Ballina Histori Si mësova për vrasjen e Jusuf Gërvallës – Nga Gani MEHMETAJ

Si mësova për vrasjen e Jusuf Gërvallës – Nga Gani MEHMETAJ

Vazhdoja shërbimin e detyrueshëm ushtarak në qytetin slloven Kranj, kur mësova për vrasjen e Jusuf Gërvallës. Nga biseda telefonike me babanë në Pejë mora vesh se dje e vranë në Gjermani me të vëllain Bardhoshin e Kadri Zekën. Se si më dukej, nuk isha mësuar të dëgjoja për vrasjen e njerëzve që i njihja, që kishim ndenjur bashkë, kishim pirë kafe, kishim debatuar për art e politik, kur përnjëherë të thonë: “Nuk është më, e vranë”. Një herë të lajm surreal, i pabesueshëm, sikur s’ka të bëjë me ty, pastaj nis e bindesh se lajmi është i saktë, se nuk ta thanë të talleshin, sidomos nisa ta bind veten se babai nuk më tha kot, ai e dinte që unë kisha punuar me Jusufin në “Rilindje”, e njihte mirë edhe babai, sepse kishim një lidhje familjare.
Nuk më tha kush e vrau, nuk kishte nevojë, as që më shkonte nëpër mend ta pyesja. Unë gati e dija. Shërbimi sekret jugosllav dëshmohej i pamëshirshëm, ata vranë njerëz të emigracionit politik më parë, vranë emra të njohur të emigracionit kroat, të cilët atëbotë qenë tejet të organizuar e efektiv, ata nuk udhëhiqeshin nga formulat ideologjike, por nga koncepti kombëtar. Ndërkaq, Gërvalla ishte njëri ndër emigrantët politikë më të arsimuar e më të mençur. Diaspora s’kishte të tillë, prandaj nuk pati jetë të gjatë.
Me vrasjen e tij u godit lëvizja politike e emigracionit, për të cilin po ashtu e dinim se janë të përçarë: emigracioni i vjetër ballistë e zogistë në shuarje e sipër dhe emigracioni i ri marksist-leninist dinamik, por me frymëzim ideologjik krejtësisht të gabuar. Shteti shqiptar ushtronte ndikim të madh mbi ta. Jusuf Gërvalla nuk qe marksist, e kishim biseduar shpesh këtë temë, ishte çështja tjetër që e vetmja mbështetje morale qëlloi ai farë shteti, ku më shumë merreshin me forcimin e marksizëm-leninizmit në botë sesa në mbështetjen e emigracionit politik kundër Jugosllavisë. Edhe kërkesat qenë rrudhur: nga bashkimi kombëtar i nacionalistëve, enveristët u mjaftuan me kërkesën për Kosovën njësi federale brenda Jugosllavisë.
Prapë kur e sillja nëpër mend fytyrën e Jusufit, më dukej disi e pabesueshme, s’kishte dy vjet që iku në Gjermani. Lajmet pas ikjes së tij spektakolare ishin të pakta, ndonjë fjalë në vesh, në cep të rrugës, ndonjë hamendje e mundshme: “E kanë parë në Shtutgard”, më tha një i afërt, punëtor në Gjermani”. Gazeta “Rilindja”, ku Gërvalla punoi para se të arratisej, nuk merrej më me të. Ndonjë gazetë serbe që shkruante për emigracionin ”armiqësor shqiptar” e prezantonte me urrejtje.
Më babanë nuk e zgjatëm bisedën telefonike, të vetëdijshëm se mund të na përgjonin. Nga tronditja nuk më kujtohet të kem pyetur për familjen. Pastaj e kujtova jetën civile. Erdha në rubrikën e kulturës në “Rilindje”, gazetar i ri, ai ishte gazetar me përvojë. Pos që shkruante, kënga e tij “ O, bilbil ta bëra benë…” ishte këngë e popullarizuar. U hoq nga repertori në çastin e arratisjes, ndërsa ia kthyen mbrapshtë romanin që e pati dorëzuar në edicionin e “Rilindjes”. E takova gruan e tij, Suzanën, në ashensorin e Pallatit të Shtypit përderisa zbriste nga kati i botimit të librave, ku i thanë se romanin e tij nuk mund ta botonin. Disa kohë më vonë ajo shkoi në Gjermani me fëmijët.
