Kancelarja gjeramane, Angela Merkel, shprehu mbështetjen e saj për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pas një takimi me homologun kroat, Andrej Plenkovic.

Në një konferencë shtypi (16.01) me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç, duke folur për samitin e Ballkanit Perëndimor në Zagreb, Angela Merkel  tha ndër të tjera  se “është shumë e rëndësishme që të ketë përparime në çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut “.

Kancelarja gjermane u shpreh pro çeljes së negociatave me të dy vendet njëherazi, si me Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe me Shqipërinë: “Shqipëria ka plotësuar shumë kërkesa që i kishim vendosur. Sidomos procesin e Vettingut dhe tani ka ardhur koha që të çelen negociatat”, tha ajo ndër të tjera.

Merkel kujtoi po ashtu edhe se Maqedonia e Veriut  e ka plotësuar kushtin që bllokonte deri tani çeljen e negociatave, arritjen e  marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

“Nëse duam të jemi të drejtë, atëherë ne duhet t’i trajtojmë të dy vendet së bashku, pavarësisht se ato pastaj do të ndjekin procedura të ndryshme, në bazë të vlerësimeve që do t’u bëhen”, tha kancelarja gjermane. Merkel tha se pas mosarritjes së një marrëveshjeje vitin e kaluar, tani do ta trajtojmë çështjen edhe në samitin e Këshillit të BE-së në Bruksel, qysh në muajin mars.

Vëzhgues në Berlin llogarisin se nuk do të ketë marrëveshje para samitit të Ballkanit Perëndimor në Zagreb, pra , në maj të këtij viti. Së fundmi, presidenti francez Emmanuel Macron, frenuesi kryesor i zgjerimit të BE-së, kishte dhënë sinjale zhbllokimi të qëndrimit të tij pas një takimi në Paris me kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq, (7.01.2020). Plenkoviç e përmendi në Berlin takimin e tij me Macronin, por nuk dha detaje.

Kroacia dhe më pas Gjermania kanë në dorë kryesinë e radhës së BE-së. Plenkoviç ndodhet në Berlin për të marrë pjesë në panairin e produkteve ushqimore, Java e Gjelbër, në edicionin e sivjetshëm të të cilit, Kroacia është vend partner.