Gjermania kërkon që vendimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të merret në muajin mars. Këtë e bëri të ditur të hënën kancelarja gjermane Angela Merkel, përpara takimit në Berlin me kryeministrin shqiptar Edi Rama. “Ne i përmbahemi qartësisht perspektivës së Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ne duam që këto shtete të përafrohen me BE-në dhe para se gjithash duam që në takimin e ardhshëm të Këshillit Europian në mars të arrijmë një dakordësi për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dyja vendet kanë suksese të konsiderueshme dhe këto janë regjistruar nga Këshilli Europian dhe ne do të punojmë fort që në mars të arrijmë rezultate”, tha kancelarja gjermane.
Sipas saj “e ardhmja e këtyre dy vendeve është në Bashkimin Europian. Kjo është dhe në interesin tonë. Ai që e shikon mirë hartën dhe njeh kuadrin gjeopolitik e di që është mirë për të gjithë, sikur një ditë të jenë anëtarë të BE-së. Komisioni i ri Europian synon të jetë dhe një komision që synon të theksojë dhe dimensionin gjeopolitik dhe prandaj kjo i jep edhe më shumë shkas për ta çuar me vendosmëri përpara këtë process”.
Kancelarja gjermane vlerësoi Reformën në Drejtësi të ndërmarrë nga Shqipëria. “Janë arritur shumë gjëra dhe kjo reformë duhet të vazhdojë në mënyrë të tillë që të përmbyllet. Kjo reformë ka një rëndësi qendrore për të ardhmen e Shqipërisë”, theksoi ajo.
Takimi i kryeministrit shqiptar me kancelaren gjemane është pjesë e një turi takimesh që zoti Rama ka ndërmarrë për të siguruar mbështetjen e vendeve kryesore të Bashkimit europian për Konferencën e donatorëve që do të organizohet nga Komisioni europian më 17 shkurt në Bruksel, për të siguruar mbështetje financiare për Shqipërinë për të përballuar pasojat e tërmetit në fazën e rindërtimit. Javën e shkuar ai pati takime me drejtuesë të qeverisë italiane, ndërsa pritet që të marëtn në mbrëmje të takojë dhe presidenten e Komisionit europian Ursula von der Leyen.
Në deklaratën e shkurtër para filimit të takimit me kancelaren Merkel, zoti Rama foli për “nevojën e madhe që Shqipëria ka për të gjetur mbështetjen e të gjithë miqve dhe partnerëve në procesin e vështirë të rindërtimit, i cili, duke u bazuar në raportin e dëmeve, hartuar në bashkëpunim me Bashkimin Europian, Kombet e Bashkuara dhe Bankën Botërore, përmban një shumë që është përtej të gjitha mundësive tona për ta përballuar të vetëm”. Vlerësimi përfundimtar pritet të bëhet public javën e ardhshme, por sipas shifrave të bëra të ditura paraprakisht nga vetë zoti Rama, fatura e dëmeve pritet të jetë afro 1.1 miliard euro./Associated Press