Konsulli i Përgjithshëm i Nderit të Japonisë në Shqipëri, njëherësh dhe President i Sigal Uniqa Group Austria është nderuar me dekoratë të lartë nga Perandori i Japonisë.
Avni Ponari, vlerësohet për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në ceremoninë e dekorimit, ambasadori Makoto Ito përmendi edhe angazhimin e Ponarit në promovimin e kulturës Japoneze.
Makoto Ito: Jam i lumtur të nderoj zotin Avni Ponari, një nga miqtë e Japonisë këtu në Shqipëri me “Urdhrin e Ngritjes së Diellit, Rrezet e arta”. Dekorata akordohet nga Perandori japonez për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Është kënaqësia ime qe ta falënderoj Ponarin për punën e tij të shkëlqyer dhe për kontributin si Konsull Nderi në mënyrë të veçantë për nxitjen e bashkëpunimit. Pa ndihmën e Zotit Ponari nuk do të ishin të mundura as takimet e Presidentit Meta me zyrtarë të lartë të Japonisë. Unë besoj se suksesi në marrëdhëniet mes vendeve tona mbështetet edhe në punën e njerëzve si zoti Ponari.
Vlerësim por edhe përgjegjësi i cilësoi 10 vitet si Konsull Nderi, Avni Ponari, teksa tha se ka sjellë në Shqipëri praktikat më të mira japoneze të të bërit biznes.
Avni Ponari: Jam i nderuar për këtë dekoratë, dhe që përfaqësoj Japoninë në tokën e arbrit. Marrëdhënia e dy vendeve tona është e shkëlqyer dhe me marrjen e kësaj dekorate do bëj më të mirën në lidhje me bashkëpunimet ndërmjet dy shteteve në të ardhmen.
Dekorata “Urdhri i Ngritjes së Diellit, Rrezet e Arta” është ndër më të lartat që akordohet nga Perandori japonez për personalitetet e huaja që kanë dhënë një kontribut të çmuar në fuqizimin e marrëdhënieve politike, ekonomike dhe kulturore. / Tv Ora News /