon është përballur me kritika nga vetë punonjësit e saj se nuk bën sa duhet për të luftuar ndryshimin e klimës.

Kompania, e cila shpërndan miliarda pako çdo vit, përdor aeroplanë, kamionë dhe makina të shumta për transportet e saj në të gjithë botën dhe shkakton një ndotje relativisht të lartë karbonike.

Vitin e kaluar, zoti Bezos premtoi se do ta ulte në zero ndotjen e kompanisë së tij deri në vitin 2040.