Vendin ia zënë stuhitë e erës të shoqëruara me reshje shiu
Rikthehet shiu në Australi. Më shumë se 30 vatra zjarri janë shuar plotësisht në Viktoria dhe në Uellsin e Ri Jugor. Kjo ka sjellë gëzim tek njërëzit, pasi që nga Shtatori i vitit të kaluar, Australia është përfshirë nga zjarre masive.
Sipas Qendrës së Meteorologjisë në Australi gjatë gjithë fundjavës pritet që të ketë stuhi të shumta në disa rajone. Autoritetet janë vënë në gatishmëri pasi stuhitë mund të sjellin gjithashtu edhe përmbytje për shkak të fryrjes së lumenjve.
Po ashtu shiu ndihmoi në pastrimin e tymit të krijuar si pasojë e zjarreve që mbuloi shumë qytete, i cili kishte shkaktuar mbylljen e aeroporteve dhe shkollave.
Nga zjarret më shumë se 12 persona humbën jetën, 500 milionë kafshë u dogjën si dhe mbi 2000 shtëpi u shkrumbuan plotësisht. Pjesa më e madhe e njerëzve iu drejtua vendeve bregdetare për shkak se zjarret shkaktuan një apokalips ku më të dëmtuarat ishin Uellsi i Ri Jugor dhe Viktoria.
Mbi 1500 trupa zjarrfikëse dhe disa avionë e helikopterë u angazhuar për shuarjen e flakëve si dhe në evakuimin e njerëzve. Shkencëtarët e lidhin këtë situatë me ngrohjen globale, pasi vitin që lamë pas Australia u përball me thatësirën më të madhe.