Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka shprehur mbështetje për metodologjinë e re për zgjerim të propozuar nga Komisioni Evropian, që synon të bëjë Bashkimin Evropian më të besueshëm dhe të parashikueshëm.
“E mbështes metodologjinë e re”, ka thënë Vuçiq më 6 shkurt, pasi ka biseduar me Komisionarin evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi në Beograd.
Ai ka thënë se Serbia mund të përfitojë nga plani i propozuar, i cili do t’iu delegonte shteteve anëtare më shumë kompetenca në bisedimet për anëtarësim.
Në rast se kjo metodologji miratohet, ajo do të aplikohej me automatizëm për Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Serbia dhe Mali i Zi, që tashmë kanë nisur bisedimet për anëtarësim me Brukselin, do të kenë mundësi të zgjedhin se cilën qasje dëshirojnë ta aplikojnë.
Vuçiq i ka thënë Varhelyit se Serbia do të rishikojë reformat e propozuara me kujdes, para se të marrë ndonjë vendim.
Komisionari evropian në anën tjetër, ka thënë se zgjerimi i BE-së në Ballkan është “prioriteti i tij më i madh”.
“Në fund të mandatit tim, unë do të dëshiroja që të paktën një shtet nga rajoni të ishte gati për anëtarësim”, ka thënë diplomati hungarez.
Më 7 shkurt, ai është planifikuar të vizitojë Malin e Zi për të biseduar me kryeministrin e këtij shteti, Dushko Markoviq.