Mirënjohje përjetë, Lokja e Këngës Nexhmije Pagarusha!

Para 10 viteve isha mysafir në Prishtinë, shtëpinë e Mjeshtres Nexhmije Pagarusha.
Një ëndërr e kahershme që m’u bë realitet. Kisha në dorë librin tim me poezi “Pesha e qiellit të vendlindjes” ku kisha botuar dhe poezinë e mëposhtme kushtuar asaj. Askund më shumë se para saj nuk më peshonte bukurisht qielli i vendlindjes.
Ishim një grup studiuesësh dhe poetësh nga Shqipëria. Ia lexova aty në atë dhomë të thjeshtë ku thjeshtësia e bënte edhe më të madhe madhështinë e saj. Ajo qau. Shpirtmadhje dhe zëngjëllorj Pagarusha me duart të shtrënguara me bashkëkombasit e vet ishte tepër e emocionuar.
Në libra të tjerë sërish kënga e saj më frymëzoi . Kësaj radhe ishte jehona e këngës “Baresha” që do ta kishin zili sa e sa simfoni botërore.
Sot ajo është bërë pjesë e qiellit e parajsës duke na lënë pas një pasuri të jashtëzakonshme shpirtërore , një thesar tingujsh,.
Në këtë ditëndarje fizike nga Mjeshtrja mbase do të donim që të merrnin gjithë violinat e botës , flautët e t’ua vinim në tastierë “Bareshën’ të urdhëronim ujëvarat që të na jepnin miliona stërkala tingujsh të saj.
Të gjtihë titujt meritorë i takojnë asaj. Unë do ta quaja LOKJA E KËNGËS

Namik Selmani Boston, 7 shkurt 2020
Lokja e Këngës

Duke dëgjuar Nexhmije Pagarushën

1.
Duke dëgjuar Pagarushën
Ia gjeta burimin lotit të gaztë që derdhet në sofra.
Dyert e shpirtit
Për besë, një nga një, si gardian dashurie i hapa
Për fajin e vjetër
Gjykatësin e munguar që nga nëntë bjeshkët e solla.
Amëshimin
E preka si gjethe në miliona tinguj rrezore, të kaltra,

2.
E frymë më frymë
I trazova lumnueshëm gjithë drurët e lulet e Sharrit
Fushë Kosova
Po më dukej si lëndinë e fëmijërisë, si shtegu i lojës
E heshta i memecëruar
Kur një ujëvarë ma mbyti kurmin në rrëzë të malit.
E u fëmijërova
Me bastunin në duar që nuk ka statusin e lodrës.

3.
E lisat,
I ngrita në duar si të ishin të gjithë kukulla.
Më Ante se Anteu
Në fjalët e Lokes gjeta palcë nga palcë toke.
Duke dëgjuar Pagarushën
Qiellit tim ia gjeta tetë shkallë të bukura
Një balonë
Me tinguj tupanash më shtrëngonte gishtërinjtë e dorës.

4.
E u verbërova
Si garues pa kundërshtar qoftë edhe të vetëm, në lirishte.
E ua mora dritën
Gjithë fareve të botës, i lashë përjetësisht si vuvër
Heeeeej, këndon Pagarusha!!!!!!!!!!!!!
E thyhen pasqyrat e vetrinave në shitoret dritëmagje.
E shkrihen akujt
Që të vijnë nëpër këmbë si kone e zbutur.

5.
Ia gjeta
krahët e munguar zogut trupdridhur mes dëborës
Ia gjeta
Farën dhe ujin plisit të tharë për pikën e dritës.
Këmbët m’u ndalën
Tek shihja akrepat e ndaluara të orës
E në udhëkryqet njerëzore
Po bëhem me Loken e Këngës semafor rrezëllitës.

6.
E Kosova
Po më vjen si Zamabak në piedestalin lulëror
E nuk kam gojë
Të flas me shtiranakët në Mbretërinë e Fjalëve
Dora
Po më mbeska pak e tharë, si ta kish bërë një skulptor
E nuk po gjej dot një ekran
T’ua përcjell miqve të gjitha adresat e mesazhet