Organizata Botërore e Shëndetit e shpalli emergjencë globale shpërthimin e koronavirusit në Kinë që tashmë ka shkaktuar 170 të vdekur.

Numri i rasteve të konfirmuara është rritur në 7,711, duke përfshirë më shumë se 1,700 raste të reja të mërkurën.

“Rritja e vazhdueshme e rasteve dhe dëshmitë e transmetimit nga njeriu te njeriu jashtë Kinës janë thellësisht shqetësuese,” u tha kreu i OBSH Tedros Adhanom Ghebreyesus gazetarëve në selinë e organizatës në Gjenevë të mërkurën, një ditë pasi ai vizitoi Pekinin. “Megjithëse numri i rasteve jashtë Kinës është relativisht i vogël, ato kanë potencialin e një shpërthimi shumë më të madh.”

Disa vende kanë evakuuar shtetasit e tyre nga Wuhani – qyteti kinez në epiqendrën e shpërthimit. Linjat ajrore ndërkombëtare kanë pezulluar fluturimet direkte për në Kinë.

Tedros tha se 99% e të gjitha rasteve të konfirmuara janë në Kinë. Pesëmbëdhjetë vende të tjera kanë konfirmuar 68 raste. Të 170 vdekjet, me një përjashtim, kanë ndodhur në Wuhan dhe në provincën Hubei.

Numri i rasteve të reja të koronavirusit tani e tejkalon ato të epidemisë SARS 2002-03 që vrau 800 njerëz në të gjithë botën. Tedros vlerësoi reagimin e Pekinit për situatën.

“Përpjekjet e Kinës për të kufizuar shpërthimin në epiqendër kanë qenë thelbësore për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit,” tha ai. “Kina e identifikoi patogjenin në kohë rekord dhe e ndau atë menjëherë, gjë që çoi në zhvillimin e shpejtë të mjeteve diagnostikuese.”

Presidenti Donald Trump u informua për shpërthimin e sëmundjes nga ata që ai i quan “agjensi të mëdha” që punojnë me Kinën.

“Ne do të vazhdojmë të vëzhgojmë zhvillimet. Ne kemi ekspertët më të mirë kudo në botë dhe ata janë në krye të situatës 24/7,” tha presidenti në Twitter.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se po shqyrton kufizime të mëtejshme për linjat ajrore amerikane që fluturojnë për në Kinë, përveç kufizimeve vullnetare nga disa kompani ajrore. Akoma nuk është vendosur nëse do të ketë një ndalim të udhëtimeve.

Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha se asnjë prej 195 pasagjerëve amerikanë të evakuuar të mërkurën nga Wuhan nuk treguan simptoma të koronavirus. Ata do të qëndrojnë në një bazë ushtarake amerikane në Kaliforni të paktën deri në fund të javës.

CDC tha që rreziku për amerikanët është i ulët. Agjensia po punon me OBSH për të çuar një ekip amerikan në Kinë sa më shpejt të jetë e mundur.

Lejohet anija italiane

Ministria italiane e shëndetësisë tha se udhëtarët në kroçerën Costa Smeralda nuk kanë koronavirus.

Rreth 6,000 njerëz po mbaheshin në bordin e anijes italiane të enjten ndërsa po kryheshin testime tek dy pasagjerë kinezë që dyshohej se kishin koronavirus.

Zëdhënësi i linjës së lundrimit Costa Crociere i tha agjencisë së lajmeve Reuters se çifti mbërriti në Itali në 25 janar dhe hipi në anije në portin e Savonës po atë ditë. Më pas ata u akuan për ethe dhe vështirësi në frymëmarrje.

Anija vizitoi portin francez të Marsejës, Barcelonës dhe Palma de Mallorca në Spanjë këtë javë para se të hipnin të enjten në Çivitavekia, në veri të Romës.