Shtetet e Bashkuara nuk do të tërheqin sanksionet ndaj Iranit në këmbim të negociatave, tha Presidenti Donald Trump përmes një postimi në Twitter të shtunën.
“Ministri i Jashtëm iranian tha se do të negocionin me Shtetet e Bashkuara, por fillimisht duhet të heqin sanksionet.. Jo faleminderit”, tha Trump.
Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, i është përgjigjur të dielën Presidentit Trump përmes një postimi në Twitter, ku tha se Irani është ende i hapur për bisedime nëse Amerika tërhiqet nga sanksionet.
“Donald Trump është më mirë të fokusojë komentet për politikën e jashtme në fakte sesa në titujt e @FoxNews dhe përkthyesit e tij të gjuhës Farsi”, tha Zarif.
Tensionet midis Iranit dhe SHBA-së janë rritur edhe më shumë pas vrasjes së gjeneralit Iranian Qassem Soleimani në një sulm ajror në Bagdad nga SHBA-ja dhe sulmit ajror të Iranit në bazën ushtarake amerikane në Irak.
Por, tensionet kanë filluar të rriten që prej vitit 2018, kur Trump u tërhoq nga pakti bërthamor i Fuqive Botërore dhe rivendosi sanksionet ndaj eksporteve të Iranit. /REL