Jusuf Gërvallën e njihja nga fëmijëria. Jetoi disa kohë në lagjen time në Pejë. E mbaja në mend nga kitara dhe këngët spanjolle që ishin në modë atëbotë. Natyrisht i kishim dhjetë vjet në mes, kurse në fëmijëri e rini dallimi dhjetëvjeçar qe hendek i madh. Në “Rilindje” patëm miqësi e afri, bisedonim shpesh për filmin shqiptar, meqë unë shkruaja kritikë filmi, bisedonim për muzikën shqiptare, sepse ato ditë ansamblet shqiptare vinin në Kosovë, ndiqeshin me interesim të madh. Jusufi e ndoqi gjatë gjithë kohës për gazetë turneun e Ansamblit të Këngëve e të Valleve nga Tirana. Ishte redaktor i faqes së RTV-së. E shquante dinamizmi, ndonjëherë s’përtonte të kundërshtonte shefat e mëdhenj. Më kujtohet kur u zu me drejtorin e përgjithshëm të “Rilindjes”, R. Z. Arsyen nuk e mbaj në mend, e di që ishte fjala për një ndërhyrje në tekstet e kulturës. Për veprimtarinë e tij ilegale nuk dinte askush, por shërbimi i fshehtë e kishte ndjekur gjatë gjithë kohës. Një mëngjes shkuan ta arrestonin, pak kohë pas vizitës së Titos në Kosovë. Derisa njerëzit e shërbimit të fshehtë e policët e prisnin të dera, sepse ai duhej të merrte rrobat e nevojshme në dhomën tjetër, Jusufi nga nënkulmi i apartamentit doli në tarracë prej aty kërceu në rrugë dhe ia mbathi.
Kështu na tregoi gruaja e tij mua dhe Sh. Galicës, kolegë të “Rilindjes”, me të cilin shkuam në apartamentin e J. Gërvallës, pasi më informoi se iu futën policia brenda. U ktheva nga një udhëtim zyrtar në Zagrebi, prandaj nuk i dija të rejat e fundit. Asnjërit nuk i shkonte nëpër mend se apartamentin e bllokun e banesave në Kodër të Diellit e përgjonin nga të gjitha anët, ose ne nuk ishim mësuar me gjëra të tilla. U futëm në banesën e tij, ku na priti e shoqja, Suzana. Ajo mbahej mirë, megjithëse duhej të qe tronditje e madhe. Shërbimit të fshehtë secili i druhej, ishin të ftohtë akull që ta ngrinin gjakun. Ajo sikur ne e dinte që Jusufi, nëse nuk e kapin, s’do të ketë mundësi të kthehej në Kosovë. Në këto rrethana ndarja ishte e dhimbshme e traumatike.
Përpiqeshim ta ngushëllonim, megjithëse nuk dinim as çka t’i thoshim as si t’i jepnim zemër. U nisëm me premtimin që do të vinim prapë, edhe pse Suzana na tha të mos rrezikonim, njerëzit e shërbimit sekret silleshin vërdallë. Banonte në kompleksin e banesave të “Rilindjes” në Kodrën e Diellit. Kur dolëm vumë në lëvizje një makinë “Fiat 750” (Fiqa), e cila na u vu prapa. Të vetëdijshëm se do të kemi probleme, unë e Shyqriu pamë sa është ora, ia mbathëm me vrap, duke marrë rrugë të ndryshme. Natyrisht në rrugicat e Prishtinës ishim më të shkathët, i kishim rrahur me qindra herë kur ishim studentë. Shumë shpejt ua humbëm gjurmët. Shpresoja se nuk na identifikuan as nuk arritën të na fotografonin.
Ditëve në vijim të gjithë flisnin për arratisjen e Jusuf Gërvallës, por me zë të ulët, gati me pëshpërima…
M’u desh kohë të dilja nga kabina telefonike në kazermën ushtarake, të qytetit slloven Kranj. Mezi ecja, i dëshpëruar e i thyer. E fantazoja mizorinë e vrasjes së tij, ndërsa ai qe i brishtë, e dija se si i bëjnë këto gjëra, shihja shumë filma policorë a spiunazhi, më vinte keq nga gruaja e tij, më dhimbseshin fëmijët që do të rriteshin pa babë, në një botë të huaj, të panjohur.
Ecja i heshtur nëpër rrugicat me borë të kazermës, pa guxuar t’i tregoja askujt dhe pa e ndarë pikëllimin me askënd. Kurrë nuk e kam ndier veten më të vetmuar.