Adhurues të shumtë të yllit amerikan të basketbollit, Kobe Bryant, i cili humbi jetën bashkë me vajzën e tij 13 vjeçe, u mblodhën në stadiumin e klubit të tij Lakers në Llos Angjelles, duke hedhur lule dhe topa basketbolli në kujtim të tij.
Bryant, 41 vjeç, dhe vajza e tij, Gianna, 13 vjeçe, janë në mesin e nëntë njerëzve të vrarë në një aksident me helikopter, që ndodhi të dielën në Kalabasas të Kalifornisë.
Bryant, pesë herë kampion i NBA-së (Asociacionit Kombëtar të Basketbollit) ka luajtur për LA Lakers gjatë gjithë karrierës së tij 20-vjeçare dhe konsiderohet si një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e basketbollit.
NBA lëshoi një deklaratë, duke thënë se ndjehet “e shkatërruar nga vdekja tragjike e Kobe Bryant dhe vajzës së tij, Gianna”.
“Për 20 sezone, Kobe na tregoi se çfarë është e mundur kur talenti i jashtëzakonshëm përzihet me një përkushtim absolut për të fituar”, tha NBA.
“Lajm i tmerrshëm”, shkroi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Twitter.
“Humbja e vajzës së tij të bukur, Gianna, e bën këtë moment edhe më shkatërrues”, tha Trump.
Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, e përshkroi Bryantin si “një legjendë në fushë”.
Bryant u kujtua edhe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve muzikore Grammy, që u mbajt të dielën në Llos Angjelles.
“Të gjithë po ndjejmë trishtim të çmendur tani”, tha nikoqrija e mbrëmjes, Alicia Keys.