Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, mirëpriti formimin e qeverisë së re të Kosovës, të drejtuar nga Albin Kurti.
Në një njoftim të zyrës së tij thuhet se zoti Borrell, pret intensifikimin e diskutimeve lidhur me bashkëpunimin ndërmjet BE-së dhe Kosovës, reformat dhe bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për punë me institucionet dhe qytetarët e Kosovës në rrugën evropiane. Ka shumë punë përpara për qeverinë e re për të përmbushur detyrimet nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, agjendën e reformave evropiane, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik. Bashkëpunimi rajonal duhet të forcohet sikurse edhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. Në këtë kuadër presim rifillimin shpejtë të bisedimeve ndërmjet Beogradit e Prishtinës të lehtësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve. Gjendja aktuale nuk është e qëndrueshme. Nuk ka asnjë alternative për një rifillim të shpejtë të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në reagimin e zotit Borrell.
Ai kërkon edhe ri angazhimin e Kosovës në nismat rajonale në dobi të saj.
“Sfidat me të cilat përballet Kosova janë të mëdha, por të tilla janë edhe mundësitë e Kosovës. Ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën në agjendën Evropiane të Reformave dhe të vazhdojmë mbështetjen tonë në forcimin e sundimit të ligjit për të gjithë, përmirësimin e administratës publike për të ofruar shërbime që qytetarët i meritojnë, krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike”, thuhet në njoftimin e zyrës së zotit Borrell.
Ai qëndroi javën e kaluar në Prishtinë dhe në Beograd në kuadër të përpjekjeve për ripërtëritjen e bisedimeve të bllokuara që nga vjeshta e vitit 2018 kur Kosova vendosi tarifa ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Serbisë ndaj pavarësisë së saj.
Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e Kosovës refuzoi edhe thirrjet evropiane e amerikane për heqjen apo pezullimin e tyre.
Ditë më parë gjatë një vizitë në rajon, i dërguari amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell tha se “Kosova duhet të heqë tarifat ndërsa Serbia duhet t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës”.
Të hënën Kosova u bë me qeverinë e re pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit të vitit të kaluar. Kryeministri i ri, Albin Kurti tha se qeveria e tij do të vendosë “reciprocitetin e plote me Serbinë”.