Sot, në këtë ditë shkurti 2020, Familja e krejt Fisi Berisha, Malësia e Gjakovës (Tropoja) e Kosova dardane, Sanxhaku Shqiptar, Shqipëria e Veriut…, patën një dhimbje të madhe: përcjelljen për në Varreza të Sulejman Berishës – djali i Zeqir Halil Berishës të Historisë Shqiptare, djali i axhës së Sali Berishës, mbështetës e kontributor i Luftës së fundit të Kosovës, që “e ktheu shtëpinë e tij në Vicidol në seli e bazë të UCK”, që i dha shumë kësaj lufte fitimtare duke mbetur një hero i heshtur i saj,…
Në këtë ceremonial përcjelljemortore për këtë burrë të shquar, të nderuar, të paharruar, për Sulejman Zeqir Berishën, kishte ardhë nga Prishtina edhe ish-kryeministri i Kosovës, gjeneral Ramush Haradinaj, i cili u solli ngushëllimet e tij Familjes së madhe Berisha, kolegut e mikut të tij – ish kryeministrit e ish Presidentit Sali Berisha, hodhi pak dhe të tokës shqiptare mbi varrin e tij dhe i tha dy fjalë burrështetasi në vlerësim e nderim të emrit e veprës së tij:
“Sot në Tiranë për t’i dhënë lamtumirën e fundit Sulejman Berishës, të cilin kam pasur nderin ta njoh për së afërmi, në kohën më të vështirë për Kosovën. Baca Sulejman, kushëri i afërt i ish-kryeministrit Sali Berisha, gjatë luftës së fundit në Kosovë, kullën e tij në Tropojë e kishte vënë në shërbim të plotë të UÇK-së. Me kalimin e tij në amshim, familja humbi të dashurin e tyre kurse Kosova një prej vëllezërve që iu bë krah çlirimit të saj. I përjetshëm qoftë kujtimi për të”. RAMUSH HARADINAJ (RH).
Këto foto pasqyrojnë ceremoninë e lartë nderuese dhe dhimbjen e madhe për ndarjen nga jeta të një burri të mirë e atdhetari të shquar, Sulejman Zeqir Berisha.
I paharruem emri e veprimtaria e tij atdhetare e qytetare në kohën e luftës e të paqes, paqes, në brezat e tij e në udhët e lartësitë e kombit! (Ramiz LUSHAJ)