Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel ftoi sot krerët e shteteve dhe qeverive të 27 shteteve anëtare në një samit të jashtëzakonshëm më 20 shkurt në Bruksel për të arritur në një marrëveshje mbi buxhetin e BE-së për periudhën 2021-2027.
“Çdo shtyrje do të krijonte probleme të rënda praktike dhe politike dhe do të kompromentonte vazhdimin e programeve dhe politikave aktuale, si dhe fillimin e atyre të rejave”, theksoi Michel në ftesën e tij për drejtuesit.
“Jam plotësisht i vetëdijshëm se këto negociata janë ndër më të vështirat me të cilat duhet të përballemi. Por jam gjithashtu i bindur se me mirëkuptim dhe vendosmëri, ne mund të arrijmë një marrëveshje që do të përfitojnë të gjithë europianët”, shtoi ai.