Diktatura dhe njëmendësia politike nuk përmbysen përmes zgjedhjeve të ashtuquajtura të lira dhe demokratike, të organizuara nga po ai pushtet, por nga fryma e përgjithshme liridashëse dhe rezistenca e organizuar qytetare, popullore dhe kombëtare.

Pushtetet diktatoriale të njëmendësisë politike nuk mund të përmbysen nga klanet partiake fitimprurëse, të etshme për pushtet, por nga fryma liridashëse e një populli, nëse ai e kërkon dhe lufton për linë e tij.

Kur një parti politike një periudhë të gjatë qëndron në pushtet, rriten dhe forcohen kapacitetet e saj në atë nivel saqë vështirë mund të përmbyset nga pushteti përmes partive të tjera politike të ashtuquajtura opozitare.

Një parti të tillë, e cila e shtrin ndikimin e saj në administratën e shtetit, në institucione, krijon fonde të zeza financiare për zhvillimin e fushatave zgjedhore dhe të propagandës sistematike, krijon mediet e veta ose i vë nën kontroll mediet tjera komerciale, fiton nivel të lartë besueshmërie te pushteti i atij vendi, për interesat strategjike të shtetit, jo të qytetarëve që i përfaqëson, mund të përmbyset, të hidhet në opozitë, apo të largohet nga skena politike vetëm përmes formave të organizimit të përgjithshëm të qytetarëve, përfshirë edhe protestat, bojkotin dhe forma të tjera nga një front i gjerë politik dhe intelektual, përfshirë mediet e lira dhe bizneset, jo me konkurrencë nga partitë e opozitës dhe përmes zgjedhjeve që nuk janë të lira, të drejta dhe demokratike, por të organizuara nga pushteti dhe të kontrolluara nga shërbimet sekrete të atij shteti dhe agjenturat e huaja.

(29 janar 2020)