Kryeministri britanik, Boris Johnson ka bërë të ditura synimet e tij për marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian, duke thënë se shteti që udhëheq ai, “nuk ka nevojë” të ndjekë rregullat e Brukselit.
Johnson ka bërë thirrje për marrëveshje për tregti të lirë të stilit të Kandasë, duke thënë se Britania do të kthehet sërish në Marrëveshjen për Largim, nëse nuk arrihet marrëveshje tjetër.
Shefi negociator i BE-së për këtë çështje, Michel Barnier e ka konsideruar këtë ofertë “ambicioze”.
Sipas marrëveshjes tregtare BE-Kanada, shumica e tarifave në importe janë eliminuar ndonëse ende ekzistojnë kontrollet doganore.
Johnson ka shfrytëzuar fjalimin e tij “për të prezantuar potencialin e Britanisë” dhe ka bërë me dije se mund t’i drejtohet Organizatës Botërore të Tregtisë, nëse shefi i BE-së dështon në nënshkrimin e marrëveshjes sipas stilit të Kanadasë.
“Neve na është thënë shumë shpesh se na duhet të zgjedhim në mes të qasjes së plotë në tregun evropian apo një marrëveshjeje për tregti të lirë, e cila hap tregjet dhe anashkalon rregulloret e BE-së, siç është shembulli me Kanadanë”, ka thënë Johnson.
Bisedimet për tregti në mes të Britanisë dhe BE-së pritet të nisin në muajin mars derisa qasja e bllokut evropian ndaj negociatave duhet të miratohet nga të gjitha vendet anëtare.
Mbretëria e Bashkuar është larguar zyrtarisht nga BE-ja të premten në orën 23:00, sipas kohës lokale.
Ky vend tani ka hyrë në periudhë tranzitore 11 mujore, e cila përfdundon në dhjetor të këtij viti.
Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.