Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, mund të hedhin të dielën nënshkrimet në marrëveshjen për formimin e qeverisë së re për të cilën do të votohet të hënën në parlamentin e Kosovës.

Një zyrtar i lartë i lëvizjes Vetëvendosje, i tha Zërit të Amerikës se është arritur “një dakordim” me Lidhjen Demokratike për të formuar qeverinë e re, por pa dhënë hollësi të tjera. “Marrëveshja nuk është larg”, tha ai.

Edhe në Lidhjen Demokratike pohojnë se e diela mund të jetë vendimtare, por asnjëri subjekt nuk ka folur zyrtarisht se për çfarë janë dakorduar.

Më herët të shtunën, nënkryetari i Lidhjes Demokratike, Lutfi Haziri tha se “edhe më tutje po angazhohemi që kjo marrëveshje të jetë e balancuar, që i akomodon të dy subjektet e mëdha politike, në mënyrë që t’i hapet rrugë mandatarit që të krijojë koalicion edhe me partitë e pakicave”.

Ai tha se ende nuk është tejkaluar çështja e kryetarit të parlamentit të Kosovës, një post që Lidhja Demokratike e kërkon për vete, ndonëse në seancën e parlamentit më 26 dhjetor kishte votuar për kandidatin e lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

“Nuk është përballuar ende ky dallim. Gjasa janë të mëdha që Kosova të ketë ekzekutiv dhe përpjekjet nuk do të mungojnë që të arrihet ky qëllim. Ne gjithmonë po flasim për një ekzekutiv LDK-LVV dhe një përfaqësim ku Vetëvendosje e udhëheqë qeverinë dhe LDK-ja kuvendin. Ky është angazhimi ynë i përbashkët”, tha zoti Haziri.

Të premten, kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, i pyetur nga gazetarët nëse do të jap dorëheqje për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë tha se “nuk mendoj që në Kosovë është koha e dorëheqjeve, unë mendoj që në Kosovë është koha e emërimeve”.

Mediet lokale thanë se zoti Konjufca është pajtuar të largohet nga posti, por ky njoftim nuk është vërtetuar nga partia e tij.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, shkroi në rrjetin social facebook se “kur kanë mbetur vetëm edhe 40 orë deri te seanca e Kuvendit të Kosovës për qeverinë Kurti, sigurisht se kemi inflacion hamendësimesh e spekulimesh. Komunikimi, konsultimet dhe takimet midis LVV dhe LDK janë intensifikuar në këto orë të fundit. Lëvizja Vetëvendosje do të njoftojë publikun dhe anëtarësinë sapo të ketë marrëveshje”, shkroi ai.

Parlamenti mblidhet të hënën dhe sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse kandidati për kryeministër, Albin Kurti, nuk siguron të paktën 61 vota sa duhen për miratimin e qeverisë, atëherë presidenti “emëron kandidatin tjetër për kryeministër”, i cili nga marrja e mandatit do të ketë dhjetë ditë për formimin e qeverisë.

Nëse as kandidati tjetër nuk siguron formimin e qeverisë, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kosova mbajti më 6 tetor të vitit të kaluar zgjedhjet e katërta me radhë që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008. Lëvizja Vetëvendosje që doli e para dhe Lidhja Demokratike që u radhit e dyta, hapën debatet për qeverinë e re menjëherë pas zgjedhjeve, por deri tash pa sukses.

Zgjedhjet pasuan dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u thirr në Hagë në muajin korrik, për t’u marrë në pyetje nga prokuroria e Posaçme që trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.