Udhëheqësi autoritar i Turkmenistanit, Gurbanguly Berdymukhammedov, e urdhëroi qeverinë e tij që të ndajë 1.5 miliard dollarë për të blerë pajisje dhe materiale nga vendet e huaja, për ndërtimin e një qyteti të ri, nga fillimi.
Media shtetërore në Turkmenistan tha se presidenti nënshkroi një dekret për këtë qëllim.
Qyteti i ri, i cili nuk është emëruar ende, do të jetë kryeqytet i rajonit Ahal, i cili qysh në muajin qershor qeveriset nga djali i presidentit, Serdar Berdymukhammedov.
Djali i vetëm i udhëheqësit konsiderohet nga disa vëzhgues si pasardhës i mundshëm i tij.
Berdymukhammedov, 62 vjeç, udhëheq ish-republikën sovjetike nga viti 2006.
Kritikët dhe grupet e të drejtave të njeriut thonë se ai ka shtypur disidentët dhe se ka bërë pak ndryshime në vendin e izoluar, prejse ka marrë pushtetin pas vdekjes së autokratit Saparmurat Niyazov.
Megjithatë, shumë turkmenë i referohen atij si Arkadag – që do të thotë mbrojtës.